HISTORIOGRAFIA NË BALLKAN: MITE ME THASË, FAKTE ME GRIMASË

Kopertina e librit me të njëjtin titull, shkruar nga Barbara Jelavich, e përdorur për qëllime ilustrimi

Si është e shkruar historia në Kosovë? Çka mësojnë nxënësit e të rinjtë në Kosovë për historinë e shtetit të tyre dhe të shteteve përreth? Çfarë përmbajtje ka kjo “histori”? Ku është e bazuar nëse veç është e bazuar diku? Çfarë impakti ka ky ligjërim e diskurs për krijimin e pjekjen e miteve të cilat veçse shtresohen në rajonin e Ballkanit Perëndimor? Kujt i konvenon krijimi i këtyre narrativave të pabazuara në fakte? Si erdhën deri në pikën që pothuajse gjithçka që mësojmë është folklor dhe gjithçka mbi të cilën predikojmë janë folklorizma?

Të gjithë këto pyetje edhe mund të kenë përgjigje, në fakt ato kanë që ç’ke me të. Pyetja e vërtetë është nëse do vijë dita ndonjëherë që kjo vazhdë të ndalojë, që të mos manipulohet me një shkencë të një rëndësie kaq themelore si historia, kur do të vie dita që faktet të interpretohen saktë. Kërkoj ndjesë këtu! Faktet nuk kanë nevojë për interpretim, mitet po, trillimet po e po. Është kaq e thjeshtë, faktet thjesht duhet thënë ashtu siç janë, ngjarjet përshkruhen, folklorizmave në anën tjetër siç janë të trilluara, u duhen metaforizma dhe hiperbolizime e interpretime bardhë e zi që të krijojnë efektet për të cilat edhe janë shpikur në rend të parë.

Rreziku që praktika e historiografisë së shkruar me bazë në mite ushqen nuk është thjesht ligjërim i të pavërtetës, por edhe vazhdimësia e raportit të keqësuar ndëretnik dhe i shtresimeve negative kulturore në Ballkan. Nuk mund të ndërtohet as ndërveprim, e aq më pak harmoni e paqe, ose thënë në termat e stërnjohur diplomatikë, stabilizim ndëretnik e rajonal nëse nuk fillojmë të shohim nga vetvetja, nëse nuk fillojmë të reflektojmë mbi atë se kush jemi, çfarë kemi bërë dhe çfarë kemi shkaktuar.

Ne, të rinjët e Ballkanit krejt çka dijmë të bëjmë në baza ditore, është të mburremi me atë se kush secili prej nesh është, kjo në shpinë të asaj se çka secila akademi e shkencave shkruan për qytetarët e etnisë shumicë në shtetit përkatës, atë me pompozitet të tepruar duke mos kursyer asnjëherë interpretimet historike të këtij apo atij teksti. Kjo më së miri reflektohet në ndërveprimin më të zakonshëm në rrjetin social X (ish-Twitter) të ta zëmë shqiptarëve të Kosovës me serbët e Serbisë, apo ndërmjet kroatëve të Kroacisë dhe serbëve të Serbisë e kështu me radhë. Kjo audiencë në mbi 90% (me marzhë të vogël gabimi) është audiencë e re në moshë.

Problemi kyç i interpretimit të pasaktë dhe jofaktik të historisë dhe ngjarjeve të cilat kanë zënë vend qoftë edhe pak dekada më parë shihet më së miri tek tekstet e historisë nga të cilat mësojnë nxënësit që nga klasa e pestë e shkollës fillore e deri në përfundim të asaj të mesmes.

Më poshtë mund të gjeni vetëm disa nga shembujt më tipikë të asaj se çfarë gjendet në librat e historisë së dy prej shteteve ku ky fenomen gjendet më së rëndi i përhapur. E përbashkëta e teksteve të historisë në shtetet e poshtëpërmendura është se në këto përmbledhje ka qenë shumë e vështirë të vendoset se nga të fillohet. Shkarjet janë mëse të mëdha, dhe gabimet shumëfish më skandaloze.

