ELIZABETA HASANI: PESË VJEÇARJA QË U VRA DY HERË NË KOSOVË

Fotografia e realizuar nga fotografi Tyler Hicks në mars të 1999 ku shihet e vrarë pesë vjeçarja rome Elizabeta Hasani

Ishte marsi i vitit 1999. Më saktë pasditja e 13 marsit të ‘99ës kur në një atmosferë tërësisht të zakonshme pazari në Tregun e Gjelbërt të Mitrovicës shpërtheu krejt papritmas një granatë e hedhur nga pjesëtarë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Në këtë shpërthim vdiqën shtatë njerëz, gjashtë prej të cilëve shqiptarë dhe një rome. 20 vite pas, në pllakën përkujtimore të kësaj ngjarjeje figurojnë vetëm gjashtë emra, gjashtë të vrarë nga kjo granatë. Dhe të gjashtët janë të vrarët shqiptarë. Ku është emri i të vrarës së shtatë? Komuna e Mitrovicës së Jugut ka refuzuar të shkruajë edhe emrin e saj, duke refuzuar ta njohë si të vrarë nga regjimi serb, mirëpo kjo as nuk e ç’bën e as nuk mund ta mohojë ekzistencën e pesë vjeçares rome.

Ju nuk do ishit duke lexuar këtë shkrim, e as unë nuk do e kisha shkruar atë nëse këtë rast nuk do e kishte zbuluar e publikuar publicisti dhe aktivisti i shoqërisë civile, Shkëlzen Gashi.

Ai reagoi mbi rastin publikisht duke u përgjigjur edhe se si e kishe zbuluar mospërfshirjen e Elizabeta Hasanit në pllakën përkujtimore duke thënë: “Duke hulumtu për fotografi, gjeta një fotografi shumë domethënëse nga fotografi i njohur i gazetës prestigjioze amerikane, Tylor Hicks. Aty shihet nje grua e vrarë, me gjasë janë tre persona të vrarë të gjinisë femërore, dhe shihej një fëmijë pesë vjeçar. Fëmija i ka flokët e shkurta, dhe Neë York Times thotë që është djalë. Mirëpo, nuk është djalë, është vajzë. Është Elizabeta Hasani. Edhe unë u shqetësova shumë pse nuk është emri i saj në pllakën përkujtimore që është ngritur nga Komuna e Mitrovicës, pa e fajësu askund komunën, se mund të jetë ndonjë gabim, mund të jetë krejtësisht e paqëllimshme’’, tha Gashi për Radio Kosovën në programin në gjuhën rome.

Me të njëjtin rast kishte folur edhe Besa Ismaili, atëbotë nga Komisioni per Drejtat e Njeriut ne Parlamentin e Republiken e Kosoves, si dhe deputete e PDK-së duke thënë se: “Nuk i di arsyet më të hershme pse nuk është futur emri i Elizabetës në pllakë. Por, ajo çfarë është me rëndësi është që emri i Elizabetës të thuhet dhe të mbahet mend në mënyrë të barabartë dhe të dinjitetshme sikur gjithë të tjerët. Ne, nuk bëjmë dallime mes viktimave. Përkundrazi, i nderojmë ata dhe e dënojmë agresorin që i ka shkaktuar gjithë këto viktima. Sigurisht që së bashku me aktivistët e shoqerisë civile, bashkëqytetarët e Mitrovicës dhe kolegët deputetë do t’i bëjmë me dije institucioneve për gabimin që kanë bërë’’, kishte thënë Ismaili e cila edhe vie nga qyteti i Mitrovicës.

Kushdo që pyetet për mos-përmendjen a shkrimin e emrit të pesë vjeçares në pllakë thotë se “ka qenë gabim”. E zëmë se ka qenë kështu, e nëse me të vërtetë ka qenë kështu, pse në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës kur prezantohet kjo masakër mund të gjenden vetëm gjashtë shqiptarët e vrarë?

Ky skandal shoqëror, të cilin shumë përgjegjës institucionalë paraprihen ta quajnë “gabim”, nuk përbën as rastin e parë e as të fundit kur fjalë bëhet për krimet e kryera gjatë luftës ndaj komuniteteve pakicë. Si tendencë e përgjithshme vërehet mospërmendja e viktimave të luftës të cilat nuk i kanë takuar etnisë shumicë me numrin më të madh të viktimave nga kjo luftë. Narrativa e përgjithshme mbizotëron mbi atë se qytetarët e etnive minoritare në Kosovë i kanë ndihmuar regjimit kriminal serb që kryejë krimet dhe terrorrin e ushtruar në territorin e Kosovës gjatë luftës së fundit. Kjo edhe qëndron si bazë e diskriminimit jo të paktë e evidentë që mbizotëron në Kosovë ndaj komuniteteve joshumicë.

Si epilog, ky “gabim” u “përmisua” dhe emri i Elizabetës u shkrua në pllakën përkujtimore të së ashtuquajturës masakër e tregut të gjelbërt të Mitrovicës. Megjithatë për të edhe sot e kësaj dite nuk flitet shumë, e po të mos ishte për një rastësi si ajo e hulumtimit të Shkëlzen Gashit, ne sot e kësaj dite nuk do kishim ditur a dëgjuar kurrë për ekzistencën a vdekjen e Elizabetës së vogël. Atë e kanë vrarë në mars të ‘99ës fizikisht, por ne e vramë për së dyti duke e mohuar ekzistencën e saj në rend të parë. Ne refuzuam ta njohim e shënojmë vdekjen e saj, e njëkohësisht faktin se ajo kishte ekzistuar dikur, duke mos e njohur kështu faktin se ajo ishte pjesë e jona e në mesin tonë ditën kur u gjend duke ecur në tregun e qytetit të saj, Mitrovicës.

Pas një zhurme publike me theks nga misionet ndërkombëtare në Kosovë emri i Elizabetës së vogël u vendos në pllakë përkujtimore. Çka mbetet e ditur është rasti i pesë vjeçares rome nuk iu është i vetmi dhe se shumë krime që janë bërë ndaj qytetarëve të komuniteteve boshnjak, rom, ashkali e egjiptas në Kosovë janë heshtur e për to as nuk është folur e as nuk është bërë aktivizëm qoftë politik e patriotik e aq më pak “human”. Kujtesa kolektive duhet t’i mbajë në mend emra e tyre, sepse ata ishin dhe do mbeten njerëz.

Shkroi: Hanmie Lohaj

Previous articleTIFAT E FOKULLIT SI MJETE DHE VIKTIMA
Next articleKUSH E INFLUENCON RININË KOSOVARE SOT?