JAVA E FUNDIT E NËNTORIT NË KOSOVË, JAVË TRAGJIKE!

Edhe sa gra të vrara?

Shkruan: Hanmie Lohaj

Java e fundit e nëntorit të 2023-tës rezultoi të jetë javë me ngjarje tragjike për shoqërinë kosovare dhe vajzat e gratë që jetojnë në të e janë pjesë e saj. Një polic u arrestua me akuzën se përdhunoi një vajzë shtatëmbëdhjetë vjeçare. Një grua kishte pasur lindje të parakohshme dhe kishte denoncuar në polici burrin e saj me pretendimin se ai e kishte dhunuar e maltretuar fizikisht e psiqikisht. Një grua tjetër e cila sapo kishte mbushur të 30-at u vra mizorisht nga vrasës me pagesë të porositur për të kryer aktin nga vetë burri i saj me të cilin kishte dy fëmijë e me po të cilin jetonte tash e 13 vite. Emri i saj ishte Liridona Ademaj, ajo sapo ishte kthyer nga Suedia bashkë me fëmijët dhe të burrin. Të njëjtit sapo kishin blerë shtëpi në Prishtinë e ishin shpërngulur në të.

Natën e 29 nëntorit u raportua për një grua të vrarë. Sipas raportit të policisë të bazuar në intervistën e dhënë nga burri i saj, Naim Murseli, çifti, pra burri dhe gruaja kishin qenë duke udhëtuar me makinë së bashku me dy djemtë e tyre, njëri katër dhe tjetri pesë vjeç kur përpara u kishin dalur në pritë grabitës të cilët u kishin kërkuar të gjitha paratë dhe stolitë të cilat i kishin pasur. Naim Murseli, burri i viktimës kishte thënë se kishte hapur dyert e makinës dhe se u kishte thënë dy djemëve të tyre që të dilnin nga makina dhe se me të vrapuar disa metra nga makina kishin dëgjuar të shtëna të cilat e kishin lënë të vrarë gruan e Murselit dhe nënën e dy fëmijëve të vegjël. Murseli kishte thënë se dera e makinës nga ana e saj nuk ishte hapur.

Me të kaluar dy ditë u organizua varrimi i 30 vjeçares në fshatin e lindjes së burrit të saj. Pjesëmarrësit në ceremoninë e vorrimit ishin të shumtë. Ndër të tjerë pjesëmarrës në varrim priti e përcolli edhe bashkëshorti i saj, Naimi, së bashku me familjarë të tij dhe të së ndjerës. Më pak se një ditë pas varrimit të Liridonës, Policia e Kosovës njoftoi se kishte arrestuar dy persona: dorasin, Granit Plavën dhe burrin e saj Naim Murselin si të dyshuar për porositje të vrasjes. Sipas atij që kishte vrarë Liridonën me armë zjarri kishte qenë vetë burri i Liridonës ai që e kishte porositur vrasjen e saj duke i premtuar kështu 30 mijë euro dorasit, pra Granit Plavës për t’ia vrarë gruan. Nuk kalojnë shumë orë dhe Naim Murseli e pranon porositjen e vrasjes së gruas së tij.

Në foto shihen Liridona Ademaj, dhe personat e akuzuar për vrasjen e saj. Burri i saj në mes, ai që e qëlloi në të djathtë dhe pjesëtari i FSK-së që dyshohet se i prezantoi të dy

Naim Murseli, pra burri i gruas së vrarë nuk është figurë jo e njohur në Kosovë, përkundrazi ai ka shërbyer si këshilltar i ish-ministrit të punëve të jashtme dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Behgjet Pacollit. Murseli njihet edhe si biznesmen në Kosovë dhe jashtë saj. Motivet që e shtynë drejt porositjes së vrasjes së gruas së tij e më pas edhe inseknimit të rastit si grabitje me pasojë vrasjen, ende nuk janë bërë të ditura. Megjithatë spekulimet thonë se Murseli mund ta ketë bërë këtë gjë me qëllim përfitimin e sigurimit të cilin e kishte pasur gruaja e tij si nënshtetase suedeze. Sipas këtyre të thënave, nëse ndonjë fatkeqësi i ndodhë ndonjërit prind, prindi tjetër merr një shumë marramendëse nga siguracionet për t’u kujdesur e rritur fëmijët. Këto aludime nuk janë pranuar akoma nga pala e akuzuar.

