SI NDIHEN TË RINJTË E KOSOVËS RRETH (MOS)PUNËS SË QEVERISË SË TYRE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i fotografuar bashkë me të rinj kosovarë nga Perspektiva Plus në Prishtinë

Qeveria Kurti II në marsin e këtij viti mbush plot tri vite që nga formimi i saj. Kjo qeveri u konstitua nga hiç më pak se 67 vota për, pas një marrëveshjeje midis partive politike Vetëvendosje, Guxo, Lista Serbe, Nisma e Re Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe Partia e Re Demokratike, parti këto nga komuniteti shumicë, ai shqiptar dhe ato joshumicë në Kosovë. Por sa ndihen të përfaqësuar të rinjtë e këtij shteti nga kjo qeveri, nëse veç ndihen ndopak të tillë.

Perspektiva Plus ka pyetur të rinj nga mosha 16 e deri në moshën 29, nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe nga të gjitha komunitetet etnike se si ata ndihen në raport me çka kjo qeveri (nuk) ka realizuar deri më tani dhe përgjigjet ishin nga më të ndryshmet e diverset.

Ka të tillë të cilët shprehen tejet të kënaqur me atë se si qeveria “po e dërrmon Serbinë në dialog” dhe se si “Kurti nuk po e pranon asociacionin”. Mirëpo kur këta pyeten se çka po ndodhë në dialog apo se sa janë të përfshirë në këtë proces, një pjesë e mirë e kanë të vështirë të dallojnë nëse dialogu zhvillohet në Bruksel apo në Hagë. Madje, kur u shtrohet pyetja se a e dinë se tashmë është pikërisht Kurti ai që ka thënë se pritet vetëm nënshkrimi i përfaqësuesit të Serbisë në dialog, Vuçiqit, që asociacioni të fillojë të implementohet, këta të rinj vihen “në lajthitje”.

Ka edhe të këtillë të cilët përfaqësimin e qeverisë ndaj tyre si të rinj e masin me deklarata pompoze patriotike. Njëjtë siç ka të rinj të cilët zhgënjimin dhe pakënaqësinë që e ndjejnë për këtë qeveri e asociojnë me krahasimin që i bëjnë kësaj të fundit me qeveritë paraprake; “As ato nuk janë kanë ma t’mira, bërllog ato, bërllog kto”.

Një i ri serb, i pyetur nga Perspektiva, përgjigjen ndaj pyetjes se sa ndihet i përfaqësuar nga kjo qeveri e përmblodhi duke e cituar një figurë aspak të dashur nga shumica në Kosovë, “O ka thanë Millosheviqi, shqiptarët shtet kanë me u ba, po shtetin s’kanë me mujtë me e majtë”, “Ky, pra Kurti, s’është as për njerëzit që e kanë votu, e po është për neve”, vazhdoi duke thënë Luka 21 vjeç nga Leposaviqi.

Me fjalë të tjera, ka grupime nga të gjitha shtrirjet e animet kur vie fjala për punën e kësaj qeverie. Çka Perspektiva u interesua të kuptojë është se përveç në mënyrë të përgjithshme çka këta të rinj e të reja në Kosovë dijnë rreth punës apo mospunës, cilido rast të vlejë, të dikastereve në kuadër të kësaj qeverie, dhe përgjigjet që morri ishin poashtu shumëngjyrëshe. Ose mbase bardhë e zi për nga dallimet në polarizime. Ose mbase, do mund të mendonte dikush, shumë të përhirëta për nga njohuritë e pakta, e edhe të mangëta që kjo grupmoshë kishte mbi atë që punohet apo raportohet.

Arsimi

Paj, këta thonë që kanë ba reformë në arsim, ose kanë me ba reformë në arsim, ama krejt çka unë si studente kom pa e kom ni është që na e kanë ba fakultetin pa pare. Edhe ashtu as 20 euro nuk u kanë semestri, kështuqë s’osht që e kanë ba namin, qat sistem të dobët hala e kena, qata profesora zhglë hala i kena, s’na i kanë marrë me na i qu kërkun. Unë për vete s’kom vrejtë kurgjo. E sa i përket bursave, na burse gjithë kena pasë. Veç ato çika që studiojnë shkenca të natyrës edhe matematikë kanë lehtësira edhe marrin ma shumë. E ku jena na tjertë, a edhe qaty e gjeten ndasi me ba a?”, tha Erëza, studente e vitit të tretë në gazetari.

Kosova shënoi e parafundit në PISA me rezultatet që dolën këtë vit. Përgjegjësi nuk morri askush. Ministrja e arsimit fajin ia hodhi pandemisë.

Infrastruktura

Patën premtu që si shtet kanë me maru banesa nëpër çdo qytet për çiftet e reja, të cilat kena me mujtë me i ble ma lirë, edhe me pagesë me këste me interes të vogël, ose fare, tri vjet mandat juv krytën, hala nja nuk e pashë që u nisë. Ja s’po na e lshojnë komunat tokën, ja po na e lshojnë. Ik allahile, hajgare aa?”

