NDIKIMI RUS NË KOSOVË: ÇKA THONË STUDIUESIT DHE ÇKA TË RINJ TË KËTIJ VENDI

A ka ndikim rus në Kosovë, nëse po si shfaqet ky dhe ç’mund të thuhet për të dhe pasojat e tij në shtetin e Kosovës, cilat janë qëllimet e tij dhe sa janë të përforcuara këto kapacitete në arritjen e qëllimeve eventuale të tyre janë vetëm disa nga pyetjet të cilat Perspektiva Plus në Kosovë ka ngritur lidhur specifikisht me të ashtuquajturin ndikim rus në Kosovë dhe shtrirjen e tij.

Të rinjtë e Kosovës pranojnë se nuk ndjejnë të ketë ndikim rus në shtetin e tyre, studiesit thonë se ai nuk është i përqëndruar në Kosovë por ndaj Kosovës.

Elis Vllasi, Ph.D nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në raportin “NDIKIMI RUS NË KOSOVË NËN HIJET E MITIT DHE REALITETIT” kishte thënë se ndonëse Rusia ka qenë e pranishme në Kosovë kohë më parë, kjo nuk vlen tani dhe kjo jo domosdo me dëshirë të palës ruse.

Mungesa e ndikimit Rus në Kosovë nuk nënkupton mungesë interesi ose aftësie për të trazu. Rusia ka qenë e pranishme në Kosovë shumë kohë para se trupat ushtarake ruse ta okuponin Aeroportin e Prishtinës nën hijen e natës në qershor të vitit 1999. Në vitin 1903, “për të marrë informacion të vërtetë mbi vuajtjet e popullit serb” Rusia emëroi Gregori Stepanoviç Sherbina si konsull në Mitrovicë gjatë viteve të fundit të pranisë osmane në Ballkan”, kishte thënë Vllasi ndër të tjera.

Një prej shpjegimeve që Vllasi jep kur e përshkruan si të zbehtë dhe jo relevant është se në Kosovë nuk ka diasporë ruse dhe se Kosova është e vogël, e varfër dhe pa vlerë të shtuar strategjike.

Teksa është e kuptueshme pse Rusia zhvillon politika për kontrollin e zonave të populluara nga rusë etnikë në ish republikat Sovjetike ose e manipulon publikun perëndimor për avancimin e politikave të saja të jashtme dhe të sigurisë, rëndësia e Kosovës për politikën e jashtme të Rusisë të bën të mendohesh. Fundja, Kosova është e vogël, e varfër, pa ndonjë vlerë strategjike topografike, dhe pa diasporë ruse”, tha ndër të tjera Vllasi.

Ndonëse ndikimin rus në Kosovë e quajti të kufizuar studiuesi Vllasi pranoi se ai është i dëmshëm, dhe ndalimin e këtij ndikimi e quajti “të pamundur” për aq gjatë sa Serbia ushtron kontroll, siç e quajti ai, në pjesën veriore të Kosovës.

Bazuar në intervistat e kryera dhe njohuritë e disponueshme përmes burimeve të hapura, ndikimi rus në Kosovë është i kufizuar, por i dëmshëm. Në Kosovë, rusët nuk kanë dorë të lirë të bëjnë si të duan, marrë parasysh mjedisin armiqësor në të cilin veprojnë, kështu që shumica e aktiviteteve të tyre drejtohen në nivelin global. Ndalimi i plotë i ndikimit rus brenda Kosovës mund të jetë i pamundur për sa kohë që Serbia ushtron sovranitetin e saj mbi zonat me shumicë serbe, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës. Sidoqoftë, institucionet vendase dhe komuniteti ndërkombëtar mund ta zmbrapsin dhe frenojnë ndikimin armiqësor të Rusisë në vend duke zbatuar disa rekomandime”, përfundoi duke thënë Vllasi.

Jeta Loshaj, nga fondacioni “Friedrich Ebert” për Klan Kosovën para pak ditësh tha se synimi i Rusisë është që ta portretizojë Kosovën si projekt të dështuar të Perëndimit si dhe se ky ndikim nuk është në Kosovë aq sa është ndaj Kosovës.

Nëse flasim për Kosovën, nuk mund të themi se ka akterë lokalë që ia mundësojnë Rusisë hapësirën për të ushtruar ndikimin e saj, në hulumtimin tonë kemi konstatuar se qasja e Rusisë, apo ndikimi i Rusisë në Kosovë nuk është që ekziston në Kosovë, por është më shumë ndaj Kosovës, për shkak se synimi i Rusisë është në njëlloj lufte me Perëndimin, duke u munduar që ta portretizojë Kosovën si një projekt të dështuar të Perëndimit”, u shpreh Loshaj.

Nga bashkëbisedimi që Perspektiva Plus ka zhvilluar me të rinj në Kosovë, me theks shqiptarë, mund të thuhet se ata e shohin si inekzistent një ndikim të tillë në Kosovë, anipse një pjesë e mirë thonë se sapo përmendet ndikimi rus si tog-fjalësh mendja ju shkon vetëm te shteti fqinj, Serbia, sidomos kur flitet për Ballkanin Perëndimor dhe në mos Serbia, serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

Shkroi: Hanmie Lohaj

Previous articleALMIRA DO MË SHUMË
Next articleMUAJ PAS LIBERALIZIMIT TË VIZAVE, A E KANË BRAKTISUR TË RINJTË?