Pamje nga droni nga protesta e 22 dhjetorit, 2024 në Beograd Credits: Stevan Filipovic on Instagram
Me mijëra protestues mbushën rrugët e Beogradit gjatë javës së dytë të janarit, duke ndezur dritat e telefonave mobilë dhe duke mbajtur heshtje 15-minutëshe në nderim të viktimave të shembjes së çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad, për të cilën ata fajësojnë autoritetet.
Studentët e universiteteve shtetërore në të gjitha qytetet serbe organizuan protesta, duke kërkuar ndjekjen penale të përgjegjësve të tragjedisë. Ata fajësojnë Partinë Progresive Serbe të presidentit Aleksandar Vuçiç, e cila edhe është në pushtet, për nepotizëm dhe korrupsion. Studentët e universitetit shtetëror kanë bojkotuar ligjëratat për javë të tëra tashmë, duke kërkuar bërjen publike të të gjitha dokumenteve në lidhje me rindërtimin e stacionit të shembur, si dhe ndjekjen penale të zyrtarëve përgjegjës për shembjen që u mori jetën 15 qytetarëve.
Studentë dhe të rinj nga Kosova kanë folur për Perspektiva Plus për mendimet dhe qëndrimet e tyre për këto protesta dhe se si ky mobilizim i bën ata të ndihen për të ardhmen e aktivizmit rinor në rajon, duke pasur parasysh rolin vendimtar që të rinjtë dhe studentët e Serbisë luajtën në organizimin e këtyre protestave.
Auron Doli, 25 vjeç nga Gjakova, student në Universitetin e Prishtinës, thotë se e sheh si të rëndësishme që të rinjtë në Kosovë të informohen për të tilla ngjarje në mënyrë që të kenë një pikëpamje tjetër pos nacionalizmit dhe banaliteteve të lajmeve të përditshme që i lexojmë e dëgjojmë nga politika ditore e raporteve Kosovë-Serbi dhe se potenciali i studentëve për të prodhuar ndryshime të mëdha shoqërore sidomos në Beograd nuk është diçka e re e as e panjohur për të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në Serbi dhe se në pikën ku gjendet situate politike në në Beograd bënë që revolta ndaj një sistemi autoritar si ai i Vuçiqit është e pashmangshme.
“E shoh të nevojshme që studentët edhe t’rinjtë në Kosovë me u informu për ngjarjet atje nga nji prespektivë përtej nacionalizmit vulgar dhe banaliteteve të politikës ditore t’Kosovës e Serbisë. Rosa Luxemburg thoshte që shkëndija spontane nuk lind nga boshllëku, por nga tensionet e akumulume brenda klasave të shoqnisë, të cilat simbolizojnë shpërthimin e nji procesi ma t’thellë të pakënaqësisë dhe kontradiktave ekonomike e shoqerore. Tranzicioni nga pakënaqësia pasive në rezistencë aktive osht’ pikërisht ajo çka po shohim në Serbi sot. Mendoj që tragjedia në stacionin e trenit në Novi Sad ku vdiqën 15 veta mundet me kon qikjo shkëndijë. Studentët në Ballkan kanë qenë gjithmonë në krye të rezistencës, që nga lëvizjet antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botnore deri te protestat kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit në vitet ’90. Mendoj që protestat aktuale ne Serbi janë pjesë e kësaj tradite historike, tu e tregu forcën dhe potencialin e studentëve për me gjeneru ndryshime shoqnore. Në Serbi, qeveria e Vuçiqit për disa vite tashmë, nuk osht’ thjesht autoritare, por edhe thellësisht neo-liberale. Në nji realitet rajonal të kapitalizmit periferik të kthyer në nji neoliberalizëm oligarkik, ku kushtet ekonomike sa vijnë e përkeqësohen dhe detyrohesh me zgjedh mes emigrimit ose konformizmit, revolta nga ata që s’e duan asnjonen osht’ e pa shmangshme; këtë na tregojnë edhe protestat e studentëve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipni në dekadën e fundit”, tha aktivisti dhe studenti Doli për Perspektiva Plusin.
Auroni shtoi se e sheh si shumë pozitive arritjen e masivizimit dhe shtrirjes së madhe të protestave në Beograd dhe se disa prej studentëve organizatorë kanë edhe qasje anti-nacionaliste, gjë që sipas tij kontribuon në solidarizimin e të rinjëve të gjithë rajonit gjë që Auroni beson se do të ndihmojnë në luftimin e shovenizmit dhe fashizmit serb. Ai beson se mobilizime të tilla të shtyra nga të rinjtë do mund të ndryshojnë jo vetëm frymën politike në Serbi por edhe më gjerë.
