Foto e një klase në Prishtinë
Nuk nevojiten gjithmonë ngjarje të mëdha për të ndarë një shoqëri. Nganjëherë, mjafton një ndryshim i vogël në orarin e një shkolle. Një zile shkolle që bie gjysmë ore më herët — një vendim që në pamje të parë duket thjesht teknik — përfundon duke ndezur një debat të plotë mbi fenë, shtetin, identitetin, madje edhe të ardhmen e shoqërisë, duke u përhapur në studiot televizive, rrjetet sociale dhe tryezat e darkës.
Sepse në Ballkan, edhe çështjet e vogla shndërrohen në pasqyrim të dilemave shumë më të mëdha, duke reflektuar ndarjet që jetojnë (jo shumë) qetësisht nën sipërfaqe.
Çfarë ndodhi në të vërtetë?
Në fillim të muajit të Ramazanit, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë morri vendim për të ndryshuar orarin e shkollave përgjatë këtij muaji. Mësimi do të fillonte më herët, rreth orës 7:30 në vend të 8:00, në mënyrë që dita shkollore të përfundonte më shpejt. Orët mësimore mbetën me të njëjtën kohëzgjatje, ndërsa pushimet u shkurtuan.
Një ndryshim i vogël. Apo diçka shumë më e madhe?
Disa e panë si një gjest mirëkuptimi. Shumë nxënës dhe mësimdhënës agjërojnë, dhe një ditë më e shkurtër mund t’i ndihmojë.
Të tjerë panë diçka krejt tjetër.
Dhe kështu u shndërrua në një çështje shumë më të thellë, që përqendrohet në pyetjen nëse institucionet publike duhet të përshtaten me praktikat fetare. Jo të gjithë nxënësit agjërojnë. Jo të gjithë i përkasin të njëjtës fe. Dhe një konflikt i njohur rikthehet: tradita kundrejt neutralitetit, zakoni kundrejt parimit kushtetues, karakterit laik të shtetit.
Por pyetja e vërtetë nuk është kush ka të drejtë. Është nëse ne jemi aq shoqëri moderne e e hapur sa pretendojmë të jemi.
Një debat që zbulon më shumë sesa thotë
Kosova është një vend ku feja ndikon në heshtje jetën e përditshme, por edhe një shtet i ndërtuar mbi parime laike. Kur këto realitete përplasen, tensioni është i pashmangshëm.
Dhe reagimet? Të ashpra, të menjëhershme, pa mëshirë.
Kritikët paralajmëruan për kërcënime ndaj identitetit, arsimit, madje edhe sigurisë kombëtare. Mbështetësit u kundërpërgjigjën me akuza për islamofobi dhe mohim të të drejtave fetare. Toni në të dy anët u përshkallëzua shpejt, nga debat në fyerje. Aulona Mehmeti, aktiviste e shoqërisë civile dikur, e cila shkroi: “Atë qe akademikët serbë si Vaso Cubrilovic, të cilët hartonin projekte për dobësimin gradual të strukturës sonë shoqërore, identitare dhe institucionale, nuk arriten ta bënin, po e bëjmë ne vet sot”. Një profesor filozofie, Blerim Latifi madje ka paralajmëruar edhe cënim të sigurisë kombëtare nga vendime të këtij lloji duke thënë: “Po, saktësisht kështu fillon kjo punë: ma ca gjëra të vogla, në shikim të parë të padëmshme, si adaptimi i orareve të shkollave publike me oraret e ritualeve fetare; pastaj, ngadalë, qetë-qetë, kalohet në adaptimin e ligjeve të shtetit me kërkesat e dogmave fetare dhe një ditë, si pa e kuptuar, shfaqet ajatollahu në krye të shtetit. Por meqë jemi në Europë kjo mund të zgjas e shumta një javë, derisa tanket serbe të marrin dritën e gjelbërt për të marshuar në Kosovë.” Siç edhe mund ta paramendoni, as kampi tjetër nuk u tregua aspak më “i butë” në përzgjedhjen e fjalëve, kryesisht diskursit të tyre u prinë fjalët si “ju jeni islamofobë”, “në një shtet me shumicë dërrmuese besimtarësh muslimanë s’po na lejoni praktikimin e fesë sonë”. Lirim Mehmetaj, opinionist, u shpreh kështu “Shteti laik i respekton fetë, nuk i mohon ato. O gllupa. Kosova është paradoks në vete. I vetmi shtet në botë me islamofobi të theksuar, përkundër se gati 100% janë myslimanë”.
Por le të jemi të sinqertë: askujt nuk i intereson vërtet 7:30 apo 8:00 për një muaj.
Zemërimi lidhet me diçka më të thellë — mënyrën se si shoqëria organizon jetën publike, si marrin vendime institucionet dhe si të rinjtë mësojnë të kuptojnë marrëdhënien mes fesë dhe shtetit.
Sepse nëse argumenti bazohet thjesht te shumica, atëherë ai duhet të vlejë edhe nëse ajo shumicë bëhet pakicë.
Dhe pikërisht këtu gjërat bëhen më të ndërlikuara.
Papjekuri, intolerancë dhe zhurmë
Ajo që më shtyu ta shkruaj këtë artikull nuk ishte vendimi, por reagimi.
Zemërimi. Etiketimet. Mungesa e plotë e gatishmërisë për të dëgjuar.
Mospajtimi është normal. Është i nevojshëm. Por ajo që pamë nuk ishte debat. Ishte zhurmë. Fyerjet zëvendësuan argumentet. Mendimet ndryshe u trajtuan si sulme. Edhe ekspertët e arsimit u hodhën poshtë me armiqësi.
Shoqëritë që debatojnë janë shoqëri që mendojnë.
Shoqëritë që fyejnë, etiketojnë dhe përçajnë? Jo dhe aq.
Ajo që është shqetësuese nuk është mospajtimi — është paaftësia për ta toleruar atë. Një hapësirë ku çdo mendim kundërshtues shihet si provokim nuk është një hapësirë ku demokracia mund të funksionojë, qoftë edhe në mënyrë të papërsosur.
Figura më e gjerë
Në një komunë tjetër të Kosovës, në Fushë Kosovë, grave që punojnë në institucione publike iu lejua të largohen më herët nga puna — që të mund të përgatisin iftarin, sepse “gratë janë ato që gatuajnë”.
Një vendim i vogël, sërish, i përkohshëm. Por edhe një shembull i qartë i diçkaje më të madhe: normalizimi i roleve gjinore, i përforcuar nga vetë institucionet.
Nuk është diçka e re. Por gjithsesi nuk bën të anashkalohet.
Ironia e vërtetë
Ironia më e madhe nuk është që ne debatojmë.
Është që nuk debatojmë — të paktën jo për gjërat që kanë vërtet rëndësi.
Nuk ka zemërim kolektiv për cilësinë e arsimit. Nuk ka stuhi reagimesh për rezultatet e PISA-s, nivelin e leximit apo dhunën në shkolla. Nuk ka debat të mirëfilltë për brezin që po formëson të ardhmen e këtij vendi.
Por po u bë fjalë për një orar shkolle kombinuar këtu me sentimentin fetar?
Papritur të gjithë bëhen ekspertë.
Të gjithë kanë një mendim.
Të gjithë kanë diçka për të thënë.
Dhe megjithatë, ajo që marrim nuk është debat, aq më pak diskutim — është vrer.
Shkruan: Hanmie Lohaj













