“LIRIA E LËVIZJES ËSHTË E DREJTË ELEMENTARE, JO DHURATË PËR VIT TË RI”

Flamuri i BE-së dhe i Kosovës pranë njëri-tjetrit/ Qëllim Ilustrimi

Nata e 31 dhjetorit në Kosovë nuk shënoi vetëm pritjen e festimin e vitit të ri 2024, por edhe shënimin e pritjes së ditës së parë në të cilën kosovarët nuk do jenë të diskriminuar në një aspekt tejet të rëndësishëm. Duke filluar nga 1 janari, pra me të hyrë në vitin e ri 2024, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm, pa viza, në shtetet e zonës Shengen, pra gjithsej në 27 shtete. Një pjesë e mirë e qytetarëve në moshë më të shtyrë në Kosovë rrëfejnë se para luftës së fundit në Kosovë kanë udhëtuar në shtetet e ish-Jugosllavisë pa pengesa, duke mos kursyer tregimet me nostalgji për ato udhëtime e çka kanë parë. Megjithatë të rinjtë e Kosovës kanë qenë të vetmit të rinj të Ballkanit Perëndimor të cilët nuk kanë mundur të udhëtojnë e lëvizin lirshëm që nga pavarësia e Kosovës në 2008 e tutje.

Ardi, një djalosh i ri nga Prishtina kur u pyet nga Perspektiva për lajmin e liberalizimit, u përgjigj me një reflektim në kohë, kur një prej ndasive që e kishte ndjerë mes tij dhe fëmijëve të klasës së priviligjuar në Kosovë, asaj të politikanëve dhe të fëmijëve me familje të pasura, kishte qenë edhe mundësia për tu pajisur më lehtë me vizë, pra të lëvizurit lirshëm.

I kum kqyrë gjithë me lakmi kta shoktë e shoqet që i kanë pasë prindërit ministra e deputeta, kah s’shkojshin. Paj tybe gjysa prej tyne i kanë pasë letrat e Shqipnisë e t’Maqedonisë. Ata që s’i kanë pasë, kallxojshin që i merrshin vizat kishe me detyra zyrtare t’prindve t’vetë, që i shoqërojshin me demek. Ka pasë edhe ksi që i kanë pasë baballartë e fortë, e sju qitshin problem ka sa i kishin nëpër banka, sjau refuzojshin vizën. Jam kanë gjithë shumë kurioz me i pa venet e botës, ska qytet t’Francës përshembull që s’ta di me emër, po kurrë n’jetë nuk jam kanë. Axhallarët m’jetojnë atje, po kurrë s’kom mujtë me shku me i pa atje, edhe pse 4 herë deri tash kum apliku”, filloi rrëfimin e tij Ardi nga Prishtina, 21 vjecar.

I pyetur se si e kishte pritur lajmin se duke filluar nga 1 janari i 2024, shtetasit e Kosovës do mund të udhëtonin pa viza, i njëjti tha se nuk e sheh liberalizimin e vizave me kushedi sa zell, marrë parasysh privimin kaq të gjatë të lirisë për të udhëtuar të qytetarëve të Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera anëtare me të drejtë vote.

Paj, janë tu u sjellë krejt, si me pasë kanë ky najfar bekimi, a najfar dhurate. S’është qashtu. Neve na e kanë privu ni të drejtë elementare, qysh është e drejta e lëvizjes, e pse politikanët dojnë me na e shitë si sukses të tyne, e BE-ja si dhuratë që po na e jep për vit të ri, është gabim. Na jena kanë të izolum, t’stigmatizum, t’privum prej ni lirie, prej ni t’drejte themelore qysh osht udhëtimi edhe lëvizja e lirë. Na kanë trajtu si me pasë kanë të padaltë, se pernime jena kanë të padaltë, pra, na kanë ba të tillë, se na kanë izolu vetë, e masnej na kanë stigmatizu si pasojë, me veprime t’vetat, për neve BE-ja gjithë u kanë njerkë, njerkë e keqe, njerkë e zezë”, shtoi Ardi për Perspektiva Plus-in.

Ardenis Krasniqi, 20 vjeçar nga Kaçaniku, tha për Perspektivën se i ka ndodhur të ia refuzojnë marrjen e vizës disa herë, dhe se në secilën herë është ndjerë shumë keq dhe se kjo i kishte shkaktuar humbje si në aspektin financiar ashtu edhe në kohë e angazhime.

E padrejtë! E padrejtë që si student që po kërkoja vizë turistike dhe përmbushja të gjitha kriteret, të më refuzohej marrja e saj. Është mjerim që të rinjët e Kosovës, por edhe moshat e tjera të mos mund të vizitojnë shtetet e Evropës”, tha Krasniqi.

Ndonëse qytetarët e Kosovës do mund të lëvizin pa viza në shtetet e zonës Shengen, e njëjta nuk vlen për një vend të cilin Kosova e ka shumë afër, e vend i cili është pjesë e Ballkanit Perëndimor. Fjalë bëhet për Bosnjën dhe Hercegovinën.

