KOSOVA MBAN ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË RADHËS – A DO SJELLIN KËTO ZGJEDHJE ZGJIDHJE?

Më 9 shkurt në Kosovë do mbahen zgjedhjet parlamentare. Fushata elektorale tashmë është drejt përfundimit. “Shyqyr Zotit!” do thoshte shumëkush. Por, çfarë kryesoi gjatë kësaj fushate dhe çfarë mendojnë të rinj e të reja në Kosovë do mund të lexoni në vijim të këtij artikulli.

Perspektiva Plus bisedoi veçanërisht me të rinj që janë votues për herë të parë, për të kuptuar përshtypjet e tyre mbi atë që është prezantuar deri më tani në programet e partive kandiduese në garë si dhe se çka ata presin nga këto zgjedhje.

Uma Nurkovic, 18 vjeçe nga Peja të dielën e 9 shkurtit do e shfrytëzojë për herë të parën të drejtën e saj për votim si qytetare e Kosovës. Ajo vjen nga komuniteti boshnjak nga ky qytet. Uma e sheh votën e saj jo vetëm si ushtrim të një të drejte por si mundësi të të qenurit pjesë e diçkaje më të madhe dhe se pret që këto zgjedhje të jenë një proces i drejtë në të cilën secila votë numërohët dhe se uron që liderët do punojnë drejt progresit dhe mundësive më të mira për të gjitha komunitetet etnike pa dallim.

Si votuese për herë të parë, ndihem e emocionuar sepse më në fund kam mundësinë të dëgjoj zërin tim. Mezi pres të shoh se si zgjedhja ime, së bashku me të tjerët, i jep formë të ardhmes. Mund të them që votimi nuk është thjesht një e drejtë, është një shans për të qenë pjesë e diçkaje më të madhe dhe jam krenare për këtë hap. Nga këto zgjedhje pres një proces të drejtë dhe transparent ku çdo votë të numërohet dhe respektohet. Shpresoj për liderë që do të punojnë drejt stabilitetit, përparimit dhe mundësive më të mira për të gjitha komunitetet”, tha Uma për Perspektiva Plus.

Uma përfundoi duke thënë se mbi të gjitha pret që këto zgjedhje të sjellin ndryshime që do përmisojnë jetën e përditshme të njerëzve dhe të kontribuojnë në një të ardhme me prosperitet dhe që zëri i qytetarëve të dëgjohet prej udhëheqësve duke bërë që ata të veprojnë dhe jo thjesht të bëjnë premtime gjatë fushatës.

Më e rëndësishmja, pres që këto zgjedhje të sjellin ndryshime pozitive që do të përmirësojnë jetën e përditshme të njerëzve dhe do të kontribuojnë për një të ardhme më paqësore dhe të begatë. Është e rëndësishme që partitë politike të dëgjojnë me të vërtetë njerëzit dhe të ndërmarrin veprime, jo vetëm të bëjnë premtime gjatë zgjedhjeve”, përfundoi duke thënë Uma.


Uma Nurkovic

Ndërkohë 19 vjeçari Omer Honsic, poashtu nga Peja, tha se është e rëndësishme që si të rinj të bëjnë një zgjdhje të bazuar në analizë të programeve të prezantuara nga partitë politike dhe jo të udhëheqen nga emocione të momentit.

Të drejtën për të votuar e konsideroj një nga privilegjet më të mëdha të demokracisë dhe një përgjegjësi qytetare me peshë të jashtëzakonshme. Të jem votues për herë të parë është një ndjenjë përzier mes entuziazmit dhe përgjegjësisë. Nga njëra anë, ndiej një emocion të veçantë që më në fund mund të ndikoj drejtpërdrejt në të ardhmen e vendit tim, të përzgjedh përfaqësuesit që do të marrin vendime me ndikim në jetën tonë të përditshme. Nga ana tjetër, jam plotësisht i vetëdijshëm se çdo votë ka peshën e vet dhe se është e rëndësishme të bëjmë një zgjedhje të informuar, të bazuar në analizë të thellë të programeve politike dhe jo në emocione të çastit apo ndikime të jashtme. Ky moment më bën të reflektoj për fuqinë që ka pjesëmarrja aktive në demokraci dhe për rëndësinë e ruajtjes së integritetit të këtij procesi. Duke qenë një qytetar i ri që merr pjesë në zgjedhje për herë të parë, ndihem pjesë e diçkaje shumë më të madhe se vetja – një mekanizëm që formëson të ardhmen e vendit dhe shoqërisë sonë”, u shpreh Omeri për Perspektiva Plus.

I pyetur se çka pret nga zgjedhjet, Omeri tha se një demokraci e mirëfilltë matet jo vetëm me rezultatet e zgjedhjeve por me mënyrën se si ato mbahen dhe se si qytetarë kemi nevojë për përfaqësues që e kuptojnë rolin e meritokracisë dhe atë të transparencës.