KOSOVË

Publicisti Shkëlzen Gashi, njëkohësisht një prej më të zëshmëve në Kosovë mbi përmbajtjen e teksteve të historiësë kishte thënë për KTV-në se “Varet se cili duket për dikë problemi më i madh, dikujt mund t’i duket problemi më i madh prezentimi i prejardhjes shqiptare në këto tekste mësimore, dikujt mund t’i duket problemi më i madh prezentimi i historisë së Kosovës në kuadër të Perandorisë Osmane, që në këto tekste prezentohet ekskluzivisht negativisht si periudhë e errët në të cilët shqiptarët veç kanë vujtë edhe nuk kanë bo kurgjo tjetër. Ka qenë kohë e sundimit ajo kohë, por jo kohë e pushtimit pesë shekullor, sepse kur zgjatë pesë shekuj ajo nuk mund të quhet më pushtim, sidomos kur ka bashkëjetesë dhe kur ka përfaqësim të shqiptarëve në atë sistem. Dikujt mund t’i duket prezantim më problematik kjo periudha e periudha prej vitit 1912 e deri te viti 1999 kur Kosova ishte nën sundimin serb, përkatësisht jugosllav”, kishte thënë publicisti Gashi.

E i pyetur ndër të tjera specifikisht për prezentimin e luftës së fundit në Kosovë, në tekstet e historisë, Gashi tha kështu: “Prezentimi i luftës së fundit në Kosovë jo që nuk i kontribuon pajtimit, por e kundërta, i ndihmon ndarjes apo thellimit të mëtutjeshëm të ndarjes në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Janë disa karakteristika në tekstet në Kosovë por edhe atyre në Serbi për sa i përket prezantimit të luftës së fundit në Kosovë. Problematik është prezantimi i krimeve, i krimeve që kanë ndodhur në Kosovë gjatë vitit ‘98-‘99 sepse prezentohen vetëm krimet që janë kryer prej forcave serbe dhe këto krime ekzagjerohen dhe në të shumtën e rasteve nuk kuantifikohen, nuk përdoret një gjuhë e saktë, një gjuhë shkencore por përdoren fraza për të cilat lirisht mund të themi se janë të dëmshme për shëndetin mental të fëmijëve, sidomos duke pasur parasysh sistemin arsimor këtu që kërkon prej fëmijëve me u mësu mekanikisht gjithçka që shkruhet në tekstet mësimore. Përshembull një prej frazave që i përshkruan krimet që kanë ndodhur këtu është diçka e tillë: ‘Skena të llahtarshme të barbarisë së eskadroneve gjakatare fashiste serbe”. Do të ishte më mirë të prezentohen saktë këto të dhëna, për këto krime që kanë ndodhur, duke ju referu përshembull Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd që udhëhiqet prej Natasha Kandiq ose Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. Të dy këto organizata kanë thënë se numri të vrarëve është diku tek tetë mijë civilë të pafajshëm të vrarë prej forcave serbe, ndërsa nëse shohim se si paraqiten në tekstet mësimore të historisë për shkollat fillore dhe të mesme ai paraqitet diku tek 20,000 mijë. Ne për çdo vit i ribotojmë këto tekste nga 30,000 ekzemplarë dhe për çdo vit i keqinformojmë fëmijët tanë. Krimet që janë kryer nga individë të UÇK-së, siç e thotë edhe raporti i Dick Marty-it dhe raporti i Klint Williamsonit, edhe vetë KMDLNj-ja dhe Fondi për të Drejtën Humanitare kanë thënë se ka pasur të vrarë serbë dhe minoritarë të tjerë në Kosovë dhe se numri i tyre sillet tek 1000-shi. Dhe kjo do ishte shumë korrekte të prezentohej në tekstet tona. Këto të dhëna prezentohen në tekstet e historisë së Serbisë mirëpo këto dyfishohen edhe tekstet e historisë së Serbisë e bëjnë të njëjtën gjë sikur tekstet e historisë në Kosovë, e dyfishojnë numrin e të vrarëve. Për mua është krejt në rregull që tekstet në Kosovë dhe ato në Serbi ta prezentojnë ndryshe çlirimin, përkatësisht okupimin e Kosovës, por nuk është korrekte të shtrembërohen faktet ose të mos prezentohen fare”, tha Gashi.

Publicisti dhe aktivisti i shoqërisë civile tha se nuk duhet tu ofrohen të rinjëve vetëm përfundime bardhë e zi, dhe se mosprezantimi i fakteve ndikojnë dëmshëm tek nxënësit. Në të kundërtën ata duhet inkurajuar për të zhvilluar mendim kritik dhe aftësi debatuese.

