FATON HAJRIZI: JO HERO POR DËSHTIM I SHTETIT E I SHOQËRISË KOSOVARE

Të gjithë po flasin për motivet që shtynë Faton Hajrizin, një të burgosur të arratisur shqiptar, që të vriste policin serb. Madje diskursi i këtij diskutimi mbarëkombëtar po varion, e që folja e duhur do ishte: devijon, duke filluar nga mveshja e figurës së tij si hero kombëtar e deri te glorifikimi i të bëmave e jetës së tij, të cilat s’janë gjë tjetër pos krime të njëpasnjëshme. Në Kosovë kështu po zhvillohet diskutimi për të në mesin e të vjetërve e të rinjëve, në Serbi e në rajon emri i tij po kryeson të gjithë titujt e gazetave e lajmeve, një pjesë e mirë e të cilave, sidomos në Beograd, duke e mveshur qeverinë e shtetin e Kosovës me vrasjen që ai shkaktoi pak ditë më parë. Ai është kryefjala e të gjitha gojëve që prej javës së shkuar. Por, cilat janë tonet në të cilat duhet të flasim për këtë njeri? Dhe cili është roli i shtetit e shoqërisë kosovare për epilogun që morri historia e tij?

E udhës do të ishte që historia e tij të tregohet saktë dhe drejt. Dhe të mos flitej për të duke përdorur cilësime nacionaliste e duke u thirrur në ngjyrime patriotike kombëtare, por të mirreshin në konsideratë rrethanat dhe rrjedha e historikut të tij si i burgosur e recidivist për hic më pak se 23 vitet e fundit. Dhe këtë do arrini të gjeni në këtë shkrim; një pikëpamje sa më racionale, objektive dhe njëkohësisht humane ndaj asaj që bëri, trajtimit institucional që (s’)morri dhe dorën që pati shteti në tërë këtë çështje.

Historia e tij si emër me historik kriminal fillon shumë herët për të. Ishte viti 2000, pak muaj pas luftës kur Fatoni vetëm 14 vjeçar ia merr nga dora kallashnikovin një ushtari rus të KFOR-it dhe e lë atë të vdekur në vend, pas një fjalosje me të në të cilën Fatoni thotë se ushtari kishte sharë shqiptarë. Fatoni rrëfeu se ishte i traumatizuar nga çka kishte parë e përjetuar në luftë dhe se “rusët janë të njëjtë me serbët”. Ky i mitur i shoqëruar nga prindi i tij shkon dhe vetëdorëzohet tek forcat e atëhershme të rendit dhe ligjit në Kosovë të cilat pas pak kohësh e dënojnë me 6 vite burg efektiv. Mirëpo, në bazë të dëshmive të tij dhe të atyre që kanë mbajtur burg bashkë më të, Hajrizi ka qenë i maltretuar dhe i trajtuar në mënyrën më jo korrekte të mundshme. Ai ka pretenduar se është mbajtur me vite të tëra në qeli vetmie pa kushtet as më esenciale dhe se kur është liruar nga kushtet e vetmisë në qeli e kanë vendosur me kriminelë të shkallës më të rëndë, me vrasës e përdhunues serialë të moshës madhore. Për më tepër, ai është dërguar për pjesën më të madhe të dënimit që ta mbajë në burgun e Mitrovicës së Veriut duke e lënë në qeli vetëm me të burgosur të nacionalitetit serb. Ai pas këtyre maltretimeve arrin të arratiset dhe atë jo vetëm një herë, por plot nëntë herë. Viti 2024 ka shënuar vitin e 17-të të qëndrimit në burg të Fatonit. Zgjatja e dënimit të tij vie si pasojë e arratisjeve të shumta si dhe krimeve të kryera gjatë periudhave në arrati duke u bërë kështu autor i dhjetëra grabitje të armatosura nëpër dyqane në Kosovë.

Një poster i vendosur nga dy persona të maskuar në qytetin e Podujevës, në shenjë nderimi për Faton Hajrizin dhe vrasjen e policit serb ku thuhet: Dy duar për një kokë, dhe kokën për atdhe. / credits: Perspektiva Plus

