SI TRI INSTITUCIONE SHTETËRORE DËSHTUAN T’U OFRONIN SIGURI DY NXËNËSVE BOSHNJAKË NË KOSOVË

Në anën e majtë: udhëheqësit e shkollës “Xhemajl Kada”, në anën e djathtë: prindërit e fëmijëve të rrahur, sipas tyre

Më 13 shtator të vitit 2023, në Pejë, në rrugën e shkollës së tyre dy fëmijë boshnjakë të klasës së tetë rrihen dhe sulmohen nga gjithsej shtatë nxënës shqiptarë të po së njëjtës shkollë, me shkas refuzimin e dhënies së ca parave nga ana e fëmijëve boshnjakë. Mirëpo ngjarja si e tillë, nuk është fenomeni kyç i trajtuar në gjetjet e emisionit hulumtues “Betimi për Drejtësi”. Sipas këtyre gjetjeve trekëndëshi shkollë-polici-prokurori dështojnë të mirren me rastin në mënyrë profesionale dhe të dinjitetshme, duke bërë kështu një sërë shkelje procedurale dhe etike.

 

Kur prindërit e fëmijëve të rrahur i dërgojnë fëmijët e tyre në stacionin e policisë në Pejë, zyrtarët policorë i maltretojnë dy fëmijët boshnjakë me pritje të gjatë për të dhënë deklarimet rreth ngjarjes dhe nuk u sigurojnë mjet të udhëtimit për ekzaminim mjekësor. Fëmijët i dërgon në spital nëna e fëmijës E.H. Prokuroria nuk jep përgjigje në ka arritur apo jo t’i sigurojë pamjet e sigurisë, rasti nuk del në raportin 24-orësh të policisë në asnjërën prej ditëve të asaj jave ose javës pasuese, rasti i delegohet një polici tjetër me shumë vonesë pa dhënë arsye mbi këtë delegim.

Drejtori i shkollës “Xhemajl Kada”, Sylë Peli shkollë në të cilën vijojnë mësimin të gjithë nxënësit e përfshirë në rrahje, nuk heziton t’i quajë ekskluzivisht dhe t’i etiketojë disa herë nxënësit boshnjakë si “problematikë”, e i cili kur pyetet për të ofruar prova që mbështesin këtë klasifikim nuk jep asnjë të tillë. Drejtori poashtu, thënë butë, aludon se nxënësit kanë ikur prej orëve të mësimit kur ka ndodhur rasti dhe se rrahja ka ndodhur pas përfundimit të mësimit anipse raporti i policit hetues përkatës tregon se rasti ka ndodhur gjatë pushimit të gjatë. Prindërit e fëmijëve të rrahur qëndrojnë të bindur se nëse fëmijët e tyre nuk do t’i takonin një komuniteti pakicë, ashtu siç është komuniteti boshnjak në Kosovë, të njëjtit do të trajtoheshin pa u neglizhuar e diskriminuar dhe se drejtësia për fëmijët e tyre është vonuar.

Rrahja e dy nxënësve të një shkolle nga të tjerë nxënës mund të tingëllojë si një rrahje tipike ku të përfshirë ka nxënës të së njëjtës shkollë pa ndonjë prapavijë apo motiv etnik të përfshirë, dhe kjo edhe mund të qëndrojë, mirëpo pretendimet e prindërve të dy fëmijëve të rrahur ngriten jo mbi fëmijët që kanë shkaktuar e nxitur rrahjen por mbi atë se sipas tyre ka pasur lëshime, shkelje e neglizhenca evidente të bëra nga ana e stacionit policor të Pejës dhe punonjësve aty, pasiqë Nadija Agovic dhe Ahmed Sijaric, prindër të dy fëmijëve të rrahur boshnjakë, thonë se përveçëse në këtë stacion fëmijët lihen të presin për afro më shumë se katër orë në korridor, atyre nuk u është siguruar fare veturë zyrtare për t’i dërguar për ekzaminim mjekësor dhe se u është dashur të presin deri në përfundimin e ndërrimit përkatës në mënyrë që të mirren në pyetje. Nëna Agovic-Hodzic thotë se i është dashur t’i dërgojë e kthejë fëmijët nga spitali në stacion policor me veturë të sajën.

Kemi pritë në korridor në stacion, prej orës nja deri tre, në këtë kohë fëmija ka shku dy-tre herë në tualet të policisë me qitë ujë të ftohtë në ftyrë, nuk kanë qenë mirë me shnet, kanë qenë me lëndime trupore”, tha Agovic.