Skandale jo të pakta përcollën këtë qeveri me ministër Liburn Aliun. Aliu, pos kritikave që ka marrë në vazhdimësi për udhëheqje jo të mirë të ministrisë të cilën e udhëheq së bashku me zv.ministër Hysen Durmishin, ai në një intervistë kishte thënë se “Kosova është projekt i përkohshëm”. Nuk e dimë se çka ministri Aliu ka mundur të mendojë në ato momente, por ai i ka qëndruar deklaratës së tij mbrapa, duke e rikonfirmuar atë që kishte thënë në dhjetor të 2023-tës. Jam kurioze të di se si nuk ka menduar se Kosova si pretendente për anëtarësim në disa organizata të mëdha ndërkombëtare, duhet ta respektojë kushtetutën e saj dhe përbërjen multietnike. Se për që nuk ka menduar se si ndihen lidhur me këtë frymë komunitetet e tjera jo-shumicë, ma pret mendja. Komikja është se këtë e ka thënë dhe vazhdon ta thotë si ministër i një ministre të qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i fotografuar bashkë me të rinj kosovarë nga Perspektiva Plus në Prishtinë

Shëndetësia

S’di tybe, s’osht që maj n’men najsen që kanë ba, pos që i kanë ndrru ministrat e shëndetësisë nja 3-4 herë”, tha një i ri nga Lipjani, kalimtar rasti.

Skandale të shumta përcollën edhe zhvillimet në këtë ministri, por mbi të gjitha në spitale, qendra spitalore e të mjekësisë familjare dhe klinika private. Një 30 vjeçare shkoi për të shëruar dhëmbin, dhe doli e vdekur nga një klinikë, për të cilën u zbulua se kishte punuar pa licencë. S’ka s’i tu vihet faj qeveritarëve për këtë. Mund të kenë qenë shumë të zënë duke emëruar e shkarkuar e riemëruar ministra për të menaxhuar me sistemin e shëndetësisë në vend.

Drejtësia

Viti 2023 u përmbyll dhe procesi i vettingut përveçëse nuk morri kushedi se çfarë epilogu, tre ministra akuzuan prokurorë për mosshqyrtim të rasteve të cilat ata si ministra i kishin dërguar, me vërejtjen se pse po hetohen vetëm rastet ndaj tyre. Tri gra u vranë vetëm gjatë pjesës së dytë të vitit që lamë pas, dhe pikërisht në këtë periudhë, bashkëkryesi i vrasjes së 18 vjeçares Marigona Osmani u dënua me vetëm 15 vite burg.

Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë

Prokuroria filloi hetimet mbi të ashtuquajturin skandal të keqpërdorimit me rezervat shtetërore të naftës dhe të vajit. Ministrja nuk ofroi kurfarë dëshmish dhe refuzoi të përgjigjej me justifikimin se e kështu do e cënonte dhe rrezikonte sigurinë e shtetit.

Ministria e Financave dhe Transfereve

Nga faqja e ministrit të Financave dhe Transfereve u postuan dhjetëra grafika e statistika të cilat ishin çorientuese dhe devijante duke manipuluar kështu me publikun laik në fushën e ekonomisë deri në pikën sa edhe rritja e të hyrave shtetërore me anë rritjes së tatimit me shkak inflacionin apo edhe importin e shtuar qytetarëve u shitej si rritje e zhvillimit ekonomik. Fëmijët në Kosovë, nën moshën 16 vjeçe morrën 100 euro në fundvit si shtesa për fëmijë, dhe tash e një kohë të gjithë fëmijët e grupmoshës më të vogël marrin shtesa nga 10 euro në muaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i fotografuar bashkë me të rinj kosovarë nga Perspektiva Plus në Prishtinë

Vizat u liberalizuan, Banjska ndodhi

Anipse ka të tillë të cilët ia atribuojnë kësaj qeverie arritjen e liberalizimit të vizave, ky proces u arritë dhe u finalizua gjatë qeverisjes së tyre. Kjo dhe shumë më tepër. Edhe Spanja ia doli që t’i njohë pasaportat e Kosovës, ndonëse njohja prej këtij vendi akoma duket e largët. Kosova për shkak të qëndrimit të saj gjatë dialogut dhe mospërmbushjes së zotimeve të nënshkruara nga qeveritë e mëhershme u sanksionua jo pak. Në shtator të vitit që lamë pasë në Banjska, një fshat në komunën e Zveçanit, nga terroristë serbë u vra një polic gjatë patrullimit kujdestar. Më pas nga ana e policëve të Kosovës u lanë të vdekur tre terroristë serbë të cilët dolën të kishin qenë në një sulm të orkestruar nga Milan Radojçiçi, i cili strehim gjeti në krahët e Vuçiqit pak ditë pas zhvillimit të sulmit të orkestruar në Manastirin e Banjskës. Pavarësisht këtij sulmi, ndonëse Kosovës iu forcua pozita negociatore, Serbia nuk u sanksionua.

Të lartëpërmendurat qëndrojnë vetëm si një pjesë e arritjeve të qeverisë Kurti. Çka mbetet çështja është se përfshirja e të rinjëve në zhvillimet politike lë shumë për të dëshiruar. Qoftë kjo si pasojë e transparencës së ulët e të qëllimshme nga ana e qeverisë, qoftë kjo nga kultivimi i kulturës për mospërfshirje nga gjeneratat paraprake dhe ndjenjës së mospërkatësisë nga ana e të rinjëve. Një pjesë e mirë e të rinjëve në Kosovë nuk e dijnë së çfarë përmbajtje kanë pasur programet e partive të cilat i kanë votuar, aq më pak se duhet në mënyrë aktive të kërkohet llogaridhënie për mospërmbushjen e këtyre premtimeve. Në rastet kur nuk ankohen në mënyrë pasive dhe jo shumë domethënëse, nuk flasin fare dhe çdo parregullësi e marrin për të mirëqenë, duke mos drejtuar gishtin askund. Jo se kjo do zgjidhte domosdoshmërisht diçka relevante, por do ishte më e mirë se heshtja. Do ishte pak, por pak është më mirë se asgjë, më shumë se aspak.

Shkroi: Hanmie Lohaj

Previous article640.000 MAQEDONAS NE “PARGIMI”
Next articleKUSH DO TË MIRËPRESE B&H NË BASHKIM EVROPIAN?