©Tjeerd Royaards (The Netherlands) – Cartoon Movement
“Udhëheqësit e së nesërmes”, siç quhen gjithmonë të rinjtë nga “udhëheqësit e sotëm”, del se u mohohet edukimi politik dhe njohuritë bazë për të. Çfarë mund të jetë më e rëndësishme për të ardhmen dhe të tashmen e shoqërisë sonë sesa vetëdija e gjeneratave më të zëshme për ngjarjet kryesore që ndikojnë përditshmërinë, mirëqenien dhe organizimin e jetës sonë? Asgjë. E megjithatë, të rinjtë kosovarë kanë pak interesim për politikën, me vetëm 19.3% që mendojnë se është e nevojshme dhe 2% që ndjehen të përfaqësuar nga politika në shtetin e tyre. Duke pasur parasysh përqindjen e konsiderueshme të popullsisë së përgjithshme të përfaqësuar nga të rinjtë, këto statistika janë edhe më alarmante për sa i përket efekteve të tyre. Ka një mospërputhje të theksuar mes deklaratave pompoze të bëra nga politikanët, veçanërisht gjatë fushatave elektorale, duke pohuar se të rinjtë janë e ardhmja e vendit dhe vëmendjes që këa u kushtojnë atyre. Kjo mospërputhje përkeqësohet nga fakti se më shumë se gjysma e popullsisë në Kosovë, në këtë rast rinia, përvetëson një qasje krejtësisht pasive, madje edhe apatike ndaj zhvillimeve të brendshme apo të jashtme të vendit, duke i parë këto ngjarje në një mënyrë mjaft sipërfaqësore. Dhe sipërfaqësore është pikëpamja e fundit nga e cila duhen parë këto procese, veçanërisht nga të rinjtë. Cikli i vazhdueshëm i shkakut dhe pasojës shpaloset në një mënyrë të thjeshtë: mungesa e ndërgjegjësimit politik midis brezave të rinj, të cilët jo vetëm janë pjesëmarrës jetik sot, por gjithashtu mbajnë të ardhmen në duart e tyre, do të çojë në një gjendje të informuar dobët ose jo të pajisur mjaftueshëm për të marrë vendime të duhura. Këto vendime janë të lidhura drejtpërdrejt me mirëqenien e tyre dhe çdo aspekt të jetës së tyre të ndikuar nga qeverisja për të cilën ata nënshkruajnë dhe propozimet e paraqitura atyre, duke përfshirë parimin themelor të demokracisë që mbetet më i rëndësishmi në diskursin politik.
Nxënësit në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës marrin pak ose aspak njohuri për proceset politike. Lënda e vetme e quajtur “edukatë qytetare” që synon të përfshijë edukim politik është e pamjaftueshme për t’u siguruar këtyre fëmijëve ndonjë kuptim themelor dhe përmbajtësor. Edhe kjo lëndë ligjërohet për një kohë relativisht të shkurtër dhe për shkak se tekstet nuk janë përditësuar, mungon qartësia dhe saktësia në shumë aspekte. Shumë studentë dhe të rinj pajtohen se atë që mendonin se duhej të kishin mësuar përpara se të mbushnin 18 vjeç, moshën e votimit, e mësuan vetëm më pas, nëpërmjet mediave sociale ose lajmeve të televizionit kombëtar. Pjesëmarrja e të rinjve në zgjedhjet në Kosovë nuk është e vogël; megjithatë, ky nuk është treguesi më i mirë i shkallës së tyre të edukimit politik, por se ata e shohin rolin e tyre në përcaktimin e së ardhmes ekskluzivisht përmes votimit. Atyre nuk u ofrohen mundësi aktive vendimmarrjeje apo pjesëmarrjeje brenda partive politike, siç dëshmohet nga fakti se mezi një në çdo dhjetë të rinj është i/e përfshirë në një parti politike. Kur përmenden partitë politike, problemi i angazhimit të ulët fokusohet në stimujt që motivojnë disa të rinj për t’u përfshirë, që zakonisht është punësimi përmes lidhjeve politike, gjë që bën që shumë të tjerë të hezitojnë të marrin pjesë vetë, e që lidhet me angazhimin e ulët të tyre edhe në protesta. Për shembull, të vetmet protesta me një numër më të madh pjesëmarrësish janë ato që mbahen si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së një gruaje tjetër nga partneri i tyre, gjë që nga ana tjetër bën që të mblidhen më shumë njerëz, ndërsa për çështje të tjera më pak “urgjente”, mobilizimi është shumë i ulët, duke rezultuar në diskutime politike ku marrin pjesë vetëm aktivistë të shoqërisë civile ose aktivistë të rinj të pavarur e të paktë.