Naim Murseli i fotografuar me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiq

Behgjet Pacolli me ish-këshilltarin e tij, Naim Murselin, bashkëshortin dhe porositësin e dyshuar të vrasjes së Liridona Ademajt

Foto e Liridona Ademajt, gruaja që dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj duke mbajtur në duar dy fëmijët e tyre (djemtë)

Ajo që flet edhe më shumë për fenomenin e vrasjes së grave në Kosovë është se sipas burimeve të mediumeve lokale në Kosovë i përfshirë në rast është edhe një pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës Kushtrim Kokalla, njëkohësisht nipi i Naim Murselit, i cili dyshohet të ketë qenë i implikuar në kryerjen e kësaj vrasjeje makabër që tronditi Kosovën dhe rajonin.

Pas raportimeve se Murseli kishte qenë ai që e kishte porositur dhe paguar për vrasjen e gruas së tij, familja e Liridonës kanë kërkuar zhvarrosjen e menjëhershme nga institucionet përkatëse duke u shprehur mëse të shokuar me atë epilogun në sipër të humbjen së motrës e bijës së tyre.

Reagim mbi rastin shokues pati nga krerët e shtetit dhe të gjitha figurat udhëheqëse, duke filluar nga Presidentja e cila e quajti vrasjen e Liridonës “krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”, ndonëse nuk e specifikoi se cka vlerëson me “dënim të merituar” e deri tek kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se “Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua. Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë. Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.”

Aktivistja feministe Anita Mjeku, reagoi ndaj këtij shkrimi duke e cilësuar reagimin e kryeministrit Kurti sikur të kishte qenë aktivist dhe jo politikëbërës: “Edhe nji reagim tjetër i kryeministrit, si me qenë aktivist e pa asnji përgjegjësi institucionale. Allo kryeministër, kfillu!”, u shpreh Mjeku, përcjell Perspektiva.

Reagime të shumta kanë ardhur nga qytetarë e qytetare të cilët kanë kërkuar që Liridona Ademajt të mos ju referohet edhe me mbiemrin e burrit, pra jo të shkruhet si “Liridona Ademaj Murseli”, por vetëm si Liridona Ademaj.

Vëllai i Liridonës, Leonardi, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës tha se fëmijët e Liridonës akoma nuk e dijnë që nëna e tyre nuk jeton më, dhe se djali i vogël i saj i kishte thënë se “nënën e kemi harruar në veturë kur kemi ikur nga hajnat”.

Pas raportimit se porositësi i vrasjes së Liridonës kishte qenë vetë dhëndrri i familjes Murseli, mediat shpërndan lajmin e rremë se familja Ademaj do hakmirrej ndaj asaj Murseli, me titujt “Familja Ademaj u jep dy ditë bese asaj Murseli”. E gjithë kjo u rrëzua poshtë nga vëllai i Liridonës i cili tha se “Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet”.

Babai i Naim Murselit, u shpreh se është i shokuar nga ajo se djali i tij e ka bërë këtë krim dhe se “Me pasë ditë që e ka bo djali jem, isha hakmarrë vetë – sot s’do ishte gjallë”.

Femicidi në Kosovë nuk është asgjë e re, mbi 50 gra janë vrarë nga burrat e tyre vetëm gjatë periudhës 2010-2022. Tash një vit, pra gjatë nëntorit të vitit 2022 dy gra ishin vrarë në mënyrë barbare e mizore nga pikërisht bashkëshortët e tyre. Njëra 64 vjeçare ishte coptuar me sopatë gjatë natës, sa ishte në gjumë, nga burri i saj e tjetra, e quajtur Hamide Magashi, ishte vrarë me armë zjarri para Klinikës së Gjinekologjisë pak orë para se të lindte djalin e saj, pra kishte qenë nëntë muajshe shtatëzënë, dhe ishte vrarë me një mori plumbash.

