Fotografi e Kuvendit të Kosovës/Foto nga arkivi
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt të 2025-ës. Në kohën që po flasim kanë kaluar hiç më pak se katër muaj që nga mbajtja e tyre, dhe më shumë se dy muaj e gjysmë kanë kaluar që nga çertifikimi i rezultateve të këtyre zgjedhjeve të cilat nxorën Lëvizjen Vetëvendosje si partinë fituese me 42,3% të votave të fituara. Që nga data e çertifikimit të rezultateve janë mbajtur 31 seanca në përpjekje për të konstituar kuvendin e Kosovës. 31 përpjekje. Rezultati? Kanë dështuar që të 31-tat. Pra, Kosova nuk ka të formuara institucione shtetërore që do mund të funksiononin në plotëni tash e katër muaj. Jo katër ditë, jo katër javë, por tash e katër muaj.
Përderisa shumica dërrmuese e atyre që janë duke e komentuar gjendjen aktuale të krizës evidente drejtojnë gishtin herë tek partia fituese e herë ato më pak të votuarat për pamundësinë e krijimit të një koalicioni qeverisës, ne biseduam me Besar Gërgin, hulumtues në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, i cili solli një këndvështrim ndryshe duke e komentuar mënyrën e strukturimit të kuvendit në parim, dhe duke theksuar se dy faktorë: vendet e ngrira të Listës Serbe në Kuvend (e cila tash e sa kohë nuk është pjesë e jetës politike e aq më pak e asaj parlamentare) dhe refuzimi i partisë së tretë më të votuar për të krijuar koalicion qoftë me partinë fituese ose me atë që ka dalur e dyta duhen konsideruar kur bie theksi tek shkaktarët e krizës institucionale në të cilën ndodhemi.
“Sistemi zgjedhor në Kosovë përcakton një parlament me 120 ulëse, por partitë shqiptare garojnë për 100. Pra, problemi i parë fillon në dizajn, kur partitë detyrohen të fitojnë 61 deputetë në mes të 100-ve. Kur kjo bëhet e pamundshme praktikisht, hyjnë në lojë koalicionet me përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë që i kanë 20 vende të garantuara. Tradicionalisht një parti që i ka fituar 41 ulëse ka qenë në gjendje të marrë përkrahjen e 20 deputetëve minoritarë për të formuar qeveri. Gjithsesi me krijimin e Listës Serbe pas Marrëveshjes së Brukselit, e sidomos kompromentimit të saj me pjesëmarrjen e nënkryetarit të saj në sulmin terrorist të Banjskës, koalicioni me nëntë deputetët e Listës Serbe konsiderohet radioaktiv. Prandaj, sot një parti apo koalicion shqiptar që mëton të formojë qeverinë, duhet të ketë 51 vota. LVV i ka vetëm 48 dhe thjesht injoron hapësirën prej tri votash dhe sillet sikur i ka ato. Numrat i ka teorikisht opozita e përbashkuar e cila i ka 52 deputetë marrë së bashku. Por kjo opozitë nuk është e bashkuar pasi partia e tretë, LDK — që është në pozitën e ‘king maker’ — refuzon ta luajë rolin e saj dhe nuk futet në asnjë koalicion. Kjo situatë, pra përjashtimi i Listës Serbe nga jeta politike si dhe refuzimi i LDK-së për të hyrë në cilindo koalicion, na ka sjellur në një situatë ku as LVV si fituese nominale nuk formon dot qeveri, por as PDK si partia e dytë nuk ka gjasa reale për të formuar një qeveri”, tha Gërgi.
Sa i përket një zgjidhjeje të mundshme ai u shpreh skeptik në do mund të prodhojnë zgjedhjet e parakohshme stabilitet politik për shkak të rezultateve potenciale të tyre në rast të mbajtjes.
“Zgjidhja po sillet mes qeverisë tranzicionale të propozuar nga LDK dhe zgjedhjeve të parakohshme. Sidoqoftë, me një LVV që e ka të vështirë të fitojë 51 deputetë, dhe me një opozitë të përçarë, zgjedhjet e reja pa marrë parasysh rezultatet e tyre, nuk kanë shumë të ngjarë të prodhojnë stabilitet”.
I pyetur për pasojat që kjo krizë politike po i sjellë Kosovës, ai përmendi ndër të tjera mos-ratifikimin e marrëveshjeve që Kosovës do i sillin qindra miliona euro, e të cilat në mungesën e një kuvendi të konstituuar nuk kanë si ratifikohen duke përmendur edhe imazhin ndërkombëtar të cilin Gërgi konsideron se nga ky ngërç po dëmtohet.
“Kosova tashmë nuk po i kryen dot disa nga obligimet e saja kryesore si shtet në rrafshin ndërkombëtar. Kuvendi i saj nuk e ratifikon dot marrëveshjen 883 millionë euroshe me BE-në, qeveria në detyrë nuk merr dot pjesë në negociata serioze në Bruksel me Serbinë. Një qeveri në detyrë me një kuvend jo funksional nuk mund të sigurojë përparim në aplikimin për anëtarësim në BE, KiE si dhe të hedhë ndonjë hap serioz ndaj NATO-s. Prandaj kjo po krijon imazhin e një shteti të brishtë, pa pjekuri politike nga udhëheqësit e saj. Duke marrë parasysh rrethanat sensitive nëpër të cilat u krijua shteti i Kosovës në 2008, kjo përforcon narrativat revizioniste se Kosova është shtet i dështuar. Prandaj mungesa e lidershipit po dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës, po e paralizon ekzekutivin dhe legjislativin e saj si dhe po varfëron qytetarët e thjeshtë”, përfundoi duke thënë hulumtuesi Gërgi për Perspektiva Plus.
Marjan Gjomarkaj, 24 vjeçar, student në përfundim të studimeve në departamentin e historisë të Universitetit të Prishtinës fajësoi opozitën për situatën e ndodhur: Kjo situatë nuk është parë ndonjëherë. Ama mendoj që opozita po tregohet jo konstruktive dhe bllokuese”.
Ndryshe nga Marjani mendon Tina, studente e vitit të dytë në drejtimin “Shkenca politike” në Universitetin e Prishtinës, e cila vlerëson se ka mungesë të dialogut të sinqertë dhe të përgjegjshëm prej të dy palëve; pozitës dhe opozitës dhe se më të prekurit, njëkohëisht më të dëmtuarit nga kjo situatë janë qytetarët e Kosovës.
“Atëherë mendoj se situata e bllokimit në kuvendin e Kosovës është reflektim i mungesës së dialogut të sinqertë dhe të përgjegjshëm në mes të pozitës dhe opozitës sepse shpesh herë këto dy role të rëndësishme në kuvend harrojnë se për çfarë janë të thirrur dhe se për çfarë janë të votuar në parlament, dhe kjo bllokadë po ndikon drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve sepse po vonohen ligje që janë për interesa të qytetarëve dhe interesat vetanake dhe ato të partiake po dalin para atyre të qytetarëve. Kuvendi duhet të jetë një vend i debatit konstruktiv ku njerëzit duhet të debatojnë se cili ligj është i duhur e cili jo për të mirën e këtij vendi dhe jo vend i pengesave dhe inateve politike. Në një vend të konfrontimeve të vazhdueshme duhet të krijohet një kulturë praktike ku edhe kritikat të vihen në funksion të përmisimit të qeverisjes, që tashmë po shihet se jemi shumë larg kësaj kulture demokratike”, tha Tina për Perspektivën.
Shkroi: Hanmie Lohaj