KU MBETI DREJTËSIA PËR ASTRITIN? NË KOSOVË MERR ZJARR OBJEKTI I INSTITUTIT TË MJEKËSISË LIGJORE

Një kolazh i Astritit, ministër i Drejtësisë dhe zjarri në objektin e IML

Gjatë mëngjesit të 21 nëntorit një zjarr konsiderueshëm i madh e kaploi Institutin e Mjekësisë Ligjore të Republikës së Kosovës, apo të njohur ndryshe si “IML”. Mirëpo kjo nuk është hera e parë që ky institut është djegur përgjatë këtij viti. Pikërisht në mars kishte shpërthyer një zjarr në këtë objekt në të cilin ruhen mbetje motore, arkiva, mostra, prova të vdekjeve të dyshimta, vrasjeve apo rasteve të ngjashme të cilat janë nën hetim. Ky institut funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.

Insituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës i përfshirë në flakë

Është raportuar se pas zjarit zjarrëfikësit kanë dalur në vendin e ngjarjes. Malë Gashi, udhëheqësi i zjarrëfikësve të Kosovës ka thënë se “Është djegur objekti në katin e dytë dhe nga zjarri janë djegur disa letra. Nuk dihen ende shkaqet”. Sipas drejtorit të këtij instituti, Ditor Halitit “dy zyra në katin e dytë në këtë objekt janë përfshirë nga zjarri”.

Në anën tjetër, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu shkroi në po të njëjtën ditë se “Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave“ duke theksuar se në bazë të informacioneve të para nuk janë dëmtuar mostrat. Ministrja gjithashtu tha se uron që zjarri mos të jetë shkaktuar nga dora e njeriut

Ky institut kaq i rëndësishëm i Kosovës është lakuar jo pak herë për skandale dhe parregullësi të shumta.Vetëm gjatë vitit 2023 është gjobitur me 6000 euro gjobë për kushte joadekuate pune, duke mos e lënë këtë si gjobën e vetme të vendosur ndaj këtij instituti nga ana e Inspektoriatit të Punës së Kosovës.

Parregullësitë dhe enigmat e shkeljet nuk përbëjnë në këtë institucion asgjë të re. Në bazë të gjetjeve të Inspektoriatit të punës, dhomat e morgut nuk kanë ajrosje e as ventilim, për më tepër kufomat barten fizikisht si rrjedhojë e mungesës së pajisjeve adekuate për bartjen e tyre, kundërmimi i të përmendurave sipas këtyre gjetjeve brenda këtij instituti del të jetë i llahtarshëm duke mos respektuar normat e sanitizimit dhe higjienës adekuate.

Gazetari Besnik Krasniqi, ditën që morri flakë ky institut këtë nëntor shkroi në llogarinë e tij në Facebook se auditori kishte gjetur 450 raporte të pakryera të autopsisë, shumica e të cilave për vrasje dhe se në një shkresë të punonjësve të këtij instituti thuhej se këto raste janë zvarritur qëllimisht. Krasniqi e ka cilësuar këtë institut si një prej institucioneve më kriminale që ka Kosova. Shkrimin ky gazetar e nisi duke marrë shembull rastin e një vajze të re, Blertës, e cila ndonëse kishte mbetur e palëvizshme në një aksident, nga ky institut dëmi i saj ishte cilësuar si “lëndim i lehtë trupor”, duke e dënuar kështu me vetëm 200 euro gjobë shoferin që kishte shkaktuar aksidentin.

Blerta është e palëvizshme dhe ka qenë viktimë e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Pra, e njërit prej institucioneve më kriminale që ka Kosova. Ajo mbeti e palëvizshme në një aksident, por mjeku i Institutit, që për një kohë ka qenë edhe dekan i Fakultetit të Mjekësisë, në raport shkroi se ajo pësoi “lëndim të lehtë” trupor. Mbi këtë raport, një gjyqtar e dënoi veç me 200 euro gjobë shoferin që e shkaktoi aksidentin. Superekspertiza konstatoi më vonë se bëhej fjalë “për lëndim të rëndë”. Aq të rëndë sa Blerta më të mos mund të ecte në këmbët e saj. Pas superekspertizës, u ngrit aktakuzë ndaj mjekut që lëshoi raport të rremë për vajzën dhe ndaj gjyqtarit që, duke u bazuar në atë raport, s’e çoi në burg shoferin. Aktakuza kundër këtyre dyve shpejt u hodh poshtë, nën arsyetimin se s’mund të vërtetohej se e kanë bërë këtë qëllimshëm, apo kanë përfituar diçka. Pra, kaq e padrejtë është drejtësia jonë”, shkroi ndër të tjera ai.

