MUAJ PAS LIBERALIZIMIT TË VIZAVE, A E KANË BRAKTISUR TË RINJTË?

Më 1 korrik do të jenë saktësisht shtatë muaj nga liberalizimi shumë i pritur i vizave për Kosovën. Pos një grumbulli pikëpamjesh, ndjenjash e pritshmërish rreth këtij liberalizimi, të shumta e thënë më saktë të panumërta kanë qenë raportet e parashikimet se të rinjtë e Kosovës në masë të madhe do e lënë vendin e tyre për të ikur në shtetet e Evropës për punë, e me gjasa të mëdha për të mos u kthyer më kurrë. Lajme e paralajmërime që thonin se 30% e të gjithë punëtorëve e 50% e të rinjëve do e lënë Kosovën brenda tre muajsh vërshuan mediat gjithandej. Alarmante ishin edhe thirrjet se ulja e konsumit do vërehej menjëherë. Megjithatë, deri më tani shifrat nuk e thonë këtë gjë, pos nëse shifrat tentohen të keqinterpretohen e manipulohen qëllimshëm.

Hibrid.info në shkurt doli me një publikim në të cilin gazetari Uran Haxha ndër të tjera lidhur me këtë çështje tha: “Ne si gazetarë e kemi pak problem ta parashikojmë se sa veta do të shkojnë dhe se a do të zbrapset Kosova. Liberalizimi i vizave përkoi me kohën kur mijëra mërgimtarë kthehen nga Kosova drejt shtëpive të tyre në Evropë pas pushimeve dimërore të kaluara në Kosovë. Çdo vit krijohet fluks udhëtimesh në këtë kohë e vlugu i udhëtarëve në aeroport është i jashtëzakonshëm, por kjo nuk i ndaloi disa nga mediat që t’i përdornin fotografitë e fluksit në aeroport se kosovarët po largohen nga Kosova”, theksoi Haxha.

Është e vërtetë që për një matje më koherente dhe për të nxjerrë konkluzione, shifrat duhen parë në periudha më të gjata dhe mund të presim deri në fund të vitit 2024. Megjithatë, këta pak muaj reflektojnë faktin që të rinjtë e Kosovës nuk e kanë braktisur vendin, të paktën jo në numrat ekstremë për të cilët flitet.

Historiani Asdren Shala për ikjen e deritanishme të të rinjëve, e cila mund edhe të mos quhet ikje domosdoshmërisht, pasi në bazë të statistikave një numër i madh i të rinjëve që gjenden jashtë janë jashtë për shkaqe të studimeve, fajin kryesor ia la qeverisë duke thënë se: “Çfarë ka ndodhur me pronën private dhe kapitalistët në Kosovë është që çdo ditë e më tepër po iu marrin njerëzve dinjitetin. Njerëzit ikin nga këtu për një shkolim më të mirë gjë që Kosova me asnjë politike arsimore prej paslufta nuk e ka siguru. Pra njerëzit kanë edhe shumë arsyje të tjera. Na s’kemi arsim, s’kemi shëndetësi, s’kemi infrastrukturë, s’kem asnjë rregull. “Qeveria duhet të bëjë diçka për këtë çështje”, ka thënë Shala.

Ai madje tha se qeverisë do i shkonte për shtati një skenar në të cilin të rinjtë e lënë Kosovën pasiqë “Qeverisë Kurti i konvenon largimi i qytetarëve” sepse sipas tij, “diaspora në votime gjykon me terma të përgjithshme”.

Ndonëse shifrat nuk tregojnë ikje masive të të rinjëve, evidente që nga liberalizimi i vizave është shuarja e lokaleve më të famshme të gastronomisë në kryeqytetin e Kosovës, faktorë të ndryshëm ndikojnë dhe përcaktojnë pasoja të caktuara në zhvillimin e ekonomisë në një vend të vogël si Kosova, megjithatë përhapja e lajmeve të paqena si në këtë rast nuk paraqet vetëm dezinformim por edhe ndikim në atmosferën e përgjithshme dhe përceptimin praktik të zhvillimit të jetesës dhe përditshmërisë sonë. Pakënaqësitë edhe mund të jenë, e në fakt janë të mëdha me mirëqenien e cilësinë e shërbimeve publike të shumë sferave në Kosovë, por ekziston edhe fenomeni afërsisë familjare, ku “zogu nuk e lë folenë”, ose “jo të gjithë zogjtë e lënë folenë dhe ndërtuesit e folesë, pra prindërit”. Pra, gjashtë nga dhjetë familje mund të kenë njërin fëmijë në mërgatë, por kjo e krijon shpeshherë stabilitetin optimal që fëmijët e tjerë të mund të zhvillojnë jetë në atdhe.

Ka edhe të tillë që mendojnë se është e shëndetshme dhe fitimprurëse mundësia e migrimit të paktën afatshkurtë, për shkak se për një rini të izoluar si kjo e jona do jetë një mundësi e reflektimit dhe të të parit të mënyrës së jetesës në diasporë dhe në “stilin evropian” në një formë shumë më pragmatike.

E cilido rast të jetë relevant, një gjë është e sigurt; Kosova nuk është zbrazur nga të rinjtë e saj, të paktën jo akoma.

Shkroi: Hanmie Lohaj

Previous articleNDIKIMI RUS NË KOSOVË: ÇKA THONË STUDIUESIT DHE ÇKA TË RINJ TË KËTIJ VENDI
Next articleKOSOVË: 25 VJET PAQE