Në fillim të muajit maj një grua nga qyteti i Kaçanikut shkoi dhe raportoi në polici se vajza e saj ishte dhunuar seksualisht. Ajo tha se vajza e saj ishte marrë me veturë nga një person i panjohur dhe se ky person ia kishte përdhunuar të bijën. U njoftua se policia kishte nisur hetim mbi rastin dhe se vajza në fjalë, që është e mitur, është dërguar për ekzaminim mjekësor.
Përpara se të dalim tek rasti, fenomeni, apo edhe vazhda e përdhunimeve me theks viktima të tyret vajzat e mitura, pa hidhni një sy tekstit të mëposhtëm, dhe do vëreni se ka diçka që nuk shkon me të. Apo thënë më mirë: shumëçka që nuk shkon me të.
“Kaçanik-Ferizaj / 01.05.2024 – NN. Ankuesja femër kosovare ka informuar se vajza e saj viktima femër kosovare, dyshohet se është marrë nga një person i panjohur me veturë dhe dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale. Me vendim të prokurorit viktima është dërguar në IML për ekzaminim, përderisa rasti është duke u hetuar”, u shkrua në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Po, e vutë re edhe ju, se s’keni si mos ta vini re. “Vajza e saj, dyshohet se është marrë nga një person i panjohur me veturë dhe dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale”. “Ka kryer marrëdhënie seksuale”. Marrëdhënia seksuale, gjë që dihet botërisht, kryhet me pëlqimin e dy palëve që marrin pjesë në të. Për të kryer marrëdhënie seksuale pos pëlqimit duhet edhe leja e fjala e të dy palëve. Pra, në rast se kjo nuk ndodhë dhe njëra palë nuk pyetet për pëlqim, ky akt nuk quhet më marrëdhënie seksuale por përdhunim, dhunim seksual. Shto këtu faktin që viktima është nën moshën madhore, pra vajza është e mitur gjë që e bënë rastin dyfish më alarmues. Dhe ndonëse rreshtat e mësipërm për shumëkënd mund të duken, e qe besa janë tejet të vetëkuptueshëm e të qartë, policia e Kosovës, me theks të veçantë ata që e kanë përpiluar këtë raport të shkurtër mbi rastin, akoma nuk kanë arritur të bëjnë dallimin. Kjo, duhet parë, e në fakt është akt shumë i rëndë jo vetëm për viktimën e mitur e familjen e saj, por mbi atë se si një organ kaq fundamental shtetëror si policia e një shteti trajton, sheh, e u qaset rasteve të një natyreje të tillë në të cilat në shumicën dërrmuese viktimat janë vajza e gra.
Duhet përmendur me patjetër se ky rast, pra dhunimi i një të miture nuk është as i pari as i fundit në Kosovën që nuk karakterizohet nga një numër kushedi sa i madh i banorëve. Pra, nuk është rast i izoluar. Madje, fiks para pesë muajve që nga raportimi i këtij rasti, është raportuar dhunimi edhe i një vajze tjetër të mitur pikërisht në këtë komunë. Po, e lexuat saktë. Policia njoftoi se kishte shkuar dhe e kishte nxjerrur vajzën nga banesa në të cilën dyshohet se është dhunuar nga një një person i moshës madhore, e i cili pas dhunimit e kishte mbyllur atë në banesë.
Më 12 mars të këtij viti, pra vetëm pak muaj më parë dy burra e kishin rrëmbyer një vajzë 13 vjeçare komuna e Malishevës dhe e kishin përdhunuar në një shtëpi në Drenas. Policia e Kosovës e kishte fshehur rastin duke e cilësuar rastin e duke ju referuar të miturës si “person i zhdukur”. Pra, nuk e kanë përmendur as përdhunimin e aq më pak faktin se bëhet fjalë për një 13 vjeçare, për një fëmijë.
Këto raste të raportura në vetvete janë qoftë si numra, pra shifra, qoftë si vetë fenomen shumë shqetësuese dhe si tilla do duhej të trajtoheshin në cilëndo shoqëri. Megjithatë pos që nuk shohin shtetin të marrë ndonjë hap, masë, apo veprim konkret, pa qenë nevoja të cilësohet si radikal një i tillë, sa herë që ka organizime kolektive shohim një irritim nga akterë të pushtetshëm në Kosovë kundër këtyre organizimeve, protestave e revolatave në të cilat do duhej të ishim të bashkuar, e jo të përçarë. Për më të rëndësishmen arsye e që është se të rrezikuar jemi të gjithë, dhe një dëm kaq kapital sidomos i vajzave të mitura në mesin tonë do mund të shënohet si dëm i parikuperueshëm dhe tragjik.
Liridona Sijarina, aktiviste feministe, pas lajmit të publikuar në maj për përdhunimin e kësaj të miture shkroi kështu: “Vështirë që po shkon naj ditë pa u ba publik ndonji rast i përdhunimit në Kosovë. Pra, gati çdo ditë ipet nga nji lajm që e kallëzon që çikat e gratë në Kosovë jetojnë në nji gjendje lufte. Për habi, në vend që këto lajme me na revoltu e me e shtri revoltimin e organizum e publik, çka shohim është nji normalizim në rritje i dhunës me metoda tjera, përmes indiferencës, apatisë, kultivimit të amnezisë kolektive e nji atmosfere politike që e delegjitimon protestën si mjet rezistence e ndryshimi. Përtej notave shpesh patetike që dalin në shesh kur disa raste të dhunës e femicidit “dhezin” virtualisht, ajo çka është duke zanë vend në diskursin publik n Kosovë, sidomos në Prishtinë edhe në ato qarqet “ma të emancipume” a “aktive” është nji mobilizim kundra-organizimit publik feminist”.
Para vetëm dy viteve kemi qenë të gjithë dëshmitarë të rastit makabër ku një 11 vjeçare doli se është përdhunuar nga 11 djemë e burra. Po, e lexuat saktë. Kjo ka ndodhur në Kosovë. Ajo ishte përdhunuar një herë nga pesë djemë, e pastaj nga gjashtë të tjerë. Dhe në mes të të dy denoncimeve ajo kishte qenë në duart e shtetit. Në duart e institucioneve përkatëse që e kanë për detyrë e obligim të mirren e trajtojnë atë.
Megjithatë, shteti pati dështuar ta mbrojë dhe t’i ofrojë kujdesin e duhur asaj dhe shumë të tjerave.
Shkroi: Hanmie Lohaj