KOSOVA NUK ARRITI TË HYJË NË KËSHILLIN E EVROPËS: ÇFARË NDIKOI DHE Ç’HUMBET AJO NGA KJO

Takim i Këshillit të Evropës në 2022. © Council of Europe

Përtej diskursit se sa është gëzuar shteti serb, me kryefjalë krerët e institucioneve më të larta në Serbi, dhe se kush ishte fajtor për çfarë, në epilogun që morri saga e dramës së mos-anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ky artikull ka për qëllim të trajtojë nëse jo vetëm historikun e rrugëtimit të Kosovës drejt asaj që konsiderohet pikës më të afërt që kishim si shtet për t’u bërë pjesë e këtij këshilli, si një prej organizatave më të larta të dhe në Bashkimin Evropian e deri tek ajo që do tentojmë të nënvijëzojmë e të theksojmë më së shumti e që është se: çfarë humbi një shtet si Kosova dhe qytetarët e saj në parim dhe në praktikë nga kjo “mundësi e dështuar” për anëtarësim një herë e mirë.

Të fillojmë me thelbin e asaj që po tentojmë të trajtojmë: çka është Këshilli i Evropës, dhe meqë qenka i rëndësishëm, për çfarë specifikisht shërben dhe ç’qëllim ka?

Këshilli i Evropës qëndron tash e 75 vite që nga themelimi i tij në 1949-ën si organizata më e vjetër politike në Evropë. Si mision në statutin e saj thuhet se është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe mbizotërimin e demokracisë.

Pse u themelua në rend të parë do thonit ju? Me qëllim parësor për t’i shuar armiqësitë në mes të shteteve të Evropës pas dy luftërave botërore që zunë vend në shekullin e kaluar. Një shtet nuk duhet të jetë anëtar i BE-së për tu bërë pjesë e Këshillit të Evropës, njëjtë siç anëtarësimi në këtë organizatë nuk ia garanton dhe nuk duhet parë si premtim të një anëtarësimi në BE në të ardhmen e afërt. Pra, ka shumë shtete të cilat janë pjesë e Këshillit të Evropës, por që të cilat nuk janë pjesë e BE-së. Për të qenë më e saktë, nga 46 shtete anëtare në KiE, vetëm 28 prej tyre janë pjesë e BE-së.

Organizata mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, lirinë e organizimit, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave. Ka ndërmarrë fushata për çështje të tilla si për mbrojtjen e fëmijëve, gjuhën e urrejtjes online dhe të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë pakicën më të madhe në Evropë. Këshilli i ndihmon shtetet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme në fushën e rendit dhe ligjit. Nën ombrellën e saj qëndron Komisioni i Venecias, një grup i ekspertëve kushtetues që ofron këshilla rreth kësaj fushe për shtetet e gjithë botës. Këshilli i Evropës promovon të drejtat e njeriut nëpërmjet konventave ndërkombëtare, të tilla si Konventa për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje dhe Konventa për Krimin Kibernetik. Ai monitoron progresin e shteteve anëtare në këto fusha dhe bën rekomandime nëpërmjet organeve të pavarura të ekspertëve për monitorimin. Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës nuk e zbatojmë me dënimin me vdekje”, thuhet në faqen e tyre zyrtare.

E gjithë kjo tingëllon shumë bukur apo jo? Në çka na shkon mendja vetvetiu është sa e sa çështjet relevante që mbizotërojnë temat më sfiduese në Kosovë do mund të adresoheshin përmes Këshillit të Evropës nëse anëtarësimi i Kosovës do të ndodhte. Rasti i Banjskës, trajtimi diskriminues e neglizhentë institucional ndaj komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë e shumëçka tjetër e një rëndësie jetike për qytetarët e Kosovës e sidomos për stabilitetin e sigurisë rajonale do mund të trajtohej, shumë më ndryshe se ç’është trajtuar sot, marrë parasysh raportet çdo herë e më të tensionuara me shtetin fqinj, Serbinë, shtuar këtu faktin se Serbia tash e shumë vite është pjesë e KiE-së.

Dalë ngadalë do dalim tek ajo se “ku gabuam që nuk arritëm të anëtarësoheshim, çfarë ndodhi, ku ia huqëm?”. Por si fillim shtrohet pashmangshëm pyetja se ç’indikacion na bëri të besojmë se kishin shpresa dhe mundësi reale të anëtarësoheshim në majin e këtij viti? Epo, kush tjetër pos deklaratave dhe komunikatave të lëshuara nga vetë zyrtarë të shteteve anëtare të KiE-së, me theks zyrtarët e Gjermanisë të cilët shprehën mbështetjen e tyre të plotë ndaj aplikimit të Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, ndërkohë që Franca shprehi dukshëm hezitimin e saj për një anëtarësim të mundshëm të Kosovës. Megjithatë, duhet përmendur se aplikimi nga ana e shtetit të Kosovës, e qe besa edhe optimizmi e entuziazmi më i madh erdhën pikërisht pas përjashtimit të Rusisë nga kyjo organizatë, e që erdhi si pasojë e pushtimit që kjo e fundit i bëri Ukrainës. Përjashtimi i Rusisë bëri të mundur që tashmë, 2/3 e shteteve anëtare të KiE-së të njihnin shtetësinë e Kosovës. Serbia me të dëgjuar mbështetjen e hapur të Gjermanisë ndaj këtij aplikimi, kërcënoi se nëse Kosova do arrinte të anëtarësohej, ajo do dilte vullnetshëm nga kjo organizatë, vetë.