Neni 3 i kodit NR.03/L-193 të drejtësisë për të mitur në Republikën e Kosovës pa mëdyshje mund të konsiderohet si një prej neneve më të perfeksionuara për garantimin e trajtimit sa më dinjitoz e efektiv për risocializim të të burgosurve të mitur, sepse ai ndër të tjera thotë se “sistemi i drejtësisë për të mitur synon mirëqenien e të miturit dhe siguron që çdo reagim ndaj kryerësve të mitur të jetë gjithmonë në proporcion me rrethanat e kryerësit dhe veprës penale” dhe se “gjatë kohës se privimit nga liria, i shqiptuar si dënim, kryesit të mitur i ofrohet edukim, ndihmë psikologjike, sipas nevojës, edhe ndihmë mjekësore, për ta lehtësuar rehabilitimin e tij.Çdo i mitur i privuar lirie trajtohet me humanizëm për hir të dinjitetit të personalitetit të tij njerëzor, dhe me atë rast merren parasysh nevojat personale të moshës së tij. Në veçanti, çdo i mitur i privuar lirie ndahet nga madhorët, përpos nëse konsiderohet se është në interes të miturit të mos ndahet, dhe gëzojnë të drejtën e mbajtjes së kontakteve me familjen e tij përmes korrespondencave dhe vizitave, përveç rrethanave të jashtëzakonshme të përcaktuara me ligj. Për t’iu shmangur lëndimit për shkak të publicitetit të tepruar ose etiketimeve, e drejta e fëmijëspër privatësi respektohet në të gjitha fazat. Në parim, nuk publikohet asnjë informacion që shpie në identifikimin e kryerësit të mitur”. Megjithatë në bazë të dëshmive të prindërve, familjarëve të tij dhe vetë atij të gjitha këto pika iu janë cënuar e shkelur Fatonit.

Në bazë të këtyre të dhënave mund të shihet qartë se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dështuar në risocializimin e Fatonit, për më tepër ka dështuar ta ndalojë atë që të ikë nga burgu jo një, por nëntë herë me radhë. Ndonëse është temë tjetër pretendimi i tij se të gjitha arratisjet janë motivuar nga tentimi për tju ikur maltretimeve të tmerrshme që i janë bërë nga zyrtarë të shërbimit korrektues me pretekstin se “kam ikur sepse kam menduar që nuk do mund tu mbijetoj maltretimeve e dhunës psiqike e fizike”.

Mensut Ademi, profesor i kriminalistikws tha se “Ka qenë i mitur, institucionet nuk kanë arritur ta socializojnë e rehabilitojnë. Shkenca thotë se nëse nuk rehabilitohet, nga një i mitur mund të dalë një kriminel profesional”

Ish-drejtori i burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj, i kontaktuar nga Perspektiva Plus pranoi se përgjegjësia për ikjet e tij i takon shtetit dhe se institucionet kanë dështuar plotësisht në këtë aspekt si pasojë e joprofesionalizmit.

Ai kishtë thënë kështu: “Jo, jo, jo nuk është e drejtë ajo që të dënohesh për se di sa vepra penale edhe për nëntë herë ikje (arratisje). Pa marrë parasysh, është dashur të jetë grupi i ekspertëve, psikologë, sociologë që edhe ata ta japin vizën, jo kështu…Është një minus i madh (për Shërbimin Korrektues të Kosovës)… që nuk kanë punuar në mënyrë profesionale. Një herë apo dy herë përmirësohet apo çka po di unë, mirëpo nëntë herë në këtë mënyrë më tinëzare”, tha Zogaj.

Një poster i vendosur nga dy persona të maskuar në qytetin e Podujevës, në shenjë nderimi për Faton Hajrizin dhe vrasjen e policit serb ku thuhet: Dy duar për një kokë, dhe kokën për atdhe. / credits: Perspektiva Plus

Sot, na ndajnë pak orë nga krimi i tij i fundit, ai ka vrarë para pak ditësh një polic serb gjatë arratisë së tij të 9-të. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç ka njoftuar se Faton Hajrizi është vrarë në afërsi të Loznicës.

Ministrja Haxhiu në anën tjetër, në vend që të fliste për përgjegjësinë e shërbimit korrektues të Kosovës, si dhe të institucionit që drejton ajo njëkohësisht edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ngriti dyshime se në arratisjet e tij të fundit gisht mund të kenë grupe kriminale nga Serbia.

Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës. Ofrimi i territorit të Serbisë si mburojë ndaj ndjekjes së organeve penale të Republikës tonë i shërben krimit dhe kontribuon hapur cenimit të stabilitetit institucional e ligjor të Republikës së Kosovës. Shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior”, tha Haxhiu.

Përderisa mediat serbe dhe institucionet atje raportojnë se policia serbe e ka vrarë Fatonin, në Kosovë audienca shqiptare ka krijuar imazhin e heroit për të, në atë masë saqë edhe e vënë në dyshim vdekjen e tij. Është shumë e rëndësishme që të arrihet konsensusi shoqëror sidomos në narrativën që kanë krijuar të rinjtë se Fatoni nuk ishte hero, dhe se aktet e vrasjet që ai kreu nuk janë veprime patriotike, përkundrazi ato i bëjnë vetëm dëm shtetit të tyre e edhe stabilitetit rajonal dhe se si shtet e shoqëri duhet të përdorim mekanizmat ligjorë që të ri-integrojmë e risocializojmë të burgosurit qofshin ata të mitur apo jo, sepse ndër të tjera ky edhe është qëllimi më human i mbajtjes së dënimit – dhënia e një mundësie të dytë, besimi në përmisim eventual.

Shkroi: Hanmie Lohaj

Previous articleALBKINGS – GRUPI NË TELEGRAM QË SHANTAZOI QINDRA VAJZA NË KOSOVË
Next articleZJARRET NË MAQEDONINË E VERIUT