Dhe mendoj që është shumë me rëndësi të prezantohen bashkëpunimet shqiptaro-serbe që kanë ndodhur jo vetëm gjatë luftës së fundit por përgjatë gjithë historisë, prej ndoshta periudhës së sundimit mesjetar serb, prej vitit 1355 e këndej, derisa Kosova është futur nën sundimin e perandorisë osmane. Te lufta e fundit përshembull, ne gjithçka që e mësojmë në tekstet e historisë është që shqiptarët janë të mirë, serbët janë të këqinj, dhe me njëfarë mënyrë Serbia identifikohet vetëm me Millosheviqin, që konsideroj se është gabim. Natyrisht që duhen të prezentohen saktë krimet që i kanë kryer forcat serbe ndaj shqiptarëve mirëpo duhet të prezentohet që ka pasur edhe gjëra të mira në këto raporte shqiptaro-serbe. Përshembull askush asnjëherë nuk e përmend që në vitin 1989 kur regjimi i Milloshevicin e ka suprimuar autonominë e Kosovës ka pasur edhe serbë që e kanë kundërshtuar këtë gjë. Dhe madje madje ka pasur serbë në Kosovë që kanë protestuar bashkë me qindra shqiptarë kundër heqjes së autonomisë të Kosovës. Ose përshembull kur shpjegohet helmimi i nxënësve në vitin 1990 nëpër shkolla fillore e të mesme në tërë territorin e Kosovës, askush nuk e përmend që ka pasur serbë të cilët kanë reaguar e kanë thënë: po, kjo gjë ka ndodhur dhe helmi i hedhur në oborrin e shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë ka mbërri edhe në shtëpinë e një serbeje e cila ka reaguar e ka thënë se: po ky helmim ka ndodhur dhe unë kam marrë trajtim mjekësor sepse e kam humbur vetëdijen prej helmit që është hedhur në shkollë. Ose përshembull askush nuk e përmend që gjatë vitit ‘96-‘97 gjatë protestave masive qytetare për rrëzimin e Millosheviqit në Serbi ku kanë marrë pjesë qindra-mijëra qytetarë serbë të cilët kanë mbajtur një minutë heshtje për rastin e vdekjes së një shqiptari në burg nga torturat e policisë serbe. Dhe e fundit, është shumë e rëndësishme të prezentohen rrymat që kanë ndodhur, rrymat politiko-ushtarake në mesin e shqiptarëve gjatë viteve të 90ta e jo e gjithë kjo lëvizje e asaj kohe të prezantohet brenda një ombrelle si lëvizje kombëtare shqiptare. Kjo për arsye se kjo është e vërteta dhe e dyta sepse kështu e zhvillojmë të menduarit kritik tek nxënësit, i zhvillojmë aftësitë e tyre hulumtuese, përshembull po ta marrim luftën e fundit si shembull, këtu prezantohet vetëm UÇK-ja si organizatë e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës, e ka çliruar Kosovën me ndihmën e NATO’s, mirëpo nuk përmendet se krahas UÇK’së kanë ekzistuar edhe dy formacione të tjera ushtarako-politike; e kemi pasur FARK-un ose Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe e kemi pasur LKÇK-në ose Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Jo tu ofrohen “të vërteta përfundimtare” e mësojini përmendësh, por tu nxiten aftësitë debatuese”, tha Gashi.

Autorët e këtyre teksteve në Kosovë përveç këtyre interpretimeve të njëanëshme nuk kanë mundur të jenë të saktë as me fakte të njohura botërisht të tipit të vitit të lindjes së Bonapartës apo gjatësisë së murit kinez. As ofrimi i statistikave të njohura ndërkombtarisht nuk ka qenë diçka që këta e kanë bërë si duhet.

SERBIA

Serbia qëndron shumë më tmerrshëm se Kosova në (mos)përfshirjen e fakteve dhe të realitetit faktik koherent në faqet e historisë së librave të saj. Aq keq qëndron Serbia në këtë aspekt, saqë mund të thuhet se mban stafetën në Ballkan. Përderisa në Gjermani ligjërohet për krimet e Holokaustit që të shërbejnë si një mësim i asaj që nuk guxon të përsëritet më, në Serbi nuk pranohet asnjë nga krimet e kryera nga shteti serb ndaj popujve e shteteve të tjera fqinje, e madje u ligjërohet se tendencat okupuese të dhunshme janë të duhura. Aleksandra Letić prej Helsinki Committee for Human Rights shprehet si në vijim lidhur me këtë dukuri:

Një gjeneratë e re të rinjsh po mbështesin idenë e ultra-nacionalizmit serb dhe ka pak përpjekje për t’i tërhequr ata nga ana tjetër”, thotë ajo për VoA.