Ena Hodzic, 16 vjeçare nga Peja, nxënëse e shkollës së mesme, u shpreh për Perspektivën se ndonëse është gëzuar shumë për lajmin e liberalizimit të vizave, tha se ajo kishte dashur të shkonte në Sarajevë e të takonte tezen e saj e cila jeton aty, si dhe familjarë të tjerë të prindërve të saj që jetojnë atje, por se vështirë që do mundet, si pasojë e vështirësive e barrierave që krijon vetë procesi i aplikimit për pajisje me vizë.

Më vjen keq që nuk i kanë hequr vizat, kam pasë dëshirë me shku te tezja qe jeton ne Sarajevë”, tha Ena e cila vjen nga komuniteti boshnjak në Kosovë.

Njëjtë si Ena ka edhe shumë qytetarë të Republikës së Kosovës që kanë familjarë e të afërm në Bosnjë, e të cilët nuk janë takuar për vite të tëra si pasojë e barrierës që shkaktojnë vizat, me fjalë të tjera, vendimarrja e politikëbërësve në Sarajevën zyrtare.

Të rinjtë e Kosovës në parim, pra në masë të madhe, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk kanë mundur kurrë ta shohin Koloseun e Romës, kullën e pjerrët të Pisës në Itali, Eiffel-in e Parisit, rrugët e Spanjës, apo amfietatret greke. Ata më së largu kanë mundur të dëgjojnë nga filmat për mikpritjen (e ftohtë) franceze, çmimet atje, mënyrën e transportit me tramvaj, apo pjesën e mahnitshme të arkitekturës që i mbijetoi kaq shumë përjetimeve në Sarajevë. Megjithatë, edhe eksperienca e këtyre që kanë mundur të pajisen me vizë nuk ka qenë e shtruar në flori, pasiqë të njëjtit tregojnë se kanë hasur në paragjykime duke filluar që nga ana e ofiqarëve zyrtarë gjatë procedurave të kontrollimit.

Ardenis Krasniqi, shpreh se “I paragjykuar nga kontrollat në airoporte ndihesh shumë, sepse të bëjnë pyetje personale të tipit: Ku do shkosh? Pse do shkosh? Sa do qëndrosh? Sa para ke me vete? Domethënë gjejnë arsye vetëm për të të bërë pyetje jo të këndshme sapo shohin që pasaporta jote është e Kosovës. Nuk besoj se të njëjtat do i bënin me kaq skepticizëm po të udhëtoja apo kisha pasaportë të ndonjë shteti tjetër, qoftë ky vend fqinj”.

Eksperiencë të ngjashme, ose thënë ndryshe ndjesinë e paragjykimit gjatë udhëtimeve të saj thotë se e ka ndjerë edhe gazetarja e njohur nga Kosova, Serbeze Haxhiaj. Haxhiaj e cila njihet për shkrimet e saja për mediume me famë botërore, fituese e çmimeve të ndryshme për raportimin e saj mbi korrupsionin, varfërinë, luftën dhe pajtimin, tha për Perspektiva Plus se “ Perveç paragjykimit, mosbesimit, shumica e stafit konsullor nëpër konsullata të kanë trajtu si ‘second-hand person’. Kjo është parë edhe nëpër aeroporte kudo pothuajse. Si ja ke qitë pasaportën e Kosovës, menjëherë t’i kanë lypë gjurmët e gishtave”.

Haxhiaj vazhdoi duke thënë se ndonëse pjesa dërrmuese e vizave të cilat i ka marrë kanë qenë zyrtare, pra për shkaqe pune, sfidat kanë qenë jo të pakta.

Kam marrë qindra viza për tërë këto vite, dhe në 99 përqind të rasteve kanë qenë zyrtare, domethënë viza për të marrë pjesë në konferenca, forume, workshope. Në të shumtën kanë qenë për 3-4 ditë aq sa ka zgjatë eventi. Ka pasur edhe raste që më kanë lëshu vizë 48 orëshe dhe kur kam ardhë në aeroport të ndonjë prej vendeve të BE-së më kanë thënë mos gabo me lëshu terminalin se s’ke ma vizë”, tha Haxhiu.

Procesi i vrazhdë, tejet stresues, i lodhshëm e sfilitës i aplikimit e pritjes në radhë të gjata për përgjigje për vizë, e më pas marrja e përgjigjeve jo gjithmonë pozitive, ka ndikur në shumë jetë, dhe në shumë më shumë sfera se vetëm ajo e takimit me familjarë një apo dy herë në vit. Shumë të rinjëve të Kosovës ky proces dhe maltretim i ka privuar edhe nga ndjekja e aktiviteteve e ëndrrave të tyre në zhvillimin dhe ngritjen e tyre profesionale e personale.

Korrespodentja e Perspektiva Plus-it për Kosovë, Vjosa Qerkini, gjithashtu gazetare në Deustche Welle, mëngjesin e 27 nëntorit, postoi një status në Facebook, në të cilin bashkangjitur një foto në të cilën shihet rruga në të cilën gjenden disa nga ambasadat më të frekuentuara në të cilat për më shumë se dy dekada kanë pritur në kolona të gjata përgjigje pas aplikimit për tu pajisur me vizë, shkroi si në vijim:

Paskan mbetë shkretë rrugët e ambasadave. Shpirtin na e kanë patën hongër që 24 vjet. Karma is good”, tha Qerkini.