Besniku vazhdoi duke thënë se si pasojë e mospunës së qëllimshme të këtij instituti mbi 100 raporte të ekzaminimit klinik të grave që janë prekur nga dhuna fizike dhe seksuale nuk janë shqyrtuar ende. I njëjti shtroi pretendimet se mostra të tëra janë degraduar a shkatërruar plotësisht me qëllim që kryesit e veprave jashtë të amnistohen e punonjësit dhe udhëheqësit brenda institutit të pasurohen duke lënë të kuptohet se fjalën e ka për korrupsion në ushtrim të detyrës.

Blerta s’është viktima e vetme. Viktimat më të mëdha janë të vrarët. Auditori ka gjetur në institut rreth 450 raporte të pakryera të autopsisë, shumica për vrasje. Në një shkresë të disa punonjësve të Institutit thuhet se shumë nga këto raste janë zvarritur qëllimisht, në mënyrë që të mos marrin epilog, sepse nga epilogu pastaj varet vendimi i gjykatës për kriminelët, në favor të të cilëve njerëz në institut punojnë.

E njëjta ka ndodhur edhe me më shumë se 100 raporte të ekzaminimit klinik, kryesisht për gra që i janë nënshtruar dhunës fizike e seksuale.

Në shumë raste, mostrat janë degraduar ose shkatërruar tërësisht, me qëllim që kriminelët jashtë Institutit të amnistohen e ata brenda të pasurohen.

Ka kohë që letra ka shkuar në adresë të institucioneve më të larta shtetërore. Fatkeqësisht, nuk janë parë veprime”, shkroi gazetari Krasniqi.

Prandaj, sot kriminelët jashtë e brenda Institutit, kanë arsye të festojnë. T’i gëzohen flakëve e tymit. Sepse, po bëhen shkrum e hi edhe ato pak dëshmi kundër tyre”, shtoi ai, duke reaguar kështu pak orë pas lajmit se Instituti i Mjekësisë Ligjore kishte marrë flakë.

Shumë qytetarë rastet e zjarrit në këtë institut i asociojnë me rastin e vdekjes së një të riu. Më 5 nëntor të vitit 2016 ishte raportuar se një i ri kishte vdekur brenda Qendrës së Paraburgimit të Prizrenit. Ky kishte qenë aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, 26 vjeç, i cili kishte qëndruar aty për plot 68 ditë nën dyshimet se së bashku me aktivistë të tjerë kishte hedhur granata në parlamentin e Kosovës.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari duke protestuar

Deklarata të ndryshme kundërthënëse me njëra-tjetrën u lëshuan nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Prizrenit në atë kohë. Sikur kjo të mos mjaftonte ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha pati thënë se Dehari kishte pasur shenja në qafë. Vdekja e tij s’kishte si mos të shihej si e dyshimtë. Në më pak se 24 orë nga Lëvizja Vetëvendosje e kishin quajtur arrestimin e tij si pasojë e një shkasi të montuar dhe se vdekja e Astritit ishte dhe mbetet përgjegjësi institucionale. Të njëjtat pretendime sot e shtatë vite i mbajnë edhe prindërit e vetë Deharit. Kur është kryer autopsia e Deharit, prokurori Syla kishte deklaruar se aktivisti i Vetëvendosjes kishte vdekur si pasojë e asfiksisë.

Lëvizja Vetëvendosje gjatë këtyre shtatë viteve parreshtur ka sulmuar qeverisjen përkatëse gjatë mandatit në të cilin Dehari është gjetur i vdekur, duke përdorur më shumë se një formë a mjet. Duke filluar nga kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinajn, ministren e drejtësisë së atij kabineti, Dhurata Hoxhën e deri tek prokurori i cili u morr me rastin Sylë Hoxhajn. Institucionet dhe përkrahësit e këtij pushteti të atëhershëm kishin tendenca të qarta ta përkrahnin narrativën se Astriti kreu vetëvrasje, në anën tjetër familja, bashkëaktivistët dhe njerëzit kryesorë të partisë sulmonin pushtetin dhe qeverisjen e atëhershme se me narrativën se kishin vrarë të riun 26 vjear dhe po fshehnin provat që dëshmojnë se Astriti nuk kishe bërë vetëvrasje. Astriti ishte në vitin e fundit të fakultetit të Mjekësisë kur u gjetë i vrarë, ishte i martuar dhe po priste një fëmijë me gruan e tij. Që prej momentit të ndarjes së tij nga jeta e deri më tani, është bërë pothuasje asgjë në zbardhjen e fatit të tij.