Kryeministri Kurti në atë kohë kishte dalë me një shkrim tejet frustrues për publikun, në të cilin ndër të tjera kishte thënë:

Dy engjëj në qiellin e pistë. Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, kishte shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Postimi i Albin Kurtit në Facebook lidhur e dy grave në Kosovë

Është e pabesueshme se si mund të mendojë kryeministri i Kosovës atë që po mendojnë “armiqtë e Kosovës” edhe në një situatë si kjo.

Tash një vit pas këtij deklarimi, gjendja e grave në Kosovë nuk është aspak më e mirë.

Në të majtë Hamide Magashi dhe në të djathtë bashkëshorti i saj Sokol Haliti i cili e vrau atë

Njohësi i çështjeve sociale, Agon Maliqi, fajin pos institucioneve të larta shtetërore, ia vuri edhe familjes dhe mënyrës së rritjes së djemve në shoqërinë kosovare, me theks asaj që ne prodhojmë në përditshmëri si shoqëri.

Ai tha se “Familja mesatare kosovare i edukon dhe lazdron tmerrësisht keq djemtë prej djepit e deri në moshë të rritur. Rezultati është një masë e madhe bolesh predatore të cilët, duke qenë të paaftë, dinë të jetojnë vetëm në kurriz të të tjerëve – kryesisht në kurriz të grave – dhe janë në flirt të përhershëm me dhunën dhe krimin. Shumë punë e lehtë është me u marrë me rastet e tilla ekstreme dhe me u distancu prej këtij Murselit, duke e leçitë si fenomen të izoluar apo si çështje të shëndetit mendor, dhe me e injoru dhunën dhe cubllëkun që sundon në përditshmëri dhe që e ka normalizu krimin. Cubllëku i këtij niveli operon brenda një ekosistemi kulturor i cili normalizon dhe prodhon Murselë çdo ditë në familije, në kafe, në politikë, në ekrane televizive”, shtoi Maliqi.

Më 4 dhjetor u mbajtë seanca e parë dëgjimore e të arrestuarve të dyshuar për përfshirje në rast. Të tre, pra dorasi, bashkëshorti i viktimës dhe pjesëtari i FSK-së, u dërguan në mënyrë të fshehtë, pra nga një hyrje dytësore në dhomat e gjykatës. Aty u panë aktiviste me pankartë në dorë e cila thoshte se “NUK KA PAQE PA SIGURINË E GRAVE”.

Aktivistet që protestojnë ndërsa të akuzuarit për vrasjen e Liridonës vazhdojnë në seancën e tyre të parë gjyqësore

Muaji nëntor është shënuar si muaji gjatë të cilit Ministria e Drejtësisë në përkrahje të Qeverisë së Kosovës organizon “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”. Është pikërisht ky muaj, pra nëntori që shënon pikun e vrasjes së grave dhe vajzave nga anëtarët burra të familjeve të tyre. Një vajzë 18 vjeçare nga Ferizaj ishte përdhunuar e rrahur për javë të tëra e mbyllur në banesë nga bashkëshorti i saj Dardan Krivaqa dhe shoku i tij Arbër Sejdiu. E njëjta kishte ndërruar jetë nga dhuna dhe torturat e panumërta fizike të cilat ia kishte shkaktuar burri i saj 29 vjecar. Avokati i familjes së të ndjerës, Gazmend Osmani kishte thënë se vrasja e saj kishte qenë e ngadaltë dhe torturuese duke e quajtur kështu si vrasjen më mizore në Kosovë që nga paslufta e ’99-ës.

Marigona Osmani, e vrarë nga bashkëshorti dhe shoku i tij në moshën 18-vjeçare

Edhe sa gra do vdesin, edhe sa jetë të humbura?”, “Kur do tu dali gjumi organeve shtetërore që të përdorin mekanizmat shtetërorë për ta përmisuar situatën e sigurinë e grave në Kosovë?”, janë vetëm disa nga thirrjet e panumërta të grave në Kosovë për gratë e Kosovës.

Previous articleSI TRI INSTITUCIONE SHTETËRORE DËSHTUAN T’U OFRONIN SIGURI DY NXËNËSVE BOSHNJAKË NË KOSOVË
Next articleKORRUPSIONI JUAJ REZULTON NË MIGRACIONIN TONË