AKTIVIZMI RINOR APO NEPOTIZMI RINOR?

Të rinjtë e PDK-së në Ferizaj

Qyteti i Ferizajit, ashtu siç edhe çdo vend tjetër në Kosovë karakterizohet si i mbipopulluar nga qytetarët e grupmoshës së re. Dhe nëse ky qytet karakterizohet nga diçka, ndër të tjera është aktivizmi rinor. Përderisa MuralFest-i është një organizatë në të cilën të rinj e të reja pikturojnë murale të panumërta nëpër gjithë qytetin duke arritur ta bëjnë një prej qyteteve më të njohura në Evropë për murale, e duke arritur të mbledhë artistë nga e gjithë bota gjatë verës për të pikturuar së bashku me ta, duke u siguruar që këto murale pos të bukura estetikisht për syrin bartin e shpërndajnë mesazhe kuptimplota e tejet domethënëse, jo të gjithë aktivistët rinorë të këtij qyteti janë kaq altruistë.

Ka me dhjetëra aktivistë të tjerë rinorë në këtë qytet, që nuk kanë punuar e as nuk janë angazhuar kurrë pro-bono, vullnetarisht. Jo se implikon diçka të gabuar, megjithatë, fondet që këta të fundit i kanë marrë, dalin të jenë të arritura në mënyën jo më të sinqertë të mundshme. Hulumtimi i Kallxo.com i realizuar nga gazetari Shqipron Xhema, ndër të tjera gjeti se “771 mijë e 460 euro u ndanë për grantet për të rinjtë. 85% e këtyre mjeteve u ndanë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe 15% nga komunat përkatëse. Nga 771 mijë e 460 euro, 152 mijë e 337 euro u ndanë për 16 grante në Komunën e Ferizajt”. Sipas këtyre gjetjeve këto grante e para shkuan për të rinjtë e PDK-së, jo për të rinjtë e Ferizajt, ashtu siç ishte planifikuar e pretenduar që të përdoreshin këto grante.

Sipas gjetjeve të këtij hulumtimi të Kallxo.com, “nga 16 përfituesit e fazës së parë që vijnë nga komuna e Ferizajt, katër nga ta kanë lidhje në një mënyrë apo tjetër me pushtetin lokal në këtë komunë, kurse një përfitues tjetër ka lidhje me anëtarët e komisionit vlerësues”.

Referuar këtij hulumtimi, Shëndrit Aliu fitoi rreth 12 mijë euro nga këto grante. Ai është djali i vëllait të nënkryetarit të komunës. Një përfitues tjetër, Jeton Selimi ka fituar grant në vlerë prej 14 mijë eurosh. Ai është kunati i asambleistes së PDK-së Arbnora Salihut. Lorik Hashani ka marrë rreth 6 mijë e 990 euro nga një prej këtyre granteve. Ai është djali i xhaxhait të një asambleisteje tjetër të PDK-së, Erëza Hashanit. Yllora Mehmeti fitoi grant prej hic më pak se 6 mijë e 873 eurosh. Ajo është aktiviste e përkrahëse e kahmotshme e PDK-së, partisë në pushtet në këtë komunë.

Çka është edhe më e “hatashme” në gjithë këtë çorbë është se një pjesë e mirë e anëtarëve të komisionit përzgjedhës janë pjesë e partisë. Dhe jo thjesht pjesë e partisë, por figura shumë të njohura aty. Filluar këtu nga Eris Berishën, aktivist e përkrahës besnik e vazhduar me vajzën e ish-deputetit të kësaj partie, Gazmend Bytyqit, Era Bytyqin.

Për fund, edhe Gentrit Sadiku sipas këtyre gjetjeve ka marrë grant në vlerë prej 4805 eurosh e i cili ka lidhje familjare me anëtarin tjetër të komisionit vlerësues, Ardian Sadikun.

Të gjithë këto grante vinin si pjesë e projektit “Komuna për të rinjtë”, mirëpo me gjasë udhës titullit të projektit i është fshirë pjesa “Komuna për të rinjtë e PDK-së”, sepse kjo është çka ka ngjarë; të rinjtë e partisë në pushtet i kanë marrë këto para. Ata, pra të rinjtë, fëmijët, të afërmit e bashkëpartiakët e tyre, jo të rinjtë e qytetit, por të rinjtë e tyre. Të rinjtë e PDK-së. Dhe kjo nuk është as hera e parë e as hera e vetme. Ndaj vetvetiu është e pashmangshme pyetja: “aktivizmi” i tyre a është për tu quajtur aktivizëm, apo nepotizëm. Për çka qëndrojnë ata, nëse qëndrojnë për çkado, për diçka, pse duhet të jetë ky nepotizëm e keqpërdorim i pastër? Pse nuk u panë e as nuk u korrën në të mirë të përbashkët, ose kudo tek të rinjtë e për të rinjtë këto para? Mbase sepse këto para nuk i pa kush, ato u dhanë dhe u morrën përmes nepotizmit, përmes qëllimit keqpërdorues e mashtrues. Hulumtime si ky i gazetarit Xhema në Kallxo.com janë vetëm disa nga treguesit e asaj që shihet qartazi e haptazi e që është se në zanafillë edhe ata të rinj që angazhohen kinse për komunitetin përfundojnë duke e shfrytëzuar këtë për PR të vetin personal duke aderuar në parti politike të fuqishme e në pushtet për të “korrur” pastaj “frytet e punës së tyre”. Dikush këtë shpërndarje fondesh të realizuar në këtë mënyrë do e shihte edhe si mënyrë të pushtetit për të shpërlarë para duke i përdorur këta të rinj. Megjithatë, në cilindo rast, ajo që duhet pranuar është se me përjashtim të themi pak organizata e ca grupesh ekskluzive të të rinjëve, e gjitha është duke devijuar në një farsë. Identiteti i aktivizmit, misioni e qëllimi për dhe ndaj komunitetit. Ndonëse ky qytet mund të jetë i përmendur e i karakterizuar me të rinj aktivë në jetën publike, gjë që është për tu duartrokitur, e gjithë kjo është mirë të mirret me një grimasë, a dozë dyshimi. Pra, sasia jo domosdoshmërisht prezenton gjithmonë cilësi. Dhe jo gjithë këta të rinj aktivë, i kanë dhënë shoqërisë ashtu siç pretendojnë. Disa i kanë marrë, duke mos i dhënë gjë në këmbim. Dhe kjo, ndonëse nënkuptohet edhe pa pasë nevojë të thuhet: nuk është shembulli që do duhej të ndiqnim, nuk është mësimi që do duhej të merrnim nga liderët e të mëdhejtë tanë.

Shkroi: Hanmie Lohaj

Previous articleJENI KRENARE DHE TESTOHUNI
Next articleKOSOVA NUK ARRITI TË HYJË NË KËSHILLIN E EVROPËS: ÇFARË NDIKOI DHE Ç’HUMBET AJO NGA KJO