Në Bosnje e Hercegovinë përmenden autorët e krimit, por viktimat janë lënë pas dore. Ne kemi vetëm një monument zyrtar për viktimat në Republika Srpska dhe ai është ndërtuar për shkak të presionit ndërkombëtar.”

Ajo që është shqetësuese është se ata që në të vërtetë po mbështesin kriminelët e luftës, duke mbështetur ideologjinë e atyre që në fakt kanë kryer krime lufte janë të rinj të lindur pas luftës,” thotë Letiq. Ajo shton se brezi i ri duhet të jetë forca lëvizëse për përparimin drejt një shoqërie të hapur dhe demokratike, por është “thellësisht i përfshirë në sjelljen nacionaliste dhe shoviniste”.

Shkollat, ankohet ajo, nuk mësojnë se çfarë bënë kriminelët e luftës për t’u dënuar. “Disa nga librat shkollorë të historisë përfundojnë përpara kulmit të konfliktit në Ballkan,” ankohet ajo.

Dubravka Stojanoviq, profesoreshë e historisë në Universitetin e Beogradit, dhe një prej emrave më të “gozhduar” në Serbi për shkak të kritikave të asaj mbi atë se si historia është e shkruar në Serbi dhe në vendet përreth thotë se “Të dyja këto vende (Serbia dhe Kroacia) ndryshuan kujtesën e Luftës së Dytë Botërore dhe krijuan kujtime të reja të luftërave të viteve 1990, duke i kthyer të dyja në faktorë të paqëndrueshmërisë së re në konfliktin e pezulluar të popujve jugosllavë”.

Stojanoviq e pyetur mbi alternativat e mësimit të historisë për të rinjët, në mënyrë që tu shmangen narrativave nacionaliste të mësimit të historisë u shpreh kështu:

Paj, ekzistojnë disa alternativa, një prej tyre është që të mësohet historia prej burimeve të historisë, tu prezantohen të rinjëve burime historike dhe pastaj të hapet diskutimi. Tjetra alternativë është që të vihen narrativa të ndryshme në një formë të shumë pikëpamjeve. Pra të vihen narrativa të ndryshme kur flitet për të njëjtën ngjarje historike në mënyrë që të rinjët të mund të bëjnë dallimet, të shohin se si pala tjetër e sheh të njëjtën gjë, dhe të shohin se si interpretimi i historisë mund të jetë kaq i ndryshëm”, u shpreh Stojanoviq.

Stojanoviq foli edhe për konceptin e pajtimit në ish-Jugosllavi dhe se si nënshkrimi i marrëveshjeve nuk mjafton për tu arritur një rezultat siç është ai i pajtimit ndër-etnik.

Shpesh herë pajtimi, në ish-Jugosllavi për shembull, ka qenë gjithmonë më shumë formal, një lloj “fluskule”, e tipit ‘ne do të pajtohemi, por s’do bëjmë asgjë në atë drejtim’. Çka unë mendoj se ne kemi nevojë është një proces serioz dhe i thellë në të cilin njohim njëri-tjetrit dhe përgjatë të cilit kuptojmë se cilat janë nocionet tona të ndryshme lidhur me të kaluarën dhe të tashmen. Pra, nuk ka të bëjë me nënshkrimin e kontratave a marrëveshjeve e kinse me këto pajtohemi. Jo, jo, kaq nuk mjafton”.

Stojanoviq e sheh njohjen e saktë të historisë si të drejtë të njeriut dhe se mohimi i kësaj të drejte duke ofruar histori me narrativa nacionaliste është shkelje e një të drejte të njeriut.

Angazhimi që të kemi të drejtën e njohjes së historisë si e drejtë të njeriut sepse në shumë vende të botës ka minoritete e madje edhe shtete të cilat janë të shtypura e nuk e dijnë historinë e të kaluarës së tyre dhe kjo në vetvete është formë e shtypjes të cilën mund ta gjejmë të pranishme në botë sot, e e cila është e rrezikshme për proceset e ndërtimit të paqes në gjithë globin”, tha Stojanoviq.

Shkroi: Hanmie Lohaj

Previous articlePOPULIZMI APO INTERES SHTETËROR
Next article“LIRIA E LËVIZJES ËSHTË E DREJTË ELEMENTARE, JO DHURATË PËR VIT TË RI”