Në veri të Mitrovicës, në Kosovë, të premten e 24 janarit dhjetëra qytetarë serbë organizuan dhe mbajtën një protestë në të cilën u solidarizuan me protestat që po mbahen në Beograd duke u rreshtuar kështu kundër lidershipit të Aleksandër Vuçiq në Serbi.
Ata këtë tubim e nisën me 15 minuta heshtje në nderim të 15 viktimave të tragjedisë së stacionit të trenit në Novi Sad, gjë që edhe ishte shkaku i organizimit të kësaj proteste.
Sërgjan Gjorgjeviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, njëkohësisht organizator i kësaj proteste ftesën për pjesëmarrje në këtë organizim e kishte nisur një ditë më parë me thirrjen “Jeta është shumë e shkurtër për tu karakterizuar nga frika”.
Pankarta të shumta me shrime të tipit “Më së vështiri është ta zgjosh njeriun i cili bëhet sikur fle”, dhe brohoritjet e tipit “duar të përgjakura” dhe “Vuçiq e ka vendin në burg” u dëgjuan gjatë gjithë kohës sa edhe zgjati protesta.
Dimitrije Rakoçeviq, student dhe i ri që ishte pjesë e protestës për Perspektiva Plus tha se: “Sigurisht që mbajtëm 15 minuta heshtje për viktimat në Novi Sad. Unë konsideroj se këtu secili po dërgon një mesazh të veçantë. Mesazhe të tilla ka aq sa ka njerëz të pranishëm këtu. Secili mesazh është një pikëpamje e kërkesës për ndryshim dhe për liri dhe aq sa ka kërkesa të tilla tregon sa e rëndësishme është për neve ky ndryshim dhe kjo liri”.
Në anën tjetër, parlamenti studentor i Fakultetit Filozofik me seli në veri të Mitrovicës, ka dalë kundër kësaj proteste, duke u distancuar nga ky aksion dhe duke e asociuar këtë kundërshti ndaj figurave udhëheqëse në Beogradin zyrtar si anim e mbështetje të kryeministrit të Kosovës, Kurtit. “Ai që ju mbështetë, po na vret, po na dëbon. Distancohuni nga Kurti dhe të tjerët që duan copëtimin e Serbisë” shkruan studentë nga ana e këtij parlamenti studentor pak orë pas thirrjes që bënë organizatorët e protestës.
I pyetur lidhur me këtë, dhe se a ka ndjerë presion që mos të dalë sot në protestë, Dimitrije tha se “Kishte presion sot dhe dje nga komunikatat e parlamentit studentor. Është e rrezikshme të krahasohen protestat studentore dhe 15 minutat e mbajtjes së heshtjes me Albin Kurtin dhe heqjen e lirisë në cilëndo mënyrë.”
I pyetur se çfarë mesazhi ka për tu dhënë të rinjëve që po organizojnë protestat në Beograd, Dimitrje tha si në vijim “Mesazhi im drejt të rinjëve në Beograd është: mos na harroni, jemi këtu me ju. Dhe na përmendni ndonjëherë”.
Disa studentë me të cilët Perspektiva Plus në Kosovë foli gjatë protestës u distancuan nga deklarata e lëshuar nga Parlamenti studentor i këtij fakulteti duke e quajtur si të turpshme dhe dashakeqe.
Sërgjan Gjorgjeviq duke lexuar emrat e 15 viktimave të stacionit të trenit në Novi Sad
Sërgjan Gjorgjeviq theksoi për Perspektiva Plus se nuk është aspak e lehtë që të mbajnë qoftë edhe këtë akt solidarizues në rrethanat në të cilën ndodhen si serbë në Kosovë, por që megjithatë ata po e mbajnë. Vlen të përmendet se nuk mbahet mend ndonjë organizim apo protestë e këtij lloji të ketë ndodhur më parë nga qytetarë serbë në Kosovë. Pra, që haptazi të dalin kundër presidentit të Serbisë apo qeverisë që udhëhiqet nga partia e tillë, gjë kjo që e bënë këtë tubim të llojit të vetë.
Shkroi: Hanmie Lohaj