Nadija Agovic, nëna e njërit prej fëmijëve të rrahur/Fotoja e marrë nga emisioni i “Betimi për Drejtësi”

U kam thanë duhet me e gjetë një patrollë me e qu fëmijën për ekzaminim mjekësor se s’osht bash mirë. As nuk ka gjetë veturë as nuk ka gjetë far zyre me u qetësu fëmija. Ka qenë me lëndime dhe nervozë, janë tut me këtë situatë. Kena pritë në korridor deri në ora 3, me propozim temin kom thanë une po du me e marrë fëmijët e me i qu me veturë timen private në spital. S’osht mirë me shnet. Kemi marrë fëmijët unë me babën e viktimës së dytë. Kemi shku në spital për ekzaminim mjekësor, apet kur kemi përfundu jemi kthy në stacionin policor të Pejës, unë kom mendu po don me u merr dikush me këtë rast, kemi vazhdu me pritë deri në 4:20, njëjtë në korridor në stacionin policor të Pejës, s’kanë gjetë apet një vend me i ulë, me u qetësu pak fëmija”, vazhdoi duke thënë Agovic për emisionin hulumtues të kryer nga Betimi për Drejtësi.

Prindërit e fëmijëve kanë përmendur emra kur pretendojnë për çdo shkelje që ata konsiderojnë se është bërë. Ekipi i “Betimi për Drejtësi” ka pyetur secilin prej emrave të dhënë nga prindërit për pretendimet e bëra, por të gjithë kanë refuzuar të përgjigjen lidhur me rastin apo t’i përgjigjet pretendimeve të tilla me arsyetimin se meqenëse rasti përfshin palë të vogla, ata nuk mund të japin detaje përveç policit hetues Kastriot Kasapi, i cili pranon se e ka marrë shumë vonë çështjen dhe se kur ka shkuar për të kërkuar pamjet e sigurisë.

Polici Kastriot Kastrati kishte pranuar se rastin e ka marrë me shumë vonë, duke e nënvizuar këtë gjë disa herë me fjalët: “Unë e kam marrë rastin me shumë vonesë, me shumë vonesë, jo me vonesë po me shumë vonesë. Jam tu i ba përpjekjet e mia që me e identifiku naj veprim shtesë që duhet me e marrë edhe mos me lon kurgjo mangut. Qekjo osht idealja”, kishte thënë ai.

I njëjti medium në Kosovë tha se për rastin kanë tentuar të marrin përgjigje edhe nga zyra për informim policor në Pejë dhe nga Prokuroria Themelore e Pejës, por pa asnjë rezultat.

Prindi i fëmijes Sijaric, Ahmed Sijaric, thotë se ndonëse janë interesuar edhe vetë si prindër për tu siguruar se pamjet e sigurisë kanë ekzistuar, askush nuk ka shkuar t’i marri ato me kohë dhe se vonesa për t’i kërkuar këto pamje ata që kanë çasje në to, pra zyrtarët e autorizuar, ka qenë e qëllimshme, meqë sipas tij ata nuk i kanë kërkuar ato, të paktën jo në kohë.

Ju kam prezentuar drejtorit të shkollës dhe i kam thënë jam në të njëjtin profesion, punoj në arsim dhe ne përpara shkollës kemi kamera, jashtë dhe brenda dhe ju kam thënë ju lutem lëshoni kamerat dhe do mund ta shikoni se cilët fëmijë kanë qenë. Ka thënë kamerat nuk punojnë dhe ky ka qenë fundi i bisedës. Nana e Hodzic, Nadija, ka shkuar në Marketin Delta, dhe ka pyetur, ata i kanë thënë se kamerat e tyre punojnë por këto mund tua japin njerzëve zyrtarë me kërkesë të tyren. Epo u zvarrit shtatë deri në 10 ditë dhe ata, një shkollë dhe një market, thanë se janë fshirë regjistrimet, Edhe shkolla edhe marketi kanë thënë se pamjet/inqizimet janë fshirë. Në resever shënohet data, koha dhe ora dhe shihet se a është fëmija yt apo jo. Megjithëse ka pasur dikush interes që këto inqizime të fshihen, t’i fshehë, t’i eleminojë”, tha Sijaric.