Fotoja e postuar nga gazetarja Qerkini

Vizat u hoqën. Po tani çfarë? Ndonëse liberalizimi i vizave si vendim është marrë tashmë, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë lëvizjeje të lirë në shtetet e zonës Shengen vetëm për një periudhë të caktuar, pra qëndrimi i qytetarëve të cilët udhëtojnë drejt këtyre shteteve nuk mund të zgjasë më shumë se 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

Zëvëndësministri i punëve të jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, bëri të ditur se nëse thyhet kjo rregull pasojnë dënime të konsiderueshme.

Ai tha se “mund të deportohesh në Kosovë ose mund të dënohesh me mjete monetare deri 5 mijë euro, e nëse nuk e paguan, ka kamatë. Po ashtu mund të penalizohesh me pasaportë deri në 5 vjet. Figuron në secilin vend anëtar që e keni shkelur këtë rregull”.

Gjithashtu, Ahmeti u shpreh se duhen vërtetuar një sërë informatash në pikat e kontrollit të shteteve përkatëse. Këto informatash përfshijnë provën e biletës së kthimit, vërtetimin e kapacitetit financiar për t’i mbuluar shpenzimet e tija personi që udhëton, ose nëse kjo nuk qëndron, atëherë vërtetimin se ndonjë familjar do ia mbulojë këto shpenzime.

Duhet minimalisht 3 muaj vlefshmëri të pasaportës. Duhet dëshmia e udhëtimit – agjendës apo biletave. Pastaj akomodimi – te ndonjë familjar, duhet t’i kesh informacionet, madje mund të kërkohet edhe numri i identifikimit te personi që ju pret. Nëse akomodoheni në ndonjë hotel, duhet rezervimi. Edhe te financat, duhet ta vërtetosh që ke kapacitet financiar që mund t’i mbulosh shpenzimet, nëse i mbulon vet. Nëse i mbulon vet shpenzimet, nuk ka ndonjë vlerë fikse. Nëse shkon te ndonjë familjar 30-50 euro në ditë, nëse në hotel 50 deri 100 euro në ditë. Por, kjo dallon pak nga vendet ku shkon dhe nga çmimet që janë atje. Kërkohet edhe bileta kthyese, nëse udhëtohet me aeroplan, nëse udhëton me veturë, janë dokumentet tjera. Rekomandohet të ketë edhe sigurim shëndetësor”, u shpreh zëvendësministri Ahmeti.

Ata të cilët mendojnë të punojnë në këto shtete, duhet me patjetër të pajisen me vizë pune, dhe assesi të mos punojnë “ilegalisht”. Megjithatë fryma e përgjithshme e krijuar në Kosovë që nga shpërndarja e lajmit se më nuk do kemi nevojë për viza për të udhëtuar është se Kosova do mbetet bosh nga të rinjtë, se këta të fundit nuk do të kthehen me të udhëtuar jashtë Kosovës. Ndonëse mendimet për këtë çështje janë të shumta, ashtu siç janë edhe të ndryshme, ku një pjesë janë skeptikë e disa të tjerë vërtetë besojnë se shumë të rinj nuk do vazhdojnë jetën e tyre në Kosovë, kjo mbetet të shihet në muajt në vijim, më konkretisht pas përfundimit të gjysmës së parë të vitit që vie, 2024.

Shumë parregullësi kanë ndodhur në vetë agjencionet e aplikimeve për viza. Ishte pikërisht gazetari Vullnet Krasniqi, i cili pas një raportimi disa javorë, arriti të kuptojë e edhe publikojë se një nga kompanitë kryesore e cila kanë operuar në Kosovë për vite të tëra, pra “VisaMetric”, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, po vazhdonte të ua merrte nga 30 euro qytetarëve gjatë procesit të aplikimit për viza për kthim të pasaportës. Gazetari Krasniqi, i cili ndonëse i ri në moshë, jo edhe në profesion, me këtë hulumtim u shpërblye me çmimin “Gazetari i vitit 2023”.

Gazetari Vullnet Krasniqi gjatë raportimit mbi mashtrimin e evidentuar të VisaMetric-ut/ Pamjet: Nacionale

Ambasadat e shteteve të zonës Shengen të cilat gjenden në Kosovë, njëjtë si agjensionet private që kanë shoqëruar këto aplikime nuk do kenë më angazhimin që kanë pasur deri para vitit 2024. Por, qytetarët e Kosovës nuk do harrojnë eksperiencën e tyre dhe ethet që kanë ndjerë gjatë procesit që u është dashur të kalojnë si të vetmit qytetarë të një rajoni që kalojnë nëpër të. Proces ky diskriminues, maltretues, jodinjitoz dhe përjashtues.

Shkruan: Hanmie Lohaj

Previous articleHISTORIOGRAFIA NË BALLKAN: MITE ME THASË, FAKTE ME GRIMASË
Next articleSTUDENTËT MAQEDONAS DHËNON KATONIN E KUQ