Omer Honsic

Nga këto zgjedhje pres para së gjithash një proces të drejtë, transparent dhe të pandikuar nga manipulimet apo presionet politike. Demokracia e shëndetshme matet jo vetëm me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, por edhe me mënyrën se si ato zhvillohen, me respektimin e të drejtave të votuesve dhe me mundësinë e çdo qytetari për të shprehur lirshëm vullnetin e tij. Po ashtu, pres që këto zgjedhje të sjellin ndryshime thelbësore në mënyrën se si politika e trajton interesat e qytetarëve, duke lënë pas retorikën boshe dhe duke u fokusuar në zgjidhje konkrete për problemet që na prekin të gjithëve. Në një shoqëri ku shumë të rinj po përballen me mungesën e perspektivës dhe emigrimi është bërë një zgjidhje e zakonshme, shpresoj që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të reflektojnë një ndryshim të vërtetë dhe të sjellin politika që krijojnë mundësi reale për zhvillim. Më shumë se kurrë, kemi nevojë për përfaqësues që e kuptojnë rëndësinë e investimeve në arsim, ekonomi dhe drejtësi sociale, si dhe për një qeverisje që promovon meritokracinë dhe transparencën”, u shpreh Omeri.

Ky 19 vjeçar gjithashtu shprehi shqetësim mbi mungesën e politikave cilësore për të rinjtë, duke përmendur këtu një sërë çështjesh e deri tek mungesa e politikave që do kontribuonin në një mjedis më të pastër.

Në shoqërinë tonë ka një sërë sfidash që kërkojnë adresim urgjent nga politika, por ajo që më shqetëson më shumë është mungesa e politikave të qëndrueshme për të rinjtë. Dëshiroj të shoh ndryshime rrënjësore në mënyrën se si trajtohet edukimi, duke kaluar nga një sistem i ngurtë dhe teorik, në një model që promovon mendimin kritik, inovacionin dhe përgatitjen reale për tregun e punës. Gjithashtu, do të dëshiroja të shihja më shumë angazhim për drejtësinë sociale, duke siguruar që të gjithë qytetarët, pavarësisht prejardhjes apo statusit ekonomik, të kenë akses të barabartë në mundësi dhe shërbime bazike. Një tjetër çështje thelbësore është transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve. Jetojmë në një kohë ku besimi i qytetarëve tek politika është në nivele të ulëta, dhe kjo mund të ndryshojë vetëm nëse përfaqësuesit tanë tregojnë një angazhim të sinqertë për reforma të vërteta dhe për një administratë publike që nuk funksionon mbi bazën e nepotizmit apo korrupsionit. Më në fund, një aspekt i rëndësishëm që duhet trajtuar është mjedisi. Politikat për mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm shpesh anashkalohen, por ato janë kyçe për një të ardhme më të shëndetshme dhe më të sigurt për brezat që do të vijnë. Këto janë disa nga ndryshimet që do të doja të shihja të adresuara nga partitë politike, dhe besoj se qytetarët duhet të jenë më kërkues ndaj atyre që pretendojnë t’i përfaqësojnë”.

Ai si përfundim bëri thirrje për vetëdije më të madhe qytetare dhe seriozitet më të madh drejt daljes për të votuar duke mos i parë këto zgjedhje si një akt formal por përmbajtësor.

Përveç rëndësisë së vetë procesit zgjedhor, ajo që dua të theksoj është nevoja për një vetëdije më të madhe qytetare. Shumë njerëz ende e shohin votën si diçka të parëndësishme, një veprim formal pa ndikim real në jetën e tyre të përditshme. Por në të vërtetë, çdo votë është një akt i fuqishëm që përcakton drejtimin e një vendi për vite me radhë. Pikërisht për këtë arsye, duhet të kemi një qasje më kritike ndaj politikës, të mos lejojmë që emocionet apo manipulimet të na udhëheqin, por të marrim vendime të bazuara në analiza të hollësishme të programeve dhe qëndrimeve të kandidatëve. Personalisht, këto zgjedhje i shoh si një mundësi për të ripërcaktuar prioritetet tona si shoqëri. Jam i vetëdijshëm për sfidat që ekzistojnë, por gjithashtu besoj se çdo brez ka një detyrim moral për të kontribuar në përmirësimin e situatës. Nuk ka vend për indiferencë, sepse indiferenca është ajo që i mundëson sistemit të mbetet i pandryshuar. Votimi nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një detyrim ndaj vetes dhe brezave që do të vijnë pas nesh. Prandaj, këto zgjedhje nuk janë vetëm një akt formal, por një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë, më të barabartë dhe më të zhvilluar për të gjithë”, përfundoi duke thënë Omeri.

25 vite pas përfundimit të luftës, në Kosovë vazhdojmë të mos kemi furnizim të pandërprerë me rrymë, njëlloj nuk ka ujë pa ndërprerje, dhe cilësia e ajrit me theks të veçantë në kryeqytetin e Kosovës është ndër më të dobëtat në rajon, e ndonjëherë në glob. Asnjë prej këtyre temave nuk është ngritur deri tash, të paktën nuk është trajtuar në mënyrë serioze në asnjërin program të prezantuar deri më tani. 25 vite pas përfundimit të luftës, qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë sigurime shëndetësore. Arsimi bazuar në rezultatet e testit PISA është ndër më të dobëtit për kah cilësia. Mbase, këto zgjedhje do prodhojnë zgjidhje, ndonëse në fushatë nuk është ofruar asnjë. E fushata? Fushata u dallua për plot fyerje, linçime, ofendime e krahasime ofenduese. Si asnjë më parë.

Shkroi: Hanmie Lohaj

Previous articleQYTETARË SERBË NË KOSOVË PROTESTOJNË KUNDËR LIDERSHIPIT NË SERBI