Vajza e Astrit Deharit, Arsa e lindur pak muaj pas vdekjes së tij

Më 8 dhjetor të vitit 2022 janë zhdukur provat e rastit Dehari të cilat ruheshin në këtë institut, pothuasje tri vite pasi në pushtet është Qeveria Kurti dhe ministrja e drejtësisë vie nga Vetëvendosje, partia në të cilën aktivist ishte vetë Dehari.

Avokati i familjes, Tomë Gashi, atë kohë kishte thënë se “asgjë nuk është e rastësishme”, dhe se sipas tij, prapa vrasjes së Deharit qëndrojnë sipas tij “grupe mirë të organizuara kriminale”.

Ministrja Haxhiu kishte thënë se “duke pasur parasysh ndjeshmërinë rastit, mbrëmë në orët e vona jam njoftuar që janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, nga laboratori, kam njoftuar ushtruesin e kryeprokurorit Besim Kelmendi. Në rasat e epruveta kanë qenë 15 epruveta me gjakë, një e urinës dhe një epruvetë e lukthit”.

Nuk mungoi reagimi i qytetarëve se si ishte e mundur që provat të zhdukeshin pikërisht kur në qeverisje të vendit dhe Ministrisë së Drejtësisë ishte partia ku aktivist ishte Dehari. Në shtatë vjetorin e vdekjes së Deharit, Haxhiu shkroi në rrjetet e saj sociale se për tu arritur drejtësia duhet vullnet i organeve të drejtësisë. Për këtë Haxhiu u intervistua nga Prokuroria Speciale. Ajo nuk u ndal me kaq duke komentuar pas intervistimit si në vijim:

Nuk ka qenë hera e parë që kam thënë një gjë të tillë. Shtrohet pyetja pse prokurori reagoi tash dhe jo atëherë? A ka reaguar njësoj prokurori special ndaj deklaratave të zyrtarëve të shtetit që kishin thënë se Astrit Dehari është vetëvrarë? A ka reaguar po aq shpejt ndaj veprimeve të kundërligjshme të zyrtarëve përgjegjës në rastin Dehari? Një sërë episodesh janë zhvilluar gjatë këtyre viteve por prokurori nuk ka treguar të njëjtin zell”, u shpreh Haxhiu.

Ndërkohë nga Departamenti Amerikan i Shtetit thanë se hetimi mbetet në vijim e sipër.

Hetimi për vdekjen e aktivistit të partisë Vetëvendosje në vitin 2016, Astrit Dehari, ka mbetur në vazhdim. Dehari është arrestuar me dyshimin për pjesëmarrje në një sulm ndaj Kuvendit të Kosovës. Autoritetet hetuan në Dehari kreu vetëvrasje, përderisa anëtarët e familjes së tij dhe përfaqësuesit e partisë Vetëvendosje pretendojnë se ai ishte vrarë për shkak të aktivizmit të tij politik” – u shkrua nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Çdo vit, Lëvizja Vetëvëndosje organizon homazhe dhe një numër aktivitetesh për të shënuar përvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit. Aktivistë të shumtë shkojnë dhe marrin pjesë në këto aktivitete, por të njëjtin nuk shprehin kurrë dyshime se pse provat e Deharit humbën gjatë mandatit të partisë së cilës i takojnë e as pse provave iu referua gjithmonë si “të humbura”, jo “të vjedhura”, apo të themi “të shkatërruara”, sepse ato vetë nuk mund të kenë humbur, pos nëse i ka marrë a vjedhur dikush.

Kryeministri Kurti dhe babai i Astritit duke bërë homazhe në përvjetorin e vdekjes së tij

Vajza e Astritit, Arsa, e cila lindi disa muaj pas vdekjes së tij, fotografuar dhe publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, duke ndezur një qiri për përvjetorin e vdekjes së Astritit

Prindërit e Kurtit dhe Astritit duke bërë homazhe për 5 Nëntor

Kolonat e gjata të të rinjve dhe aktivistëve të Vetëvendosjes duke vizituar varrin e Astritit më 5 nëntor

Previous articleÇFARË DO TË THOTË REGJISTRIMI PËR TË RINJTË?
Next articleSËRISH ZGJEDHJET NË SERBI