“Aspekti pozitiv i protestave dhe bllokadave të studentëve në Serbi osht’ që ka arritë nji zgjerim si gjeografik ashtu edhe demografik, pra masivizim, dhe ma kryesorja, bashkimi i punëtorëve me aksione sindikale (edhe me grevë) në këtë vazhdë të protestave dhe bllokadave. Pozitiv gjithashtu osht’ fakti që disa prej studentëve në krye të protestave atje (disa edhe i njoh) kanë qasje anti-nacionaliste, e unë kto e shoh si potencial sidomos në dy fusha që janë inspirimi që mundet me ja japë lëvizjeve tjera studentore në rajon dhe solidaritetin regjional që mundet me u kriju, që e kish luftu shovinizmin, nacionalizmin vulgar dhe fashizmin (sidomos atë serb). Nëse k’to lëvizje arrijnë me mobilizu dhe me bo presion t’mjaftushëm, ato munden me ndryshu jo vetëm dinamikën politike në Serbi, por edhe me i sfidu politikat neoliberale dhe korrupsionin n’krejt rajonin. Ballkani ka nevojë për nji politikë tjetër që mbështetet në solidaritet klasor dhe qasjen demokratike”, tha Doli ekskluzivisht për Perspektiva Plusin në Prishtinë.
18-vjeçari Miodrag Denić, nxënës i vitit të fundit në shkollë të mesme në Zveçan dhe qytetar nga komuniteti serb, i lindur dhe i rritur në Kosovë, i cili dikur jetonte afër Graçanicës dhe tani jeton në Mitrovicën e Veriut, thotë se ndihet i mahnitur që të rinjtë janë në rrugë duke protestuar, por ai nuk e sheh ndryshimin si diçka të garantuar.
“A më bën kjo protestë të besoj te ndryshimi? Ndryshimi do të jetë shumë i vështirë. Ka disa opsione, për shembull: protestat mund të vazhdojnë, por Vuçiç nuk do të bëjë asgjë, ky është opsioni i parë. Opsioni i dytë është që nëse forcat policore shkojnë kundër Vuçiqit, a do të ketë ndryshim?Nuk e di, por ka disa opsione në lojë. Asnjëherë nuk e dini se çfarë mund të ndodhë në ditët e sotme. Ndihem i mahnitur që çdo ditë ka njerëz të rinj që vijnë në skenë. Kjo është një gjë e mrekullueshme si fillim, për një të ardhme më të mirë. Pra, ndoshta do të jetë e mundur të shihet një ndryshim, ose ndoshta Vuçiç është shumë i fortë për t’u hequr nga qeveria”, thotë Miodrag.
Tetëmbëdhjetë vjeçari Miodrag thotë se ai nuk e sheh veten në të ardhmen duke jetuar në Serbi, prandaj nuk është domosdoshmërisht i frymëzuar nga protestat, por ai beson se për shkak të brezave të rinj rajoni do të jetë më i begatë në ndërtim të paqes dhe më pak i fokusuar në krijimin e konfliktit. Sa i përket qeverisë në Serbi, ai e sheh atë si plotësisht të korruptuar dhe se rrëzimi i liderit të një kasti të tillë qeverisës mund të bëhet vetëm nëse grupe të tjera të shoqërisë bashkohen kundër qeverisë, përveç të rinjve.
“Sa i përket faktit nëse ndihem i frymëzuar nga madhështia në numër që kanë marrë këto protesta, ndihem i frymëzuar që kaq shumë të rinj po marrin gjithnjë e më shumë mbështetës. Është shumë për qeverinë atje. Por në përgjithësi, nuk ndihem i frymëzuar sepse nuk jam aty. Babai im jeton tani në Serbi dhe unë kam disa miq në Serbi, dhe atyre nuk është se ua ndjenë aq shumë për Kosovën. Unë do të thoja që nuk ndihem i frymëzuar, por ndihem shumë i mahnitur nga këta njerëz. Nuk e shoh veten në Serbi për të jetuar apo punuar atje. A i mbështes këta të rinj? Po. Është rinia që mund ta ndryshojë këtë lloj epokë brezash. Do të ketë më shumë paqe dhe më pak konflikte. Sa i përket protestës nëse mjekët, infermierët dhe veçanërisht forcat e policisë bëhen kundër Vuçiqit, do të jetë shumë e vështirë që të ndodhë, e di, por nëse kjo ndodhë, ai do të bjerë me siguri. Studentët po luftojnë për të drejtën. Ka kaq shumë korrupsion, aq shumë pastrim parash atje”, përfundoi Miodrag duke thënë kur u pyetë nga Perspektiva Plus në Kosovë.
Taulantina Xhyrishevci, 19 vjeçe, studente e vitit të dytë në shkenca politike, e cila vie nga qyteti i Gjilanit i tha Perspektivës:
“Mendoj se protestat në Beograd e reflektojnë tensionet sociale dhe politike që e kanë shoqëru Serbinë në dekadën e fundit, duke i marrë parasysh shqetësimet e mëdha të qytetarëve, duke e marrë parasysh lirinë demokratike të fjalës, ku qytetarët kanë qenë të cënuar për t’i shprehur mendimet e tyre, korrupsioni dhe cilësia e dobët e qeverisjes. Protestat paqësore janë ndër shtyllat kryesore të demokracisë së mirëfilltë, dhe studentët më së miri e tregojnë këtë duke protestuar në mënyrë paqësore dhe duke bojkotuar mësimin në fakultetet e tyre. Mesazhet që i përçojnë studentat janë shumë të fuqishme. Ne si vende të rajonit duhet t’i mbështesim këto mesazhe. Besoj se këto protesta ose do e japin një jehonë shumë të fortë, ose nuk do arrijnë asgjë në fund”, përfundoi duke shtuar Taulantina për Perspektivën.
Shkroi: Hanmie Lohaj