Ahmed Sijaric, the parent of the other Bosniak child, allegedly beaten in the beating/ Credits: Betimi per Drejtesi

Njëanëshmëria e drejtorit të shkollës “Xhemajl Kada” nuk përfundon me kaq, ai insiston përgjatë tërë intervistës se nxënësit boshnjakë kanë qenë problematikë medoemos, se ata kanë përdorur fjalë jo të hijshme kur nuk kanë pranuar tu japin para nxënësve shqiptarë, anipse në raportin informues të policit hetues Abedin Krasniqin asnjëra nga këto nuk thuhet. Për më tepër kur i kërkohet të ofrojë dëshmi evidente mbi atë në janë nxënësit boshnjakë të rastit të cilët vazhdimisht i cilëson si problematikë dhe jo të rregulltë, Peli nuk pranon të ofrojë prova pasiqë kur sfidohet me pyetjen se a mund të ketë ekipi i “Betimit për Drejtësi” qasje në ndonjë dëshmi që e vërtetojnë konstatimin e tij, ai duke belbëzuar thotë se ditën përkatëse kjo nuk do të jetë e mundur për arsye krejtësisht irrelevante. Duke nënvizuar se të qenurit apo jo problematikë nuk e bënë aktin e ushtrimit të dhunës mbi dikë të justifikueshëm e as të pranueshëm, ky konstatim i pabazë i drejtorit vetëm forcon qasjen e njëanëshme dhe etiketuese të tij ndaj njërës palë të përfshirë në rast.

Por rasti që ka ndodhë aspak nuk kanë qenë ma të diciplinum fëmija e paraleles së gjuhës boshnjake edhe ata kanë qenë të kësaj kategorie, problematika, kanë disa vërejtje. Fëmija si fëmijë përlahen mes veti e të gjitha ato, por aty nuk ka qenë një ekces aq dramatik”, kishte thënë drejtori Peli.

Drejtori Peli gjithashtu supozon gabimisht se nxënësit boshnjakë ikën nga orët e mësimit dhe për pasojë kishte ndodhur përleshja, që do të thotë se ata supozohej të ishin në shkollë por ishin jashtë. Sipas raportit të policisë, rrahja ka ndodhur gjatë pushimit të gjatë të shkollës. Ky supozim, edhe pse i pasaktë në natyrë, ishte, për të thënë të më të paktën, i papërshtatshëm dhe i gënjeshtërt.

Dyshimi jem mundet me qenë nashta edhe kanë ikë prej orëve krejt”, kishte thënë Peli.

Sylë Peli, drejtor i shkollës fillore në Pejë “Xhemajl Kada”/ Fotoja e marrë nga emisioni i “Betimi për Drejtësi”

Drejtori Peli ka pranuar se nuk ka qenë i pranishëm ditën që ka ndodhur ngjarja, çka automatikisht i bartë përgjegjësitë për shkollën si institucion tek zëvendësdrejtoresha e shkollës, Jehona Nallbani.

E pyetur se kur kanë ardhur zyrtarët hetues ose policorë t’i kërkojnë kamerat, zëvendësdrejtoresha Nallbani bënë një koment të habitshëm, duke refuzuar fillimisht të komentojnë në kanë ardhur apo jo policët për t’i kërkuar pamjet e sigurisë dhe duke lëvduar punën e policëve dhe duke thënë se nuk e di nëse i kanë kërkuar apo jo këto pamje, anipse pranon se nëse do i kërkonin prej dikujt do duhej t’i kërkonin prej saj me rastin e mospranisë së drejtorit.

Zëvendësdrejtoresha e “Xhemajl Kada”, Jehona Nallbani/ Fotoja e marrë nga emisioni i “Betimi për Drejtësi”

 

Gazetarja: Ata a i kanë kërku kamerat?

Zv.drejtoresha: Edhe ata e kanë kry punën e vetë mas miri, i kanë mbledhë të gjitha të dhanat.

Gazetarja: Mirë, të dhanat i kanë mbledhë po kamerat a i kanë kërku? Pamjet e sigurisë a i kanë kërku?

Zv.drejtoresha: Nuk e di

Gazetarja: Nuk e din? Nëse kanë pasë me i kërku pamjet e sigurisë prej kujt kanë pasë me i kërku?

Zv.drejtoresha: Po, kamerat janë në zyre te drejtori, prej meje ose prej drejtorit.

Meqë drejtori konfirmoi se ai nuk ishte në shkollë në ditën që ndodhi rasti dhe ditët më pas, mund të thuhet me siguri se zyrtarët nga policia apo prokuroria nuk kishin shkuar për të kërkuar kamerat e sigurisë; pasiqë, zëvendësdrejtoresh Nallbani nuk e konfirmoi këtë gjë edhe pasiqë u pyet drejtpërsëdrejti.

