PËRMES SHQIPTARËVE AKTIVISTË DREJT NDRYSHIMEVE AFATGJATA

PËRMES SHQIPTARËVE AKTIVISTË DREJT NDRYSHIMEVE AFATGJATA

Fuqia e rinisë është pasuria e përbashkët për të gjithë botën. Fytyrat e të rinjve janë fytyrat e së shkuarës, së tashmes dhe të ardhmes sonë. Asnjë segment i shoqërisë nuk mund të krahasohet me fuqinë, idealizmin, entuziazmin dhe guximin e të rinjve.” – Kailash Satyarthi

Shkroi: Arjeta Murati

Kosova, vendi që ka popullatën më të re në Evropë, krah më krah me padrejtësi të pafundme e kembëngulje për të drejtat e tyre, njihet si shtet i pandalshëm aktivist.

Aktet revolucionare kosovare kanë nisur që nga koha e hershme. Një nga rastet është në vitin 1981 kur një student në menzën e studentëve të Universitetit të Prishtinës theu pjatën si shenjë kundërshtimi ndaj pakënaqësive të keqtrajtimit afatgjatë. Ky akt nuk u mirëprit, ashtu si shumë veprime tjera aktiviste të cilat edhe sot nuk mirëpriten nga udhëheqësit e shtetit.

Aktivizmi si bazë vullnetare e individëve me qëllim të ndryshimit të reformave dhe rregullave jo të pranueshme për një pjesë të madhe të popullates, duhet të trajtohet me pasion dhe motivim. Duke qenë si i tille, qëllim thelbësorë ka të ndihmoj njerëzit dhe grupet në situata të cenueshme, që është më shumë se punë sociale, i cili gjeneron ndryshime në jetën e njerëzve dhe në mjedisin në të cilin zhvillohemi, jetojmë dhe funksionojmë.

Historia kosovare tregon objektivisht se veprimet e të rinjve në betejat e tyre shoqërore çuan në transformimet që u promovuan në çdo moment specifik historik për të arritur qëllimet e tyre në përputhje me interesat e përbashkëta. Në këtë kuptim, arsimi ka qenë një mjet i favorshëm.

Aktet më të mëdha revolucionare të të rinjve janë kundrejt kërkesave politike – që realiteti të “fshihet nën tapet”.

Nga ky këndvështrim, të rinjtë e Kosovës tentojnë të ruajn sigurinë e fuqisë së edukimit dhe besojnë se ai duhet ta çoj njeriun drejt arritjes së qëllimeve më të larta. Funksioni shoqëror i arsimit, përmbajtja dhe thelbi i tij, kanë ndryshuar në rrjedhën e dekadave të fundit, të përcaktuara nga kushtet e jetës materiale dhe nga marrëdhëniet shoqërore. Prandaj, rinija vendos projekte zhvillimore që të aspirojnë shoqërinë, baza e të cilës është edukimi i anëtarëve të saj.

Për dy vite me rradhë (2019-2020) janë përdorur dhe analizuar të gjitha mjetet institucionale të adresimit të problemeve përmes tryezave, raporteve, kampanjave dhe takimeve të formave të ndyshme përmes të cilave është raportuar për jo-kompetencën e profesorëve me diploma të paguara dhe plagjiatura të cilët ushtrojnë rolin e mësuesve dhe liderëve të të rinjve nga Kosova. Pas gjthë mundit janë organizuar protesta si aksion simbolik, ku pas periudhës 7 mujorëshe janë larguar 3 persona nga pozitat e mësimdhënësve.

Në kuadër të kësaj tematike, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë është mbajtur edhe ekspozita me titullin “Plagjiatura e Ministrit të Arsimit” i cili është i përfshirë në aferën më të madhe të plagjiaturave dhe mashtrimit. Gjithashtu, janë bërë marshime kundër cilësisë jo të mirë të mësimit, ku morrën pjesë nxënësit e shkollave të 29 komunave të Kosovës nën slloganin “Spo shkohet në shkollë” ku u potencuan edhe mungesa e sigurisë në shkolla dhe dhuna ndaj nxënësve. Në protesta të shpeshta nxënësit tregojnë që cilësia e dobët në arsim po i shtynë të largohen jashtë vendit. Sipas prononcimeve te mediave, nga nxënësit e shkollave të mesme është vërejtur pakënaqësia e madhe që kanë kundrejt cilësisë së arsimit, por edhe dëshira dhe vullneti i madh që zëri i tyre të ndikoj në përmirësimin e reformave në të cilat ka rol dhe zbatohet sistemi i arsimit në Kosovë.

Në ditën ndërkombëtare të të rinjve u protestua në sheshin e kryeqytetit të mbushur plot me valixhe. Përmes lotëve e dhimbjes treguan rrëfimet e tyre se po detyrohen të largohen nga Kosova për një të ardhme më të mirë.Edhe pse jo të gjithë janë të vetëdijësuar apo të vullnetshëm të ju bëjnë ballë shkeljeve të të drejtave, duket qartë se organizimi, prirja e të rinjve drejt ndryshimit, shpirti dhe motivi shfaqen përmes akteve të ndryshme të lëvizjeve, qofshin ato paqësore apo artistike.

