KUSH E INFLUENCON RININË KOSOVARE SOT?

Disa nga figurat që kanë audiencë të madhe të rinisë kosovare

Edhe mund të ketë debat mbi atë se kush mund a duhet të quhet “influencer” sot e kush jo. Një lloj matjeje dhe vlerësimi pa dyshim se bëhet bazuar në koherencën dhe shtrirjen e atyre që konsiderohen të tillë, megjithatë aspekte të ndryshme të jetës kanë “superyjet” e vetë në Kosovë. Përshembull nga sfera e sportit “influencer” mund të konsiderohet dikush e nga ajo e politikës ose e artit dikush krejt tjetër, por sa interferojnë këta influencerë në fushën e preferencat e fushave të njëri-tjetrit përbën temë poashtu në vete. Perspektiva i ka listuar figurat, në mund të quhen figura, më me ndikim në fusha të ndryshme të jetës publike e shoqërore në Kosovë.

NË POLITIKË

Trofeun këtu padyshim e mban njëshi dhe i vetmi, ai që nuk ka pasur konkurentë për shumë vite tashmë, ai që ka qenë pretendent tejet serioz për këtë pozitë që nga një moshë shumë e re, që kur ka filluar aktivitetin e tij politik. Fjalë bëhet për kë tjetër pos për kryeministrin e vendit, Albin Kurtin. Ndikimi i tij është aq i madh saqë pavarësisht sa skandale dalin në pah për qeverisjen e tij, mbështetja e tij pos që qëndron stoike, veçsa shkon e rritet. Ai shihet si figurë rezistence, si figurë ndryshimi, si e bardha që dallohet nga e zeza, dhe me të zezë të rinjtë e qe besa shumica e popullatës kanë parasysh gjithçka dhe gjithkë tjetër që nuk e përkrah a është në anën e Kurtit. Pra, me fjalë të tjera influenceri mund të shihet si sinonim i Albin Kurtit e figura e Albin Kurtit si epitomë e ndikimit absolut për nga shtrirja dhe kohëzgjatja. Ndonëse për nga figurat e tjera në pozita udhëheqëse as për së afërmi nuk do mund të përmendej dikush tjetër pos Kurtit, figura e Vjosa Osmanit gjatë kohës së zgjedhjeve me të drejtë u pa si figurë me potencial për të qenë me influencë të madhe prapa vetes, megjithatë, ajo figurë e ndikimi që pati vdiq “sapo embrioni u bë fetus”, pra me bërjen e Vjosa Osmanit presidente, ndikimi i saj ra dukshëm pasi e njëjta nuk është se tentoi të dalë shumë nga figura e Kurtit edhe kur puna vinte tek vendimarrja e saj si presidente.

NË MEDIA

Dy emra vlejnë të përmenden kur puna vie tek studiot televizive dhe ata janë: Rron Gjinovci dhe Valon Syla, dhe të dytë janë si rezultat i promovimit të një figurive televizive me emrin Berat Buzhala, i cili për nga shikueshmëria i kalon të dy të lartpërmendurit. Buzhala i ka promovuar të dy figurat e mësipërme; edhe Gjinovcin e edhe Sylën. Gjinovci njihet për një anim nga pushteti anipse dallohet dukshëm se mund dhe është kritik edhe ndaj pushtetit të tanishëm, ndërsa Syla ka tendencë që më parë të mohojë ekzistencën e tij se të pranojë se qeveria Kurti mund të mos e ketë gabim në çdo gjë. Të gjithë këta emra janë tejet ekstremistë në opinionet e tyre, dhe roli kryesor në shoqëri i tyre është ai i opinionistit. Ndërsa kur flitet për gazetarinë tash e shumë vite trofeun e ka mbajtur Jeta Xharra nga BIRN Kosova, duke u parë kështu si figurë e palëkundshme e gazetarisë hulumtuese në Kosovë. Vullnet Krasniqi është gazetari që me të vërtetë ka thyer taboo dhe barriera si në mënyrën e asaj që prezanton gjatë punës së tij ashtu edhe në aspektin e asaj që ai përfaqëson. Figurat e mësipërme në baza ditore përballen me komente aq pozitive aq edhe negative duke mos lënë anash edhe kërcënimet që këta i kanë marrë me jetë.

NË SHOWBIZ

Reality-show i famshëm “Big Brother” është ai që për të dytin vit radhazi ka mbajtur rininë e Kosovës ngjitur për ekranin, aq sa me qindra e mijëra të rinj natën e finales së këtij reality show-i, ishin shfaqur në temperatura minus gjatë natës së 2 shkurtit të këtij viti duke bërë tifo e çka jo tjetër për të preferuarit e tyre. E kur flitet për të preferuarit e këtyre të rinjëve nga ky reality shoë, ata variojnë, dhe zakonisht nuk zgjasin për shumë gjatë, pra janë sezonalë anipse senzacionalë për aq sa zgjasin. Si përfundim një emision që zgjatë për tre muaj, përgjatë të cilëve 12 njerëz mbyllen në një hapësirë të mbyllur dhe janë të vëzhguar deri në momentet më intime nga kamera që i rrethojnë nga të gjitha anët. Si duket neve na pëlqen të shohim punët e të tjerëve dhe të bëjmë këtë gjë për shumë orë brenda ditës, çdo ditë. Dhe pikërisht këtë na ka ofruar ky reality show. Si influencerë të tjerë ka Kosova njihet si vend i origjinës për shumë blogere, vajza të reja e konvencionalisht të bukura. Njëra prej tyre, ose thënë më mirë më e njohura: Festa Qoqaj. Ajo njihet për stilin e saj të jetës, udhëtimet, format e trupit, vendosjen e grimit dhe të ngjashme. E di se mund të tingëllojë kufizuese, sidomos duke qenë se Festa është një vajzë në shoqërinë tonë, por kjo është për çka Festa njihet dhe festohet. Për nga këngëtaret, Dafina Zeqiri është poashtu më e famshja dhe ajo që i krijon trendet. Koncertet e këngëtarëve të Kosovës koncentrimin më të madh e kanë nga të rinjtë, gjë kjo që pashmangshëm reflekton ndikimin e tyre në këta të rinj. E kur trendet përmenden superstar-i botëror Dua Lipa pos që pëlqehet e adhurohet në botën mbarë, nga të rinjët kosovarë mbahet edhe më pranë zemrës duke qenë se ajo vie nga Kosova dhe nuk heziton ta përmend këtë fakt kudo që gjindet e ngado që shkon.

Turma që kishte dalur në mot të ftohtë për finalen e këtij reality show

Për fund, emëruesi i përbashkët që tërheq të rinjët kosovarë është paraja dhe fama tek figurat që këta ndjekin në rrjete sociale. Mbi të gjitha kjo e para: paraja dhe luksi, jo domosdo inovacioni e puna e madhe, por jeta dembele me privilegje e pushime të pafundme, vetura të shtrenjta, stoli ari, e villa të mëdha. Pak a shumë epsh për jetë perëndimore, në kushte ballkanase. Ah, se për pak harrova, interpretuesit e fesë islame janë poashtu shumë të dëgjuar e pëlqyer, por për këtë do mund të lexoni më shumë në shkrimet në vazhdim. Stay tuned!

Shkroi: Hanmie Lohaj

Previous articleELIZABETA HASANI: PESË VJEÇARJA QË U VRA DY HERË NË KOSOVË
Next articleVDES NJË I PESTË DHE QEVERIA INVESTON 20 HERË MË PAK