Si epilog, kuptojmë se ka qenë zëvendës-drejtoresha ajo që ka qenë në krye të detyrës në ditën e ngjarjes, si pasojë e shkuarjes në pushime të drejtorit në mes të shtatorit. Mospërputhja e deklaratave të drejtorit dhe të zëvendëses është aboslute. Drejtori i pyetur rreth asaj se a i ka shikuar zëvendësdrejtoresha kamerat lidhur me pretendimet e prindërve se rrahja e fëmijëve të tyre ka vazhduar deri në shkollë, ai thotë jo, ndërsa zëvendësdrejtoresha Jehonë thotë po.

Drejtori i pyetur nëse i kishte shikuar kamerat zëvendësdrejtoresha Jehonë, kishte thënë se zëvendësdrejtoresha nuk i kishte shikuar.

Gazetarja: E zëvendësdrejtoresha Jehonë pse nuk i ka kqyrë [kamerat]? Apo i ka kqyrë e nuk i ka rujtë?

Drejtori: Ja s’i ka kqyrë, nuk i ka kqyrë se… po t’tham de rasti kur ka ndodhë ato, janë marrë policia na masnej nuk kishim vazhdu

Ndërkohë gazetarja e kishte pyetur edhe zëvendësdrejtoreshën në i kishte shikuar kamerat ose jo. E njëjta thotë se po.

Gazetarja: Kamerat thatë se i keni shiku?

Zv.drejtoresha: Po.

 

Shkolla “Xhemajl Kada” është shkolla me më së shumti nxënës të komuniteteve minoritare në Pejë, dhe një ndër shkollat me më së shumti diversitet për nga numri i komuniteteve etnike në Kosovë. Këtu tradicionalisht kanë vijuar mësimet nxënës të komuniteteve rom, ashkali, egjiptas, dhe boshnjak. Kjo shkollë sipas statistikave të prezantuara nga drejtori i po të njëjtës, Sylë Peli, ka gjithsej 1219 nxënës në total prej të cilëve 51 janë romë, 16 ashkali, 67 egjiptas e 87 nxënës boshnjakë respektivisht në paralelet boshnjake, si dhe 47 nxënës të komuniteteve rom, ashkali e egjiptas janë pjesë e mësimit intensiv. E pavarësisht këtyre numrave, Perspektive mëson se diskriminimi është jo pak i pranishëm me theks të veçantë nga lart, pra nga vetë krerët e këtij institucioni arsimor. Ky diskriminim ka rezultuar në uljen e numrit të nxënësve nga këto komunitete joshumicë në këtë shkollë. I kontaktuar nga Perspektiva, drejtori Peli e konfirmon këtë duke thënë se:

Për momentin sipas statistikave është tu ra për çdo vit, është tu ra numri i nxënësve nëpër paralele boshnjake, prej klasës së parafillore, pra 0 deri në klasën e nëntë i kemi gjithsej 87 nxënës, ndërsa komunitetit rom, egjiptas dhe ashkali i kemi 181”, tha Peli.

Drejtori ka thënë se ka liruar nga shkolla për një javë nxënësit shqiptarë që dyshohet se kanë rrahur fëmijët boshnjakë. Prindërit e fëmijëve boshnjakë thonë se kjo nuk ka ndodhur kurrë. Drejtori i shkollës ka refuzuar të japë asnjë dokument apo shkresë zyrtare që tregon se një gjë e tillë ka ndodhur. Duhet thënë se sipas rregullores në Kosovë, kur një nxënës ngacmon një nxënës tjetër, ai duhet të largohet nga shkolla nga një deri në tre muaj; megjithatë, drejtori Peli thotë se i largoi për një javë nxënësit shqiptarë të përfshirë në këtë rast; prandaj, siç tha ai, “Nuk mund të bëja asgjë tjetër; këto ishin të gjitha kompetencat e mia”.

Ka kaluar më shumë se një muaj nga publikimi i këtyre gjetjeve nga Betimi për Drejtesi. Perspektiva ka kontaktuar me prindërit e dy nxënësve boshnjakë, të cilët thonë se nuk është bërë asgjë për rastin në të cilin janë përfshirë fëmijët e tyre. Perspektiva ka tentuar të kontaktojë me ato institucione, por asnjë nuk është përgjigjur, duke refuzuar të flasë për atë që (nuk) kanë bërë. Nadija Agovic, si nënë dhe qytetare e Kosovës, thotë se me të vërtetë beson se nëse fëmija i saj nuk do të ishte boshnjak, ai dhe rasti i tij do të trajtoheshin ndryshe.

Previous articlePSE PO NE DISKRIMINONI?
Next articleJAVA E FUNDIT E NËNTORIT NË KOSOVË, JAVË TRAGJIKE!