Ç’rol Luajti Diaspora?
Kosova hyri në vitin e ri me kryeministrin e vjetër. Albin Kurti në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit të vitit që lamë pas arriti të korr suksesin më të madh elektoral të tijin prej që është në skenën politike. Ai morri hiç më pak se 51.11% të votave duke siguruar kështu fitore të dytë plebishitare dhe duke u ngritur për më shumë se 9% që nga zgjedhjet e shkurtit. Kosova në periudhën midis këtyre zgjedhjeve, pra për diku 11 muaj ishte në krizë institucionale, pa institucione të formuara si pasojë e mos-bashkëpunimit partiak.
Këtë fitore kaq të madhe të Kurtit dhe partisë së tij, dikush do thoshte, se nuk e kishte parashikuar e pritur as ai vetë. Thënë kjo, ky rezultat e la shumëkë të habitur por jo edhe të papërgaditur. Data e zgjedhjeve ishte caktuar të jetë 28 dhjetori, datë kjo e cila u aprovua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Partitë opozitare shprehën haptazi pakënaqësitë e tyre me këtë vendim. Ato kishin shprehur dëshirë që zgjedhjet të mbaheshin pak ditë më herët. Dhe nëse ju shkon mendja se ç’dallim bëjnë disa ditë, përgjigja është tejet e thjeshtë: sa më afër datës 1 janar dhe natës së fundit të vitit, aq më i madh numri i mërgimtarëve që gjenden në Kosovë. Diaspora tash e disa vite njihet se anon bindshëm nga Kurti kur bëhet fjalë për përkrahje politike. Nga këto zgjedhje Kurti doli konsiderueshëm më i fortë, e partitë opozitare bindshëm më të dobësuara se veçse ishin. Nëse deri para se të publikoheshin rezultatet e zgjedhjeve të gjitha kritikat ishin të drejtuara karshi Kurtit, qeverisjes së tij dhe cilësisë së saj, që prej fillimit të numërimit të votave diskursi është dominuar nga opinionet se si partitë opozitare, bashkarisht dhe veçmas kanë dështuar të ofrojnë alternativë dhe zgjidhje për problemet e vështirësitë me të cilat përballet Kosova dhe qytetarët e saj, duke bërë kështu që partia e Kurtit të jetë triumfuese pakontestueshëm.
Perspektiva Plus në Prishtinë ka tentuar të marrë opinionin e disa të rinjëve mbi atë se si e vlerësojnë ata fitoren plebishitare të Kurtit dhe pjesëmarrjen masive të diasporës si asnjëherë më parë në procesin politik më vendimtar në vend, atë të zgjedhjeve nacionale.
Flora Krivanjeva, 19 vjeçe, studente e shkencave kompjuterike në Prishtinë, e pyetur nëse ndihet si e re e përfaqësuar në institucionin më të rëndësishëm të Republikës, tha se nuk mendon se të rinjtë përfaqësohen mjaftueshëm në kuvend.

“Nuk mendoj se ka mjaftueshëm deputetë ose përfaqësues të rinisë në kuvend, nuk ka pasë edhe më herët, po sidomos në zgjedhjet e fundit janë reduktuar listat ku ka pasë të rinjë. Më shumë ka kaluar trendi me deputetë të vjetër, deputetë që kanë dy-tre mandate, kështu që, jo nuk mendoj që jemi mjaftueshëm të përfaqësuar dhe as nuk mendoj që nevojat tona përfaqësohen mjaftueshëm në kuvend”, u shpreh Flora për Perspektiva Plus.
Lidhur me atë se si e sheh Flora rezultatin e këtyre zgjedhjeve, ajo u shpreh se:
“Mendoj që rezultatet kanë qenë mjaft të qarta siç thashë dhe më heret, tregojnë diçka që shumica e popullsisë së Kosovës dhe ata që jetojnë jashtë saj kanë të njëjtën bindje politike. Nuk e di sa është rezultat pozitiv për neve por për subjektin dhe për procedurat që munden të vazhdojnë besoj se do jenë pozitive për shkakun se mund ta qojnë përpara gjithçka rreth ratifikimit të marrëveshjeve”, tha Flora.
Një prej debateve që ka kryesuar diskursin shoqëror që prej caktimit të datës së zgjedhjeve e tutje, është diskutimi se a është e udhës që diaspora të votojë kur ata nuk jetojnë në Kosovë, vijnë këtu për një javë apo dhjetë ditë në vit, dhe në fund me problemet e sfidat e vendit ballafaqohen qytetarët rezidentë.
Lidhur me këtë çështje Ana Mustafa, një tjetër 19 vjeçare e lindur dhe e rritur në Preshevë, por që ka një vit prej që është shpërngulur në Kosovë, tha se:

“Ata që më së miri e dijnë dhe e vlerësojnë peizazhin politik në Kosovë, janë vet kosovarët të lindur e të rritur, të punësuar e të formuar, të perfshire e të angazhuar në Kosovë dhe vetëm Kosovë. Ata janë të rrënjosur në realitetin vendor – andaj ata janë më meritorët që të vendosin kush t’i udhëheq, si dhe pse. E dimë që mërgata ka votuar konsiderueshëm, dhe kjo ka ndihmuar vërejtshëm në fitoren e një partie që ndoshta është më ‘populliste’ – përderisa diaspora duhet të vlerësohet shumë si burim i pashterrshëm i mbështetjes dhe përpjekjeve për të përmirësuar vendin, mendoj që ata duhen të kenë një përfaqësues të tyre, mirëpo jo të jenë përcaktues të fituesit këtu. Në fund të ditës, mërgimtarët i kthehen infrastrukturave të veta, punëve të veta, por ata që mbesin, janë ata që i përjetojnë sistemet shkollore, politike, dhe përditshmërinë e Kosovës pa ndalë, pa kompromis e pa pushim. Pikërisht duhet të jetë zëri i tyre që dëgjohet në përqindjen më të lartë”.
Brigita Krasniqi, një e re nga Kosova që është lindur dhe rritur në Finlandë, e e cila për momentin po vijon studimet në Bruksel, si pjesë e diasporës vetë, për Perspektiva Plus shprehu se ka mendime të dyzuara lidhur me temën.

“Një njërën anë mendoj se sigurisht që diaspora ka të drejtë të votojë, sidomos diaspora në fjalë pasiqë diaspora e Kosovës është pjesë kaq e madhe e Kosovës, dhe në të njëjtën kohë i kuptoj edhe ata që janë kundër. Përshëmbull mendoj se gjenerata e prindërve të mi që janë lindur në Kosovë me patjetër duhet të kenë të drejtën të votojnë, por kemi edhe si unë, që jam lindur e rritur në Finlandë e që e vizitoj Kosovën një herë në vit, ndoshta nuk do duhej të votoja. Kësaj here nuk kam votuar, herën e kaluar po. Megjithatë, nuk besoj që po i shërben ndonjë qëllimi ky debat mbi atë se a duhet apo nuk duhet të votojë diaspora, sepse po krijon përçarje. Ky miti se e gjithë diaspora është me Vetëvendosjen nuk është i vërtetë. Përshëmbull vetëm në familjen time ka mendime shumë të ndryshme. Mendoj se diaspora po përdoret prej partive opozitare si armë politike kundër Vetëvendosjes. Njerëzit kanë të drejtë të votojnë dhe të votojnë kë të duan, e jo të akuzohen pse po e votojnë dikë. Nuk është demokraci e shëndetshme”.
Shkroi: Hanmie Lohaj













