“ALBKINGS”, si shkurtesë që u referohet “Albanian Kings”, është një grup i cili ishte hapur rreth fundit të vitit 2023 në rrjetin social Telegram. Në këtë grup anëtarët konsistojnë në të qenurit ekskluzivisht djemë e burra shqiptarë, dhe që nga hapja e tij këtu filluan të shpërndahen materiale pornografike, foto nudo, e montime nga më të ndryshmet të vajzave e grave shqiptare. Që nga hapja e tij, nuk u deshën shumë javë që numri i anëtarëve të këtij grupi të kalonte shifra marramendëse. Ky grup arriti të grumbullojë hiç më pak se mbi 100 mijë anëtarë, pra mbi 100 mijë burra e djemë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e edhe nga diaspora. Tashmë, aplikacioni Telegram nuk ishte platformë e përdorur pak në Kosovë. Ky grup u shëndërrua në platformë kriminale, dhe jo vetëm. U shëndërrua në terror për vajzat e gratë shqiptare. Djemë e burra filluan të shantazhojnë të dashurat e tyre e vajza me të cilat komunikonin në rrjete sociale me shpërndarje të fotove e videove të tyre intime në rast se ato nuk bënin çka ata kërkonin në këmbim. Disa kërkonin para që të mos u publikonin fotot e videot, e të tjerë kërkonin favore seksuale e ç’mos tjera. Në rast se vajzat e gratë e shantazhuara nuk pajtoheshin me çka u kërkohej, fotot e tyre intime, përfshirë edhe video të tyre të realizuara herë me dijeni e herë pa dijeni të tyre, shpërndaheshin në këtë grup duke i bërë kështu ato subjekt të një terrori të pashpjegueshëm me fjalë. Viktimat e këtij terrori fillonin që nga vajza minorene, pra nën 18 vjeç e deri në gra me fëmijë, të moshës së mesme. Megjithatë, bazuar në të dhënat që prokuroria ia dha Perspektiva Plus-it, shumica dërrmuese e viktimave janë vajza të grupmoshës së re; duke filluar nga 15 deri në 27 vjeç.
Një shtatëmbëdhjetë vjeçare, nxënëse e shkollës së mesme në Kosovë, për Kiks Kosova në mënyrë anonime, duke qenë cak e viktimë e shantazhit dhe shpërndarjeve të pamjeve të saja intime kishte rrëfyer kështu: “Unë jam shtatëmbëdhjetë vjeçare, kam qenë në fitness dhe diku pas 2-3 orëve më ka ardhë një mesazh nga një shoqe e imja ku thoshte se më kanë qitë në Telegram. M’i dërgun fotot që m’i kishin postu, jam tmerru kur i kam pa. Me fotot të tjetërkujt, më kanë ba montazh. Mua më ka shkaktuar shumë problem psiqik, të gjithë familjarët po më shkruajnë se më kanë postuar në Telegram, as këta nuk e kanë pritur fare mirë. Jam shumë shumë keq. Më ka prekur shumë në psiqikë, nuk po mundem as me u kfjellë. Unë jam shoku kur e kam kuptuar sepse ato nuk janë fotot e mia, jam shokuar sepse nuk jam ai lloj personi që e bi punën me më postu dikush. Në foto monatazhë ka qenë ftyra ime dhe një trup I një vajzës tjetër dhe e kanë ba montazh. E kanë shpërnda edhe një numër me kontaktu me mu. Familja e kanë pritë shumë keq, as nuk janë tu m’folë. Vendosa me folë sepse e pashë që këtë fenomen me këtë grup nuk po e merr askush seriozisht. Desha që të paktën një femër të flasi për këtë punë, të tregojë çka po ndodhë e jo ta mbyllim gojën”.
Pas raportimeve të shumta, e tronditjes së shumë jetëve vajzash e grash, shantazheve të panumërta e mijëra shpërndarjesh fotosh, videosh e numrash të kontaktit të qindra e dhjetëra vajzave e grash policia e Kosovës arrestoi shtatë persona, prej të cilëve anëtarë dhe administratorë të grupit. Njëri prej administratorëve doli të jetë një djalë vetëm 19 vjeçar.
Hetimet lidhur me këtë grup kishin filluar me gazetarinë hulumtuese të gazetareve si Ardiana Thaçi e cila pasi publikoi mbi rastin dhe vëri në pah veprimet inkriminuese që po bëheshin duke përdorur këtë platformë, e përjetoi këtë dhunë, maltretim, e terror edhe në vetë lëkurën e saj. Asaj në shenjë hakmarrjeje ju shpërnda numri në këtë grup dhe për javë me radhë morri thirrje e mesazhe të panumërta duke i krijuar kështu shqetësim të vazhdueshëm në jetën familjare e personale. Këto thirrje e mesazhe përfshinin përmbajtje nga më të tmerrshmet duke mos shqetësuar e ngacmuar vetëm atë por edhe fëmijët, bashkëshortin e familjen e saj.
Kjo është ajo që Ardiana tha lidhur me rastin: Sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë po mban konferencën për media në lidhje me hetimet për rastin AlbKings. Si një nga gratë që u shënjestrua nga ky grup i frustruar, pres që numri i të arrestuarve të mos jetë njëshifror, por shumë më i madh. Unë uroj shumë që gjykimi për ta të jetë publik dhe mediatik, në mënyrë që morali (koncepti më burrëror i burrave në Kosovë) të shpërfaqet, dhe që dhuna psikike që gratë përjetojnë të lehtësohet. E them shpesh se unë mund të ballafaqohem me secilin individ që më del përpara, edhe ata që fshihen prapa të tjerëve. Ama, kjo luftë e fëlliqur është shumë e rrezikshme për të gjithë edhe për mua. Maniakët janë kudo, edhe në mesin tone.
Ky grup përfundimisht morri epilog duke u mbyllur nga institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë afro 8 muaj pas hapjes, mirëpo dëmi që i është shkaktuar viktimave vazhdon të mbetet i patrajtuar dhe pasojat vazhdojnë të jenë tejet të mëdha për shëndetin e tyre mendor si dhe marrëdhëniet e tyre me me shoqërinë përreth.
Shkroi: Hanmie Lohaj