Në anën tjetër, termi “dezinformim” përdoret shpesh në sferat publike të shoqërisë kosovare si nga mediat ashtu edhe nga organizatat joqeveritare. Prandaj, edukimi medial është një nga zgjidhjet që të gjithë kanë propozuar. Të rinjtë me të cilët biseduam për këtë pjesë thanë se fjala “arsimim apo edukim politik” është diçka që ata rrallë, për të mos thënë ndonjëherë, e përdornin më parë. Në përfundim të diskutimit, megjithatë, të gjithë ishin dakord se një strategji më e suksesshme për të luftuar dezinformimin dhe lajmet e rreme do të ishte përqendrimi i vëmendjes në rritjen e edukimit politik.
Anëtari/ja më i ri/e re për anëtarësim në partinë më të madhe politike të Kosovës, pra në Vetëvendosje, duhet të jetë gjashtëmbëdhjetë vjeç, ndërsa partitë e tjera kërkojnë që anëtarët e tyre të jenë së paku tetëmbëdhjetë vjeç. Krahasuar me partitë tjera politike, më e madhja, Vetëvendosje, ka një numër tejet të madh të të rinjve. Aktivizmi rinor është plotësisht i pakufizuar me Kushtetutën e Kosovës. Ish-kryeministri i Kosovës, Thaçi, është emëruar në këtë pozitë në moshën 31-vjeçare. Kryeministri aktual, Albin Kurti, ka qenë aktiv politik që kur ishte student. Presidentja Osmani ishte vetëm 39 vjeç kur u emërua presidente e Kosovës. Megjithatë, ka një hendek të madh në përfaqësimin e të rinjve në parlament.
Nga bllokadat e studentëve të universitetit kundër ngacmimeve seksuale të bëra ndaj studentëve vajza deri te demonstratat më të njohura studentore kundër regjimit të Millosheviçit në vitet ’90, aktivitetet e udhëhequra nga të rinjtë në Kosovë kanë qenë tradicionalisht lëvizje të udhëhequra nga studentët gjatë disa ngjarjeve historike dhe politike. Kosova është shtëpi e një numri të madh aktivistësh të rinj nga mosha 18 deri në 33 vjeç, të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në këtë fushë dhe vazhdojnë të shërbejnë si model për aktivizmin rinor.
Është koha që të rinjtë të ndalojnë së vendosuri për t’u bërë “e ardhmja e vendit tonë” dhe në vend të kësaj të marrin pjesë aktive në të tashmen, sepse e tashmja patjetër do të formësojë atë që na pret. Qasja më e madhe për t’u përfshirë më shumë është të jesh më i informuar, dhe kjo mund të ndryshohet duke rritur edukimin politik në shkollat e Kosovës, gjë që do të ndihmonte edhe në luftimin e dezinformimit. Për ta arritur këtë, ligjvënësit duhet të reformojnë kurrikulën e arsimit. Siç tha dikur John Adams, “Liria nuk mund të ruhet pa një njohuri të përgjithshme midis njerëzve, të cilët kanë të drejtë … dhe dëshirë për të ditur.” Protestat e udhëhequra nga studentët në Beograd janë shembulli më i qartë se si rinia mund të bëjë ndryshimin, sepse ne bëjmë më shumë sesa thjesht të bëjmë të mundur ndryshimin; ne jemi ndryshimi.
Hanmie Lohaj