Çka do të ndodhte një një skenar ku Kosova do ia kishte dalur të anëtarësohej në KiE? Pyetja, aq hipotetike sa është, edhe mund të ngritë pikëpyetjet e veta mbi potencën e realizimit të një gjëje të tillë, sidomos tash që e kemi dëshmuar se Kosova nuk e arriti një gjë të tillë. Mirëpo diçka është e sigurtë dhe e garantuar, në rast të anëtarësimit, Kosova do përfitonte jo pak, dhe këto përfitime do reflektonin qoftë në sferën politike, sidomos në atë të jashtmen ku doemos Kosova në tryezën e dialogut do shihej sadopak më e barabartë me Serbinë në aspektin e përfshirjes dhe subjektivitetit ndërkombëtar, qoftë në rrugët që do i ishin hapur në sferën ekonomike, e duke mos lënë pa përmendur aspektin juridik. Dhe ky aspekt juridik pikërisht ai në të cilin Kosova do kishte platformat që të mbronte qytetarët e saj të cilët jetojnë brenda dhe jashtë Kosovës, dhe që shtetasit e saj do mund t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nësë të njëjtit konsiderojnë se kanë hasur në shkelje të të drejtave nga institucionet e këtij shteti apo të cilitdo shtet tjetër anëtar të KiE-së.

Ku gabuam, çfarë (nuk) bëmë që nuk arritëm të anëtarësoheshim në KiE?

Nuk e dërguam draftin për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatë Kushetuese. Po pra. Përderisa çdo ditë të mundshme, në çdo hap, tentativë e çka jo tjetër çdo emisar ndërkombëtar vie e na thotë tekstualisht të njëjtat fjalë të tipit: “shtytja para e dialogut meSerbinë është faktori kyç i përparimit të Kosovës në cilëndo ndërmarrje që ndërlidhet me BE-në”. Dhe asociacioni është aty ku Kosova pritet të implementojë mekanizmat e saj shtetërorë. Çka pritet prej krerëve institucionalë që të bëjnë ishte që draftin e propozuar nga BE ta dërgonin në organin e vetëm prej të cilit kërkohet vlerësim sipas kushtetutës së Kosovës, dhe këta të fundit këtë nuk e bënë. Çfarë bënë në vend të kësaj? Ministrja e punëve të jashtme dërgoi një letër pak orë para se të votohej për anëtarësimin e Kosovës, në të cilën thoshte se një ditë të caktuar do dërgonin në Gjykatë Kushtetuese një draft të asociacionit të përpiluar nga fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung në Kosovë. Presidentja e Kosovës, e cila gjatë kësaj kohe ndodhej në SHBA u shpreh se nuk kishte dijeni për këtë letër, gjë për të cilën fajësoi ministren e jashtme se nuk e kishte lajmëruar e as nuk ishte konsultuar me të. Me fjalë të tjera hajgare. Dhe pse, do thonit ju krerët e Kosovës bënë aq shumë rezistencë që të dërgonin draftin në Gjykatë Kushtetuese? Sepse fillimisht janë në parim kundër themelimit të tij, dhe e dyta edhe po të mos ishin kundër një asociacioni me kompetenca jo vetëm ekzekutive, kjo qeveri nuk i beson organit të Gjykatës Kushtetuese, dhe me një mosbesim të tillë, hezitojnë në vazhdimësi që t’i lënë në dorë një vendimmarrje kaq thelbësore sa ajo e shqyrtimit të draftit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dhe siç edhe mund ta merrni me mend, ashtu siç edhe ndodhi më pas, Kosova nuk arriti të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Ndër të tjera, e mbase mbi të gjitha, kjo duhet parë si një mundësi tejet e mirë e humbur për komunitetet etnike që përballen me sfida në baza ditore në Kosovë e që në një përfundim tjetër do kishin mundësi të shihnin këtë organizatë si një krah për tu mbështetur për të drejtat e tyre fundamentale për të jetuar dhe për tu trajtuar dinjitetshëm.

Shkroi: Hanmie Lohaj

Previous articleAKTIVIZMI RINOR APO NEPOTIZMI RINOR?
Next articleRAPORTOHET EDHE PËR NJË VAJZË TË MITUR NË KOSOVË – RAPORTI I POLICISË MBI RASTIN: SKANDALOZ