Lëvizja feministe studentore – është një shembull tjetër i mirë. Platformë e cila angazhohet në mobilizimin e kritikës studentore nga prizmi feminist dhe e cila është krijuar mbi parimet e barazisë gjinore dhe drejtësisë shoqërore. Me besim se Universiteti duhet të jetë i qasshëm për të gjithë në shërbim të së mirës publike, ku bashkarisht punohet drejt mirëqenies së studenteve përmes kritikës feministe.

Të zëshëm dhe në kundërshtim ndaj proceseve të pushtetit të trazuar janë dhe shembuj të tillë si: Protesta kundër konfliktit Rusi – Ukrainë; Kundër dhunimeve, përndjekjeve, kërcënimeve, abuzimeve dhe vrasjet të grave; Protesta të përsëritshme për neglizhencën dhe refuzimin që të shtyhen përpara proceset për të drejtat e njeriut nën slloganet “Homofob s’ki vend në Kuvend” dhe paradave disavjeçare të krenarisë; Organizime të ndryshme për bojkotimin e produkteve të shteteve fqinje deri në normalizimin e marrëdhënijeve të dyanshme; Protesta të nivelit shtetëror kundër sistemit shëndetësor; Iniciativa të ndryshme kundër diskiminimit dhe terrorizmit etj.

Kohë pas kohe vetëdijësimi po rritet dukshëm. Mirëpo përpos vetëdijësimit, edhe mungesa e kulturës politike është e dukshme. Sistemi është kompleks andaj veprimtaria njerëzore bazohet në domosdoshmërinë, bazën objektive që drejton veprimin e njeriut, në të cilën janë të integruara interesi, qëllimi, mjetet dhe kushtet.

Si do te dukej Kosova nëse të rinjt do të mund të merrnin më shumë vendime?

Të rinjtë mund ta ndryshojnë Kosovën, sepse janë të vetëdijshëm për çështjet që i prekin. Së bashku të vetëdijësohemi për ligjet të cilat e obligojnë pjesëmarrjen tonë në procesin e vendimmarrjes, të tilla si: shëndeti publik, punësimi, arsimi, çështje sociale, edukim qytetar dhe demokratik, ambienti, planifikimi hapësinor dhe zhvillimi rural dhe kulturë, sport dhe rekreacion. Më saktësisht Ligji NR. 03/L-145 për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=2654.

Disa prej faktorëve që do të ndikonin ne rritjen e pjesëmarrjes se të rinjve në vendimmarrje janë: mbështetja e organizatave rinore; angazhimi i më shumë të rinjve në institucione publike si praktikantë dhe forma tjera; diskutimet me të rinjtë mbi politikat komunale. Këtu dukshëm, përfitimet e pjesëmarrjes në vendimmarrje do të sjellnin: përmbushjen e potencialit të tyre në vendin ku jetojnë; zhvillimin e politikave më të mira për të rinjë; aktivizimin e të rinjve në jetën publike; krijimin e komuniteteve më gjithëpërfshirëse.

Është e njohur thënja se disa gjëra nuk t’i mëson shkolla. Në parim kjo na duket absurde, sepse në shkollë shkohet për të mësuar ato që nuk i dimë. Por baza e kësaj thënje në realitet është shumë e vërtet. Çdokush që angazhohet sadopak në aktivitete të çfarëdolloj natyre, e në këtë rast në aktivitete rinore, e sheh se ato janë një plotësim shumë i madh i mësimeve që i mungojnë shkollave, e që është nxitja e zhvillimit shoqëror, përmes aktiviteteve të lira.

E vetmja rrugëdalje është të përballemi direkt me problemet për t`i kapërcyer sfidat e vendit. Shumë herë nga betejat e kaluara, mësojmë mësimet më të mëdha për ndryshim. Andaj, le të jemi të patrembur, të guximshëm, të vrullshëm, dinamik dhe me vetëbesim. Të shprehim idetë, potencialin, kreativitetin, besimin tonë dhe energjinë e madhe për të krijuar një vend më të mirë për të gjithë. Në kuadër të aktivitetit vullnetar, të luftojmë dukuri të pranishme në shoqëri, të mësojmë mënyra të qasjes me probleme që na rrethojnë.

Dhe në fund pas çdo gjëje që është thënë dhe bërë, është e jona që të vendosim se a dëshirojmë që fytyra dhe veprat tona të jenë ndryshimi dhe fymëzimi i të gjithëve. Është e jona, të krijojmë një botë të bukur në të cilën duam të jetojmë. Është e jona të tregojmë që ne jemi vet ndryshimi. Unë dhe ti.

Previous articleIRINA DHE DRAGANA KAPELJA POSHTË
Next articleA ESHTE RAJONI I SIGURT?