“PSE VDIQ VAJZA IME?”, PYET ARJANA HAJRA

Emergjenca e Kosovës, Prishtinë: Vendi ku ndërroi jetë 4 vjeçarja

Imagjinoni se jeni një nënë në të tridhjetat e hershme, vajza juaj dje ju ka thënë se nuk po ndihet mirë, ju i keni vërejtur ndryshime në lëkurë, dhe kur e dërgoni tek mjekja e mjekësisë familjare kjo u thotë t’i jepni një shurup dhe “t’i thoni burrit që ta qes pak me u flladitë e me marrë ajër të pastër”. Dhe të nesërmen e gjen veten në spitalin e qytetit me vajzën në krahë, e cila përpëlitet nga dhimbjet duke u endur korridoreve të spitalit, herë duke hipur në kat të dytë e herë duke zbritur në atë të parin sepse punëtorët shëndetësorë e infermieret e katit të parë të thonë shko në atë të dytin, e ata të dytit të thonë shko prit në kat të parë. Dhe kështu kalojnë as më pak e as më shumë se katër orë dhe ti akoma pret duke mos ditur se ç’po bëhesh me vajzën katër vjeçare që po të përpëlitet në gjoks. Gjendja e vajzës tënde veçse po përkeqësohet, ti nuk di më as se ç’po bëhet vërdallë, pse askush nuk po të merr në dorë tët bijë, dhe pse asnjë mjek nuk po kryen shërbimin për të cilin ti ke sjellur bijën tënde aty. Kur pritja më në fund mbaron, fëmija yt përfundon në inkubim. Nga inkubimi vajzën tënde e marrin e e dërgojnë në Emergjencë në Prishtinë por ty nuk të lejojnë të shkosh me të në të njëjtën makinë. Ty as nuk të tregojnë se ku po e dërgojnë. Nga e gjithë kjo huti, ankth e pabesi se çfarë po ndodhë para syve të tu, duke mos pasur asnjë informatë më shumë se ç’të japin, apo çfarë nuk të japin, ti gjen një veturë me bashkëshortin tënd dhe arrin në lokacionin ku e kanë dërguar vajzën tënde. Kur arrin në emergjencën e kryeqytetit, e gjen vajzën tënde, të vdekur. Fëmija yt ka ndërruar jetë! Po, ajo nuk është më. A mundët të imagjinoni që një situatë e tillë t’ju ndodhë juve? Epo nëse jo, atëherë janë dy mundësi: nuk jeni pjesë e një komuniteti pakicë në Kosovë, siç ishte Melisa Shala, 4 vjeçarja egjiptase që vdiq në rrethana të paqarta dhe nëna e saj Arjana Hajra, ose/dhe nuk jeni ballafaquar kurrë me sistemin shëndetësor të një shteti si Kosova.

Nëna e Melisës, Arjana Hajra në foto.

Prindërit e Melisës akoma nuk e dijnë çfarë ka ndodhur me të anipse Melisa ka ndërruar jetë më 19 shkurt të këtij viti. Vajza i ishte ankuar të ëmës pak ditë para se të vdiste se e kishin rrahur brutalisht gjatë një vizite tek një i afërm i tyre, mjekja që i kishte dhënë shurupin kishte aluduar në asgjë serioze, ndërkaq si raport final institucioni në të cilin kishte ndërruar jetë Melisa kishin thënë se vajza e vogël kishte vdekur nga një infeksion. Të gjitha këto deklarime më kundërthënëse se kaq nuk kanë se ku të shkojnë. Policia e Kosovës ka njoftuar se është nisur hetim i vdekjes si procedurë mbi rastin. Lajmin në mënyrë ekskluzive për publikun e solli gazetarja Dea Dedinca nga RTV Dukagjini një ditë pas vdekjes së Melisës.

Reagim publik pati nga të gjithë, duke filluar nga shoqëria civile e organizatat joqeveritare e duke vazhduar me zyrën e avokatit të popullit e deri tek ministri i shëndetësisë.

Human Rights Network doli me deklaratë në të cilën ndër të tjera u tha: “Jemi thellësisht të tronditur dhe të shqetësuar nga ngjarja tragjike e fundit në Gjakovë, ku një vajzë e re 4 vjeçare humbi jetën në rrethana që sugjerojnë një neglizhencë të rëndë mjekësore dhe diskriminim të mundshëm. Ky ngjarje e rëndë nuk ka lënë vetëm një familje në dhimbje të papërballueshme, por ka ngritur edhe shqetësime serioze në lidhje me standardet e praktikës mjekësore dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në shoqërinë tonë. Vajza e vogël, raportohet të jetë pjesëtare e një komuniteti etnikisht të marginalizuar, e cila ju nënshtrua një sulmi të dhunshëm, duke marrë lëndime që kërkonin kujdes mjekësor të menjëhershëm dhe të kujdesshëm. Fatkeqësisht, pretendimet sugjerojnë se përgjigja mjekësore që ajo kishte marrë ishte shumë e jo-adekuate, duke ngritur pyetje në lidhje me faktorë si diskriminimi etnik dhe sa ka luajtur rol kjo në nivelin e kujdesit të dhënë”.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, në faqen e tij në Meta tha se “Një fëmijë e moshës katër vjeçare e komunitetit jo shumicë humb jetën në rrethana të dyshimta në një spital publik. Nuk duhet të paragjykojmë veprimet ose mos veprimet nga ana e stafit mjekësor. Por kërkesa për tu sqaruar rrethanat e rastit dhe për tu siguruar se ka pasë ose s’ka pasë trajtim të papërgjeshëm mjekësor duhet të jetë e patjetërsueshme. Në aspektin njerëzor, moral dhe etik, Ministri i Shëndetësisë do të duhej të interesohet, sqarohet dhe të deklarohet në publik kur një fëmijë katër vjeçar e humbë jetën. Njëjtë do të duhej të vepronin edhe ministra e pozita tjera udhëheqëse. Po ja që aspekti njerëzor, etik e moral është zëvendësuar me agjenda politike dhe monetare, fatkeqësisht.”

Babai i Melisës duke pritur të afërmit për varrim dhe kryeshëndoshë

Ne ngelemi me pyetjen se pse vdiq Melisa dhe se a do kishte vdekur sikur të mos ishte lënë duke pritur katër orë pa iu ofruar shërbim mjekësor. Mbi të gjitha në do ishte lënë të priste aty për orë të tëra po kishte qenë entikisht fëmijë i komunitetit shumicë. Si përfundim, Melisa dhe fëmijë e anëtarë të tjerë që nuk janë shqiptarë në Kosovë, pos serbëve, lihen në mëshirë të fatit, duke e ditur ne të tjerët mjaft mirë se përderisa partive politike asnjë politikë sado domethënëse që do mund të kontribuonte tek komunitetet joshumicë ne Kosovë nuk ju sjellë vota, gjendja e mirëqenia e komuniteteve të margjinalizuara në Kosovë do vazhdojë të jetë buzë greminës. Kanë kaluar ditë, e do kalojnë edhe shumë të tjera, e fati i Melisës nuk do zbardhet, apo mos vallë nuk ka nevojë të zbardhet, sepse ne veçse e dimë pse ajo nuk është më në mesin tonë. Ajo nuk është më me neve, sepse pagoi çmimin e të jetuarit mes nesh.

Shkroi: Hanmie Lohaj

Previous articleVETËM SHPRESA MBETET NGA IDETË E GJINGJIC
Next articleTË LEXOSH DO TË THOTË TË MOS JESH PA FJALË